Turizmi duket se ka marrë fokusin kryesor sa i takon projekteve të përmirësimeve apo zgjerimit të aksesit për të rritur potencialin e zonave ku ndodhen pasuritë natyrore dhe kulturore.
Një ditë pas çeljes së procedurës për rrugët në zonën e Velipojës Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi në sistemin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dy procedura të tjera të lidhura me projektin që mbështet kjo e fundit.
Këtë herë bëhet fjalë për projektin e parë “Rritja e ofertës turistike të zonave natyrore në qarkun e Beratit, duke përmirësuar aksesueshmërinë dhe infrastrukturën turistike në zonën e parkut të Tomorrit”.
Sipas informacionit shtesë të vënë në dispozicion pozicioni gjeografik i zonës së projektit, Qyteti i Beratit ndodhet në pjesën jugore të Shqipërisë. “Zona e projektit ndodhet në një terren malor në pjesën jugore të Shqipërisë, më saktë në perëndim të malit të Tomorit. Mali i Tomorit ka një gjatësi prej 16 km nga veriu në jug dhe një gjerësi që varion nga 3 në 10 km nga lindja në perëndim.
Ndodhet midis Sotirës në veri, rrafshnaltës së Beratit në perëndim, lumit të Tomorricës në lindje dhe lumit Osum dhe qytetit të Çorovodës në jug. Ky projekt përbëhet nga: 1. Rikonstruksioni dhe ndërtimi i ri i aksit rrugor nga kryqëzimi i rrugës Berat-Polican në fshatin Vodice deri në fshatin Dardhë, me gjatësi 15.2 km. 2. Restaurimi dhe Zgjerimi i Çcesmës së Tarikos, Tomorr” thuhet në faqen e BERZH.
Ndërkohë projekti i dytë është ai për përmirësimin e potencialit të Turizmit Kulturor nëpërmjet Ndërtimit të Muzeut të Ri të Lundrimit në Shkodër ku procedura e prokurimit është paraprake. Për projektin në fjalë nuk jepen shumë informacione shtesë duke e bërë atë pjesë të një pakete të plotë ndërhyrjesh që po bëhen në Shkodër.
Këto procedura janë pjesë e projektit për përmirësimin e infrastrukturës në zonat turistike që po zbatohet prej disa vitesh dhe që ka një vlerë prej 40 milionë euro të financuara nga grante dhe kredi të Bashkimit Europian, BERZH por edhe kontribut nga buxheti i shtetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.