Bumi i investimeve në energjinë diellore që sidomos pati nxitje si efekt i krizës energjetike 2021-2022 po vijon të mbetet i lartë.
Investimet përfshijnë projekte për vetëkonsum, por sidomos për shitje të energjisë në tregun e lirë.
Ndërtimi i impianteve si fotovoltaikë por edhe eolikë kërkon sipërfaqe të konsiderueshme toke, diçka që mund të ezaurojë tokat e destinuara për aktivitet bujqësor. Një vendim i fundit i qeverisë përcakton kriteret që duhet të ketë toka që mund të përdoret për instalimin e impianteve dhe njëkohësisht të mos e ndikojë aspektin e prodhimit bujqësor.
Kështu vendimi përcakton kriteret për ushtrimin e aktivitetit të prodhimit të energjisë së rinovueshme agrifotovoltaike në tokat bujqësore me bonitet 7 dhe 8, dhe eolike në tokat bujqësore me bonitet deri në 8 janë:
a)Ushtrimi i aktivitetit bujqësor të jetë në mënyrë të pandërprerë për çdo vit. Para aplikimit për pajisjen me të drejtën e ndërtimit të burimit rigjenerues në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, investitori paraqet për miratim në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural planin e biznesit, ku përcaktohen kulturat bujqësore, tipike të zonës, që kultivohen, prodhimi bujqësor në sasi dhe informacion, për plotësimin e kritereve të tjera.
Plani i biznesit dhe miratimi nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural depozitohen në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në momentin që investitori aplikon për pajisjen me të drejtën e ndërtimit të kapacitetit të ri gjenerues, sipas legjislacionit përkatës;
b) Sistemet e paneleve fotovoltaike, që do të instalohen në tokë bujqësore, me bonitet 7 dhe 8, të përfshijnë një sistem të integruar, të sigurojnë raportim të parametrave të përdorimit të ujit, shëndetin e kulturave të mbjella, ruajtjen e shëndetit të tokës bujqësore nëpërmjet zbatimit të një praktike të mirë bujqësore, sipas përcaktimit të nenit 16, të ligjit nr. 9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar;
c) Instalimi i moduleve fotovoltaike të ndjekë drejtimin e punimit të mekanizuar të tokës dhe të mos pengojë përdorimin e mekanikës, duke respektuar këto kritere: largësia e moduleve të vendosura në drejtimin e punimit të tokës të jetë jo më pak se 4 (katër) metra; ii. largësia e rreshtave të moduleve fotovoltaike të jetë jo më pak se 4 (katër) metra; iii. lartësia e moduleve fotovoltaike të jetë jo më pak se 3 (tre) metra; iv. tërësia e sipërfaqes së moduleve, që prodhojnë energji të rinovueshme, të jetë jo më e madhe se 40% e tërësisë së sipërfaqes së parcelës ku vendosen panelet;v. në rastin e vendosjes vertikale të moduleve, të respektohet largësia e rreshtave në gjatësi të parcelës,jo më pak se 7 (shtatë) metra;
ç) Sipërfaqja e tokës në dispozicion të aktivitetit bujqësor nuk mund të jetë më pak se 60% e saj;
d) Instalimet e infrastrukturës së vendosjes së paneleve të jenë të çmontueshme dhe të mos përdoren materiale, të cilat dëmtojnë tokën; dh) Sipërfaqja e moduleve fotovoltaike në tokë bujqësore për aktivitet agrofotovoltaik të lejojë jo më pak se 60% dritë në të mbjella, duke siguruar diellzimin e nevojshëm për kulturat bujqësore;
e) Prodhimi bujqësor të mos jetë më i vogël se 70% e prodhimit bujqësor, para instalimit të paneleve ose rendimentit të referencës, i cili llogaritet duke përdorur mesataren trevjeçare, në rang bashkie. Në rastet e mungesës së të dhënave të prodhimit bujqësor, përdoren të dhënat që publikohen nga agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor dhe të konfirmuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bazuar në bonitetin e tokës bujqësore.
Kriteret për eolikët
Vendimi përcakton se gjithashtu kriteret për ushtrimin e aktivitetit për ndërtimin e infrastrukturës dhe veprave ndihmëse për zhvillimin, prodhimin, tregtimin, shfrytëzimin, operimin, shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme eolike në tokat bujqësore, me bonitet deri në 8
a) ushtrimi i aktivitetit bujqësor të jetë në mënyrë të pandërprerë për çdo vit, bazuar në planin e biznesit;
b) largësia e turbinave eolike të jetë jo më pak se 200 (dyqind) metra;
c) sipërfaqja e tokës në dispozicion të aktivitetit bujqësor nuk mund të jetë më pak se 70% e saj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.