Taksa prej 10 euro që mblidhet nga TIA ( Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ) për pasagjerët që udhëtonin me charter është hequr. Lajmi konfirmohet nga Shoqata Shqiptare e Turizmit e cila prej kohësh kishte artikuluar nevojën për ta hequr këtë taksë, si një tjetër masë lehtësuese për operatorët turistikë ( pas kërkesës së përsëritur për përshkallëzimin e TVSH-së në këtë sektor). Taksa e charter-ve prej 10 eurosh zbatohej që prej vitit 2005. Ekspertët e turizmit thonë se kjo ishte një taksë rutinë që askush nuk e dinte se përse qëndronte dhe që rriste jo pak koston e turizmin, me 10 euro për paketë. Operatorët turistikë thonë se me heqjen e kësaj takse, vendimi për të cilën ende nuk është botuar në Fletoren Zyrtare, paketat turistike do të reflektojnë një fare uljeje. Shqipëria kishte mbetur pas në heqjen e kësaj takse, duke qenë se Kosova e ka bërë këtë që në vitin 2009.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.