Yield-et e bonove të thesarit 12-mujore pësuan një tjetër rënie në ankandin e kësaj jave, duke iu afruar më shumë se kurrë normës bazë të interesit.
Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar zbriti në 3.28%, nga 3.32% që që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Nga 7.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand arriti në 8.67 miliardë lekë.
Pro rata apo pjesa e pranuar e ofertave konkurruese ishte 54.08%. Megjithatë, edhe në këtë rast ankandi u ndikua nga pjesa e konsiderueshme e bonove të rezervuara për Bankën e Shqipërisë, rreth 2.5 miliardë lekë ose sa një e treta e vlerës totale të emetimit.
Banka e Shqipërisë nuk merr pjesë në ankand me oferta konkurruese, por i blen bonot me yield-in mesatar të ponderuar të kërkesave të tjera të pranuara. Por, megjithëse nuk merr pjesë me oferta konkurruese në ankand, Banka e Shqipërisë e ndikon yield-in, duke marrë me rezervim një pjesë të shumës së shpallur të bonove dhe duke rritur diferencën mes kërkesës dhe ofertës për shumën e mbetur.
Yield-et e bonove 12-mujore janë aktualisht në nivelet më të ulëta që prej tetorit të vitit të kaluar, para rritjes së fundit të normës bazë të interesit. Aktualisht, marzhi mes normës bazë dhe yield-it mesatar të bonove 12-mujore është vetëm 0.03 pikë përqindje, më i ulëti i regjistruar ndonjëherë. Ndërkohë, yield-et e bonove 6-mujore dhe 3-mujore ndodhen poshtë nivelit të normës bazë të interesit.
Rënia e yield-eve të bonove është rezultat i rënies së ndjeshme të pritshmërive për inflacionin dhe kursin e normave të interesit të Bankës së Shqipërisë, por edhe rezultat i gjendjes së qetë dhe likuide të tregut financiar në vend.
Me inflacionin që ka zbritur në 2.2%, tashmë nuk pritet më një rritje e normave të interesit. Përkundrazi, Banka e Shqipërisë ka nisur aplikimin e politikave lehtësuese, të afesuara kryesisht te kursi i këmbimit.
Gjatë muajve maj dhe qershor, banka qendrore ka ndërhyrë në treg për të blerë euro, për të mos lejuar rënien e kursit të këmbimit të monedhës europiane poshtë kufirit të 100 lekëve. Mes të tjerash, një lëvizje e tillë ka rritur likuiditetin në lekë brenda sektorit financiar dhe duket se ka favorizuar edhe më shumë uljen e yield-eve të titujve të borxhit të qeverisë shqiptare.
Rënia e yield-eve po ul paralelisht edhe kostot e kredisë në lekë për sektorin privat, duke favorizuar rritje me ritme mjaft të larta të kreditimit. Për katërmujorin e parë të vitit, kredia e re në monedhën vendase është rritur me 64% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kreditimi i ekonomisë po mbështetet në kërkesën e lartë të lidhur me sektorët e shërbimeve turistike dhe pasuritë e paluajtshme, ndërsa normat e ulëta të interesit të kredive po i bëjnë më të leverdishme investimet e reja. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.