“Thinking Machines” i Mira Muratit në bisedime për financim me vlerësim 50 miliardë dollarë

Thinking Machines Lab, startup-i i inteligjencës artificiale i themeluar nga ish-ekzekutivja e OpenAI, shqiptarja Mira Murati, është në bisedime të hershme për të siguruar një raund të ri financimi me një vlerësim rreth 50 miliardë dollarë, sipas personave të njohur me çështjen.
Financimi i ri, i cili nuk është raportuar më parë, do të katërfishonte vlerësimin e startup-it nga korriku dhe do ta ngjiste Thinking Machines në radhën e kompanive private me vlerësimin më të lartë, më pak se një vit pas publikimit të saj.
Kushtet e marrëveshjes ende nuk janë finalizuar dhe mund të ndryshojnë, thanë personat që folën në kushte anonimiteti për të diskutuar informacione private. Ndërsa disa thanë se startup-i synon një vlerësim rreth 50 miliardë dollarë, të tjerë thanë se ai mund të ngjitet në 55 miliardë ose 60 miliardë dollarë.
I prezantuar në shkurt, Thinking Machines synon të ndërtojë modele të inteligjencës artificiale, si dhe produkte që ndihmojnë bizneset duke mbështetur më shumë “bashkëpunim njeri-IA” në çdo fushë të punës. Murati, një ekzekutive me eksperiencë që më parë ka qenë drejtuese e teknologjisë (CTO) në OpenAI, punësoi dhjetëra punonjës nga krijuesi i ChatGPT në startup-in e saj. Lista përfshin John Schulman, bashkëthemelues të OpenAI, dhe Barret Zoph, ish-nënkryetar i kërkimit të kompanisë.
Në korrik, startup-i i Muratit njoftoi një nga raundet më të mëdha të investimit fillestar ndonjëherë, duke siguruar 2 miliardë dollarë me një vlerësim prej 12 miliardë dollarësh. Disa muaj më vonë, Thinking Machines publikoi produktin e saj të parë, Tinker, që u jep përdoruesve një mënyrë më të thjeshtë për të personalizuar modelet gjuhësore të mëdha.
Grupet në universitete si Princeton dhe Stanford kanë përdorur Tinker, i cili ka marrë reagime pozitive nga disa prej përdoruesve të parë në komunitetin e kërkimit të IA. Sipas personave të njohur me çështjen, kompania ka gjithashtu klientë biznesi që e përdorin produktin me pagesë.
Murati nuk është ish-ekzekutivja e vetme e OpenAI që ka tërhequr interes të fortë nga investitorët. Ilya Sutskever, ish-shef i shkencës në OpenAI, nisi një laborator kërkimor sekret të quajtur Safe Superintelligence Inc., i cili së fundmi vlerësohej me 32 miliardë dollarë. Ndërsa Liam Fedus, ish-nënkryetar në OpenAI, tani drejton startup-in Periodic Labs, i vlerësuar me 1.3 miliardë dollarë.
Përveç shërbimit si CTO e OpenAI, Murati ka qenë për pak kohë edhe drejtore ekzekutive e përkohshme pas largimit të Sam Altman. Ajo u largua nga kompania në fund të vitit 2024, pas një periudhe trazirash që pasuan rikthimin e Altman. Disa punonjës të OpenAI e ndoqën atë pak më vonë.
Ashtu si startup-et e tjera kryesore të IA, laboratori i Muratit po përballet me një luftë të ashpër për talent. Muajin e kaluar, bashkëthemeluesi i Thinking Machines, Andrew Tulloch, u largua për t’u bashkuar me Meta Platforms Inc., e cila u ka ofruar studiuesve të IA paketa pagash me vlera multimilionëshe. / Bloomberg
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









