Një numër i lartë i përfituesve të bonusit të bebeve me vlerë nga 40 mijë lekë deri në 120 mijë lekë vijojnë të jenë të posalindurit jashtë Shqipërisë.
Për muajt janar-prill 2023 bonusi i bebeve sipas të dhënave të raportit të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë u përfitua nga 12,123 të porsalindur, me një rënie prej 4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pavarësisht rënies së numrit të përfituesve të bonusit të bebeve, pjesa dërrmuese e tyre shkon për të lindurit jashtë vendit.
Për muajt janar-qershor sipas të dhënave të INSTAT numri i lindjeve ishte 10,283 në 2023. Ndërsa për të njëjtën periudhë të 2022 numri i lindjeve ishte 11,791 bebe.
Bazuar në mesataren mujore të lindshmërisë dhe të përfituesve të bonusit, rreth 43% e bebeve që përfituan shpërblimin kanë lindur jashtë.
Bonusi i bebes është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019 që mbështet familjet nëpërmjet dhënies direkte të çekut me vlerën e 40 mijë lekëve për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë. Bonusi përfitohet për të gjithë fëmijët e regjistruar në Shqipëri, edhe nëse foshnja ka lindur jashtë shtetit, në formën e çekut që tërhiqet nga nëna.
Në total në 4 vjet për periudhën 2019-2022 nga nisja e programit mbështetës për dhënien e bonusit të bebeve, sipas të dhënave të raporteve të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë është shpenzuar nga buxheti i shtetit fondi me vlerë 11,5 miliardë lekë apo rreth 112 milionë euro.
Totali i bebeve përfituese sipas të dhënave të Monitorimit të Ministrisë së shëndetësisë është për 161,943 të porsalindur. Nisur nga numri i lindjeve për vitet 2019-2022 sipas të dhënave të INSTAT është 108,535 lindje, çka rezulton se 33% apo 53,408 bebe përfituese të bonusit jetojnë jashtë.
Për shkak të numrit të lartë të bebeve përfituese jashtë Shqipërisë në muajin maj Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale hartoi projektligjin “Për një shtesë dhe një ndryshim në Ligjin Nr. 57/2019 “Për Asistencën Sociale në Republikën e Shqipërisë”, ku pika 1 e nenit 9 të ligjit përjashton nga përfitimi i këtij bonusi personat që nuk janë rezidentë në Shqipëri.
Projektligji i eshte derguar Kuvendit per miratim. Nder te tjera ne relacion theksohet se pergjate viteve 2019 – 2021, pra me miratimin e këtij programi, janë mbështetur 117 942 fëmijë të lindur brenda ose jashtë vendit.
Për vitin 2022 sipas relacionit janë mbështetur 42 761 fëmijë të porsalindur. Janë shpërndarë 24 504 çeqe për fëmijët e lindur brenda vendit dhe 18 257 çeqe për fëmijët e lindur jashtë vendit. Fondi për zbatimin e këtij programi për vitin 2022 shkoi në vlerën 3 100 000 000 lekë.
“Bazuar në analizën e kryer për përfitueshmërinë e programit dhe të politikës për mbështetjen e familjeve me fëmijë të porsalindur, si dhe vlerësimet e kryera, konstatohet se prindërit e fëmijëve të lindur jashtë Republikës së Shqipërisë përfitojnë pagesa të ngjashme për lindjen e fëmijëve edhe sipas legjislacionit në vendet ku ata jetojnë e punojnë, duke përfituar kështu pagesa (shpërblime) të dyfishta”, citohet ne relacion./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.