Shqipëria po fillon të bëhet një vend tërheqës dhe për turizmin shëndetësor, ku vendin kryesor e zë ai i rregullimit të dhëmbëve dhe më pak shërbimet estetike. Sipas të dhënave të INSTAT, 200-400 persona kanë ardhur për trajtim shëndetësor në vend, çdo tremujor, duke shënuar gati një dyfishim në raport me një vit më parë.
Vitet e fundit vendet e rajonit (Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia) përfshirë Shqipërinë janë vënë në një garë të ethshme për këtë lloj turizmi.
Sipas studimeve, ppersonat e gapersonat e gatshëm për të udhëtuar për shërbimet dentare apo trajtimet estetike kanë si kriter parësor për vendimin e tyre cilësinë e lartë të shërbimit, koston e ulët dhe pajisje me teknologji të përparuara.
Drejtuesit e klinikave më të mëdha të stomatologjisë në kryeqytet tregojnë se pacientët e tyre kanë mbetur të kënaqur me raportin cilësi-çmim dhe kanë sjellë edhe të afërmit për trajtime. Po të bëjmë një krahasim edhe me vendet e rajonit të Ballkanit, çmimet e shërbimeve në Shqipëri janë dukshëm më të ulëta.
Dorian Hysi, kryetar i Shoqatës Dentare Shqiptare, tregon se “të huajt vijnë veçanërisht për trajtimet kirurgjikale si implantet”. Implantet në vendin tonë bëhen për një kosto 500-600 euro, ndërkohë që në Itali kushtojnë 1500 euro. Në Serbi, për të njëjtin trajtim duhet të paguani 800-100 mijë euro.
Për edhe në kirurgjinë estetike, kostot luhaten nga ato më të ulëtat se në Serbi apo në vendet fqinje (të cilat nuk janë destinacion për të huajt) deri në kosto më të larta. Një implant i gjirit në Britani kushton 4 mijë deri në 6 mijë euro. Në Serbi çmimi i këtij trajtimi është rreth 2.5 mijë euro. Çmimi më i lartë për këto lloj ndërhyrjesh në Britaninë e Madhe mund të shkojë deri në 30 mijë euro, ndërsa në Serbi, vlera maksimale është rreth 4 mijë euro. Në vendin tonë, kostoja më e lartë e trajtimit të gjirit arrin në 7 mijë euro. Një vlerë e tillë do të ishte e mirëpritur nga europianët që shpenzojnë dhjetëra mijëra euro. Por, specialistët e fushës së shërbimeve dentare e estetike, janë më pak të sigurt për zhvillim e këtij lloj turizmi krahasuar me specialistët serbë të këtyre fushave.
Megjithatë, stomatologët shqiptarë (për të cilët vijnë më shumë të huaj, krahasuar me trajtimet estetike) mendojnë se imazhi për Shqipërinë si një destinacion i turizmit shëndetësor nuk ka marrë ende një formë të caktuar.
Pavarësisht rritjes në 2012-n, përqindja e të huajve që vijë në Shqipëri për trajtim mjekësor në raport me totalin e të huajve që hyjnë në vend mbetet e papërfillshme.
Në total, në Shqipëri hynë në 2012-n 3.5 milionë të huaj. Më pak se gjysma e tyre vijnë për pushime, ndërkohë që shumica e tyre vijnë për qëllime të tjera.
Burimi: INSTAT
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.