Nga Av. Ardjana Shehi
Studio Ligjore KALO & ASSOCIATES
Deklaratat e deritanishme të FMN-së rekomandojne se për uljen e problemeve që lidhen me borxhin e lartë dhe për të rindërtuar rezerva fiskale më të forta ndaj goditjeve, autoritetet shqiptare duhet të angazhohen për të pasur një objektiv të besueshëm dhe te ulët në lidhje me borxhin afat-mesëm. Keto deklarata lëne të kuptohet që për arritjen e disa prej objektivave ne lidhje me borxhin duhet që, mbi të gjitha, të ketë një konsolidim fiskal të qëndrueshëm, dhe se është e nevojshme një qasje e kuptueshme mbi reformën tatimore. Duke pasur parasysh sa më sipër, me anë të këtij shkrimi do të doja të shprehesha mbi disa nga shqetësimet ekzistuese perkatese te identifikuar ne mjedisin e biznesit, me shpresën që masat e nevojshme që duhet të ndërmerren shume shpejt nga Qeveria janë të përshtatshme dhe në përputhje me realitetin shqiptar, dhe janë efektive për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Kam mendimin se regjimi i takses se sheshtë në Shqipëri ka ndikuar në përmirësimin e respektimit të legjislacionit fiskal nga ana e tatimpaguesve shqiptarë, dhe se do te ishte një kontribues i mirë për vazhdimin e uljes se informalitetit në Shqipëri nëse do të shoqërohej paralelisht me masa të tilla, si zbatimi i barabartë i ligjit fiskal për të gjithë, etj. Për këtë arsye, dhe duke qenë se zbatimi i një reforme të re tatimore (përfshirë futjen e një tatimi progresiv mbi të ardhurat personale, ndryshime në tatimin mbi fitimin, etj.) duket i shpejtë, do të sygjeroja që krahas fillimit të zbatimit të një pakete të re fiskale, nevojitet që njëkohësisht të punohet edhe në drejtimet, si vijon: Së pari, masa të menjëhershme efektive duhet të zbatohen në mënyrë që të përmirësohet zbatimi i ligjit: Çdo person që ushtron veprimtari ekonomike pa qenë i regjistruar për qëllime tregtare dhe tatimore duhet të formalizojë veprimtarinë e tij tregtare dhe të jetë në përputhje me legjislacionin tatimor, në mënyrë që të gjithë tatimpaguesit të luajnë në treg me rregulla të barabarta, duke iu nënshtruar zbatimit të drejtë dhe të paanshëm të ligjit, përfshirë këtu rregullat e konkurrencës së ndershme. Përveç kësaj, të gjitha kategoritë e tatimpaguesve të përcaktuara ne ligjin e tatimit mbi të ardhurat duhet të fillojnë t’i nënshtrohen legjislacionit përkatës. Administrata tatimore duhet të sigurohet që çdo tatimpagues, pa përjashtim, siç përcaktohet me ligj, paguan tatimet/taksat sic percaktohet ne ligj, por njekohesisht administrata tatimore duhet të respektojë iniciativën private dhe lirinë kontraktore të cdo tatimpaguesi. Si pjesë e komunitetit të biznesit, dhe si avokate e disa shoqërive të huaja dhe shumëkombëshe, kam kënaqësi të deklaroj se kërkesa për një investim të administratës shqiptare në uljen e informalitetit në Shqipëri, në rritjen e standardeve të zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithe, etj., vjen si një kërkesë e drejtpërdrejtë nga komuniteti i biznesit, i cili kërkon mundësinë për të ushtruar veprimtarine ekonomike në një mjedis ligjor dhe ekonomik të shëndetshëm, të paanshëm dhe të qëndrueshëm. Së dyti, është e nevojshme që qeveria e re të tregojë se është e angazhuar për arritjen dhe vendosjen e sigurisë juridike: siguria juridike do të thotë që legjislacioni (duke përfshirë ligjislacionin tregtar dhe legjislacionin tatimor) është i qëndrueshem dhe nuk është subjekt i ndryshimeve të shpeshta dhe të paparashikueshme, si dhe është i saktë dhe i qartë, dhe që lejon individët dhe bizneset të parashikojnë pasojat ligjore të veprimeve të tyre, veçanërisht detyrimet financiare që rrjedhin nga projektet dhe aktivitetet tregtare. Duke pasur parasysh se deri më sot ka pasur një mungesë të vlerësimit dhe vëmendjes për sigurinë juridike, dhe duke pasur parasysh se administrata publike shqiptare në veçanti ka një rol shumë të rëndësishëm në zbatimin efektiv të parimit të sigurisë juridike, dhe se shteti shqiptar është duke kaluar një fazë të forcimit të institucioneve të tij, unë besoj se duhet të ketë shumë më tepër theks dhe vëmendje në ofrimin e sigurisë efektive juridike. Kontrata sociale e “nënshkruar” me publikun dhe bizneset duhet të zbatohet duke u bazuar në parimin e mirëbesimit, dhe të drejtojë në detyrimin për veprime reale për të shmangur çdo mundësi për paqartësi ligjore që mund të shkaktohet për shkak të paqëndrueshmërisë së ligjit, paqartësise dhe pasaktesisë se tij, mungesës së parashikueshmerise së ndikimeve ligjore sidomos kur zbatohet për detyrimet financiare, mosrespektimit te parimit të efektit prapaveprues, mospajtueshmërisë se akteve nënligjore me aktet ligjore kryesore, interpretimit te legjislacionit nga organe të paautorizuara me ligj, dështimit te organeve të administratës publike dhe të gjyqësorit për të krijuar praktika të ngjashme për raste dhe kushte të ngjashme, si dhe per shkak te keqpërdorit të pushtetit. Kjo gjë është me rëndësi jetike, sepse, për fat të keq, deri më sot kanë mbizotëruar gjeresisht mangësitë e sipërpërmendura dhe me pasoja per bisnesin.Do te doja të përfundoja me mendimin se çdo objektiv i mundshëm në lidhje me qëndrueshmërinë fiskale dhe të borxhit eshte më i besueshëm në qoftë merret parasysh sa me siper. Reforma e re tatimore duhet patjetër të shmangë që vështirësitë e borxhit publik të ngarkohen vetem mbi ata tatimpagues që kane qene dhe janë të rregullt, sepse kjo, si çdo përpjekje për nje amnisti tjeter fiskale, do të ndikonte ne përkeqësimin e standardeve të bërit biznes në Shqipëri.
Shpresojmë qe edhe deklaratet permbledhe të misionit të fundit të FMN-së që ka vizituar këto ditë Shqipërinë të përmbajë në rekomandimet për qeverinë edhe ato që shkruhen në këtë shkrim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.