Telashet në Moskë
Vladimir Putin ka kaluar nga autokracia në diktaturë. Dhe rusët, në të gjithë vendin, po e ndiejnë efektin, shkruan The Economist
Më 14 tetor, Twins Garden, në Moskë, ishte ndër restorantet e para ruse që u vlerësua me yje nga Michelin, një kompani që vlerëson restorantet më të mira në botë. Për të festuar këtë rast, restoranti serviri për klientët e tij më të mirë, shampanjë Bollinger, shoqëruar me një sërë gatimesh speciale, nga “iriqët e detit me qitro dhe gjethe shiso” tek “kallamarët me havjar të zi”.
Nga tarraca e restorantit me pamje nga sheshi Pushkin, të ftuarit mund të mrekulloheshin, duke parë horizontin e bukur të Moskës. Poshtë tyre, këmbësorët shëtisnin përgjatë rrugëve të shtruara, të mbushura me kafene dhe dyqane të shtrenjta, ose nxitonin për në teatrin Balshoi, për të parë operën e re “Tosca”. Motorët që dorëzonin ushqime, nxitonin sa andej-këtej për të plotësuar nevojat e atyre që po qëndronin në shtëpi, ose që kishin ngecur në zyrë.
Teksa qëndronin në tarracë, klientët e restorantit mund të kenë dalluar, më pak se një kilometër larg, edhe ndërtesën ku ndodhet Memoriali, organizata më e vjetër ruse për të drejtat e njeriut, e cila asokohe ishte sulmuar nga një grup banditësh me maska.
Disa prej tyre, të shoqëruar nga ekipe të televizionit shtetëror, hynë në ndërtesë ndërkohë që po shfaqej filmi “Mr Jones”, i regjisores polake Agnieszka Holland, që flet për urinë që shkaktoi Stalini në Ukrainë, në fillim të viteve 1930. Banditët hynë me dhunë brenda, duke ngritur grushtet në ajër dhe duke bërtitur me të madhe “turp”, “fashistë” dhe se ç’thanë diçka për Gëbelsin. Policët, pasi mbërritën në vend, mbyllën me pranga dyert e ndërtesës, duke e kyçur stafin brenda, deri në orët e para të mëngjesit.
Në vitin 1987, kur u themelua Memoriali për të dokumentuar shtypjet e epokës së Stalinit, shteti mbante rreth 200 të burgosur politikë. Sot, sipas raporteve të Memorialit, Rusia ka të paktën 410 të burgosur politikë. Në të njëjtën ditë kur u dhanë yjet nga Michelin, Vyacheslav Egorov, një aktivist që kishte protestuar kundër groposjeve të mbeturinave në një qytet historik pranë Moskës, u dënua me 15 muaj burg.
Disa ditë më parë, Sergei Zuev, drejtori i Shkollës së Shkencave Sociale dhe Ekonomike të Moskës (e njohur me emrin Shaninka), një nga universitetet kryesore të pavarura të vendit, u mor me forcë nga shtrati i spitalit dhe u dërgua në një qeli burgu. Universiteti tani rrezikon të mbyllet fare. Pasi u lirua dhe mori trajtim kardiak, ai u burgos sërish më 9 nëntor.
Më 27 tetor, Gleb Maryasov, aktivist liridashës, u dërgua në një koloni penale për dhjetë muaj, sepse kishte bllokuar rrugët gjatë një proteste në janar. Më 29 tetor, ditën kur përkujtohen viktimat e shtypjes nga Stalini, katër Tatarë të Krimesë, u dënuan me 12-17 vjet burg. Pothuajse çdo ditë, ka njerëz që gjobiten ose burgosen, sepse konsiderohen zyrtarisht “të padëshiruar” ose shpallen “agjentë të huaj”. I tillë është shpallur edhe Memoriali. Ky institut, ashtu si çdo organizatë publike që konsiderohet nga shteti si “agjent i huaj”, është i detyruar që të hapë çdo ankesë publike, me këto fjalë:
KY MESAZH (MATERIAL) KRIJOHET DHE/OSE SHPËRNDAHET NGA NJË MEDIA E HUAJ QË KRYEN FUNKSIONET E NJË AGJENTI TË HUAJ DHE (OSE) NJË PERSON JURIDIK RUS NË FUNKSION TË NJË AGJENTI TË HUAJ.
Numri në rritje i të burgosurve politikë – tetë herë më shumë se gjashtë vite më parë – nuk është krejt një rikthim në normën sovjetike. Por banorët e Berlinit në fund të viteve 1930, do të mendonin se të dyja epokat kanë mjaft të përbashkëta.
Jehona e asaj epoke është e dukshme në retorikën zyrtare të Rusisë rreth armiqësisë dhe nacionalizmit perandorak. Ajo mund të dallohet gjithashtu në imazhet mediatike që lartësojnë një trup mashkullor të bukur, duke inkurajuar një jetë të shëndetshme dhe njëkohësisht në ngritjen e ligjeve kundër propagandës homoseksuale.
Jehona e vjetër ndihej edhe në një fjalim të fundit nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili lavdëroi “vlerat shpirtërore dhe traditat historike” të vendit, duke denoncuar dekadencën e liberalizmit perëndimor. Zoti Putin shfrytëzoi rastin për të lavdëruar Ivan Ilyin, një filozof, i cili në vitet 1920, përqafoi fashizmin italian si një model për Rusinë.
Ndalimi i lirive
Për pjesën më të madhe të sundimit të tij, Putin është identifikuar më tepër me kleptokracinë, mashtrimin dhe cinizmin, sesa me një ideologji koherente shtetërore të rrënjosur thellë në jetën e përditshme, si në epokën e Bashkimit Sovjetik. Gjatë dekadës së tij të parë në pushtet, në vitet 2000, rritja ekonomike e vendit (pjesa më e madhe e saj në dobi të miqve të tij dhe ish-kolegëve të KGB-së), i siguroi deri diku mbështetjen e nevojshme për të qëndruar në pushtet.
Në dekadën e dytë, kur rritja ekonomike u zbeh dhe shpërthyen protestat në qytetet e mëdha, propaganda nacionaliste dhe anti-amerikanizmi u bënë më të theksuara. Aneksimi i Krimesë në vitin 2014 dhe lufta në Ukrainë, i mbajtën njerëzit nën gjemba, të emocionuar dhe të prirur për të mbajtur anën e shtetit.
Edhe atëherë kishte shtypje, por elita ruse në pushtet ishte më e interesuar për pasurinë, sesa për dhunën. Rusët që pëlqejnë letërsinë, mund të ngushëlloheshin me vargjet e poemës “Letra për një mik romak” nga Joseph Brodsky: “Ju më thoni se prokurorët janë të gjithë grabitës, por unë do të zgjidhja një grabitës, në vend të një vrasësi”.
Regjimi i Putinit tani po e vë në diskutim edhe këtë dallim. Kreu i opozitës Alexei Navalny, i cili u helmua në gusht 2020 dhe u burgos këtë vit, shkroi kohët e fundit nga qelia e tij e burgut: “Një zyrtar që merr ryshfet dhe një polic që mbulon kokën e një të burgosuri të lidhur pas një karrigeje, nuk kanë asnjë dallim dhe janë i njëjti person. Ligji i këtij personi është epërsia e të fortit ndaj të dobëtit. Epërsia e interesave të një korporate mbi të drejtat e individit. Gatishmëria për të kryer krime si një akt besnikërie”.
Grigory Okhotin nga OVD-Info, një media dhe organizatë për të drejtat e njeriut që monitoron shtypjen politike dhe ofron ndihmë ligjore për viktimat e saj, vëren një ndryshim në taktikat qeveritare të Putinit. Më parë, qeveria donte t’i përmbante dhe t’i pengonte kërcënimet politike. Tani ajo dëshiron t’i eliminojë fare ato. Pushteti politik është zhvendosur nga teknokratët civilë, tek “sekurokratët” e militarizuar, që nuk e kanë aspak problem dhunën. Regjimi ka kaluar nga një autokraci konsensuale dhe propagandë, në një diktaturë që mbështetet në shtypje dhe frikë.
Ky aspekt i pushtetit të Putinit ka rrënjë të thella. Në vitin 2015, u vra Boris Nemtsov, një politikan liberal i opozitës. Pasi kishte paralajmëruar për rrezikun vdekjeprurës të korrupsionit të Putinit, ai iu nënshtrua një fushate urrejtjeje, përpara se të qëllohej për vdekje në një urë pranë Kremlinit.
Por që nga vera e vitit 2020, kjo praktikë është aplikuar më gjerësisht. Sipas një sondazhi nga Qendra Levada, gjithashtu e konsideruar një “agjent i huaj”, frika nga shtypja, që tani ndihet nga 52% e popullsisë së Rusisë, dhe nga dhuna shtetërore (58%), ka arritur një nivel rekord, më të lartë se frika e humbjes së vendit të punës, varfërisë apo goditjes nga fatkeqësitë natyrore.
Sulmet politike ndaj pushtetit janë ndaluar. Organizata e zotit Navalny është shtypur dhe është shpallur “ekstremiste”. I gjithë ekipi i tij është dëbuar me forcë nga vendi, ndërsa të afërmit e tyre që kanë mbetur në vend, ngacmohen dhe persekutohen vazhdimisht. Babai i Ivan Zhdanov, një koleg i ngushtë i zotit Navalny, u hodh në gjyq në tetor. Më 9 nëntor, Liliya Chanysheva, politikane 39-vjeçare që drejtonte një nga zyrat rajonale të Navalny, u arrestua me akuzën për “ekstremizëm”. Ajo mund të dënohet me dhjetë vite burgim.
Open Russia, një organizatë pro-demokratike e financuar nga Mikhail Khodorkovsky, ish-miliarder dikur i burgosur dhe më pas i dëbuar nga vendi, është shpallur “e padëshiruar” dhe është detyruar të mbyllet. Ish-shefi i saj, Andrei Pivovarov, po përballet me gjashtë vite burgim për disa postime në Facebook. Me mijëra njerëzve u mohohet e drejta për të kandiduar në zgjedhje, për shkak të akuzës si “agjent i huaj”.
Një shembull i tillë është Violetta Grudina, e cila dikur ka punuar për zotin Navalny. Pasi organizata e zotit Navalny u mbyll, ajo vendosi të kandidonte si kandidate e pavarur në zgjedhjet lokale. Zyra e saj u vandalizua, ajo u detyrua të shtrohej në një spital për t’u kuruar nga Covid-19 dhe më pas u skualifikua nën akuzën se ishte pjesë e një “organizate ekstremiste”.
Këto goditje nga shteti nuk kanë qenë aq të ashpra sa ato të mëparshmet në epokën e Bashkimit Sovjetik. Regjimi nuk ka përdorur forcë vdekjeprurëse – të paktën jo zyrtarisht. Shumë njerëz janë lejuar, madje edhe janë nxitur, që të largohen nga vendi. Ky nuk është një likuidim, as një tirani e ndërtuar mbi kultin e individit.
Përkundrazi, është një mjet për të ruajtur pushtetin përballë rënies së popullaritetit dhe legjitimitetit. Kjo taktikë është e ngjashme me atë të Aleksandër Lukashenkos në Bjellorusinë fqinje. Ajo nuk mbështetet në mobilizimin masiv të njerëzve. Qëllimi është që populli të shtypet, jo të mobilizohet me një ideal të përbashkët.
Ndoshta këtë herë
Qasja e Putinit ndaj masave nuk është aq e lehtë sa dikur. Ai erdhi në pushtet falë televizionit, i cili më pas e ndihmoi të konsolidonte kontrollin e pushtetit. Publiku ishte i varur nga mediat mbi të cilat Putin kishte krijuar monopol. Çdo gjë që nuk transmetohej në televizion, nuk ekzistonte, çka ishte një lajm i keq për figurat e opozitës. Por edhe ato gjëra që nuk ekzistonin, mund të sajoheshin dhe të transmetoheshin atëherë kur ishte e volitshme, si në rastin e “fashistëve” ukrainas në Krime.
Rritja e popullaritetit të celularëve smartphone, ndryshoi gjithçka. Deri në vitin 2018, 80% e popullsisë përdorte internetin dhe 82% e personave të moshës 18 deri në 44 vjeç, shikonin YouTube. Sipas një raporti të fundit nga Liberal Mission, një think-tank, konsumi i televizionit, radios dhe gazetave është zvogëluar nga 70% në 45%, që nga mesi i viteve 2010, ndërsa burimet online janë rritur nga 18% në 45% (shih grafikun 1).
Në të njëjtën periudhë, besimi te Putin ka rënë nga 60% në 30%. Në vitet 2000, të rinjtë ishin ndër mbështetësit më besnikë të Putinit. Kjo tani ka ndryshuar (shih grafikun 2), dhe jo vetëm për shkak të qasjes online. Të rinjtë ndiejnë më shumë neveri ndaj korrupsionit, që i privon ata nga perspektiva, dhe kanë një pikëpamje më pozitive mbi Europën dhe Amerikën.
Ata po i përçmojnë gjithnjë e më shumë ndërhyrjet e shtetit në jetën personale dhe po vlerësojnë gjithnjë e më tepër të drejtat e njeriut. Por interneti pa dyshim që ka ndihmuar në forcimin e këtyre ndjenjave dhe bashkimin e njerëzve që ndajnë këto pikëpamje.
Një mënyrë për të interpretuar këtë ndryshim, është duke krahasuar tre valët e protestave në periudhat 2011-‘12, 2017 dhe 2019. Protestat e viteve 2011-‘12, më të mëdhatë deri në atë kohë, ishin një përgjigje ndaj zgjedhjeve që u konsideruan të manipuluara dhe ndaj rikthimit të Putinit. Ato ishin protesta politike të nxitura nga ngjarjet politike.
Protestat e ardhshme me përmasa të ngjashme, në vitin 2017, u shkaktuan nga një video në YouTube, që raportonte mbi korrupsionin e Dmitry Medvedev, asokohe kryeministër i Rusisë. Video u krijua nga zoti Navalny dhe u pa nga 4.5% e rusëve brenda dy javësh. Popullariteti i zotit Medvedev ra me dhjetë për qind. I inkurajuar nga kjo përgjigje, Navalny u bëri thirrje njerëzve të dilnin të protestonin në rrugë, dhe ashtu ndodhi.
Analisti politik, Kirill Rogov, argumenton se “kërcënimi më i madh për regjimin nuk janë protestat në vetvete, por reagimi i shoqërisë”. Mbi këtë bazë nisën edhe protestat e vitit 2019. Pasi vetë u ndalua, Navalny emëroi aleatë për të kandiduar në zgjedhjet lokale të Moskës.
Kur Kremlini i bllokoi, njerëzit protestuan në rrugë dhe autoritetet u përgjigjën me dhunë. Pas protestave të vitit 2017, 40% e publikut mbështeste policinë dhe vetëm 27% mbështeste protestuesit. Në vitin 2019, 41% mbështesnin protestuesit dhe ishin kundër dhunës së policisë. Kremlini humbi gati gjysmën e vendeve në këshillin e qytetit. Për herë të parë, protestuesit morën mbështetje të vërtetë.
Kjo nuk do të thotë se po fitonin. Edhe pse Navalny kishte mbështetje në Moskë dhe në disa vende të tjera, vetëm 20% e rusëve e pëlqenin atë. Por tashmë, 80% e dinin se kush ishte. Kështu kishte humbur një nga asetet kryesore të çdo autokracie – mungesa e dukshme e ndonjë alternative. Elita ruse nisi të flasë për kalim pushteti. Kështu zoti Putin ndryshoi Kushtetutën për t’i mundësuar vetes të qëndrojë në pushtet për një kohë të pacaktuar dhe e përforcoi këtë ndryshim me shtypje
Kjo ka qenë kryesisht një strategji parandaluese. Shumë rusë besojnë në videot e postuara nga Navalny që tregojnë shkallën e korrupsionit të regjimit dhe mendojnë se ai është një njeri i guximshëm, por pak veta janë mjaftueshëm të përkushtuar për të bërë diçka që të ndryshojnë situatën.
Pikërisht këtë gjendje dëshiron të ruajë Putin. Dallimi në trajtimin e të arrestuarve gjatë protestave të vitit 2019 dhe të arrestuarve pas kthimit të zotit Navalny në janar, tregon ndryshimin dhe frikën e njerëzve në pushtet. Në vitin 2019, shumica dërmuese u liruan shpejt duke marrë vetëm gjobë, ndërsa në vitin 2020, afërsisht gjysma e 11,000 të arrestuarve u mbajtën të burgosur deri në dy javë. Më shumë se 130 raste penale janë nisur më pas, sipas OVD-Info.
Teknologjia e njohjes së fytyrës gjithashtu i lejoi policisë të bënte arrestime disa javë apo edhe disa muaj më vonë pas protestave, gjë që shton ankthin e njerëzve. Zoti Okhotin nga OVD-Info, argumenton se një ankth i tillë është bërë një instrument i rëndësishëm shtypjeje.
Po kështu edhe cinizmi i burgosjes së protestuesve gjatë pandemisë për “shkeljen e kufizimeve epidemiologjike”, në një vend ku 80,000 njerëz mund të mblidheshin në stadiumin Luzhniki të Moskës, për të brohoritur zotin Putin. Nëse zoti Navalny u përpoq të frymëzonte një ndjenjë lirie, Kremlini i zhyti ata përsëri në një gjendje pafuqie.
Në vitin 2019, Putin nënshkroi një ligj për “internetin sovran”, i cili i detyronte ofruesit e internetit të instalonin pajisje të posaçme që i lejojnë shtetit të bllokojë, filtrojë dhe ngadalësojë faqet online. Gregory Asmolov, një ekspert i internetit në King’s College në Londër, thotë se qëllimi nuk është të ndërtohet një firewall i stilit kinez, por të ndikohet në zgjedhjet e njerëzve. Nëse njerëzit nuk e dinë se çfarë u mungon, ata nuk do ta kërkojnë atë.
Kremlini ka kufizuar “influencuesit” dhe mediat e pavarura që ushqejnë interesin për politikën, ndërkohë që ka tërhequr përdoruesit e internetit drejt rrjeteve lokale të mediave sociale dhe platformat e videove që janë të lehta për t’u kontrolluar. Shërbimet ndërkombëtare janë ngarkuar me gjoba dhe pengohen me shpejtësi të ngadaltë online, duke e bërë ndarjen e videove pothuajse të pamundur. Shumica e figurave të opozitës ruse besojnë se brenda dy viteve, YouTube nuk do të jetë më i disponueshëm në Rusi.
E nesërmja më përket mua
Tani për tani, Kremlini duket se ka arritur t’i shtypë njerëzit me sukses, duke shkaktuar kështu mjaftueshëm frikë se më e keqja nuk ka ardhur ende. Shtypja nuk kufizohet vetëm në arritjen e synimeve politike të Kremlinit; ata që janë afër Putinit janë në gjendje ta përdorin këtë makineri për qëllimet e tyre.
Dhe sekurokratët e Rusisë nuk do të bëjnë gati valixhet dhe të shkojnë në shtëpi, kur kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme dhe në rritje të shpenzimeve publike. Më shumë se 10% e buxhetit kombëtar shpenzohet për sigurinë e brendshme. Ka një të tretën më shumë punonjës policie dhe sigurie, sesa ushtarë aktivë.
Mariya Omelicheva nga Kolegji Kombëtar i Luftës në Uashington, D.C., tregon për një tjetër dinamikë që e quan “kurthi i shtypjes”. Zgjerimi i rolit të shërbimeve të sigurisë përforcon perceptimin e Kremlinit për kërcënimin brenda dhe jashtë vendit, duke justifikuar më shumë shtypje. Për sa kohë që regjimi mbështetet në demonizimin e të huajve – dhe “agjentëve të huaj” – ky kurth duket se do të vazhdojë të forcohet.
Protestuesit e dinë se njerëzit e kuptojnë korrupsionin e regjimit. Sipas një sondazhi nga Levada, 55% e konsideruan bindëse videon që zoti Navalny postoi në YouTube, mbi korrupsionin e dukshëm të Putinit. Por ata gjithashtu e kuptojnë se kjo në vetvete nuk do t’i ndryshojë gjërat, të paktën jo shpejt. Vetëm 17% thanë se video ndryshoi për keq mendimin e tyre për zotin Putin. Duket se një pjesë e mirë e popullsisë e konsiderojnë këtë gjendje një pjesë të pandryshueshme të realitetit në Rusi.
Në prag të protestës së fundit të madhe në prill, në një kafene të Moskës të ndezur me qirinj, anëtarët e shërbimit të inteligjencës u ulën rreth tavolinave të vogla, duke u përgatitur për arrestimet në protestën e nesërme. Tatiana Gnedovskaya, një eksperte arti, këndoi për ta.
Zakonisht ajo këndon këngë ruse romantike. Megjithatë, atë mbrëmje, ajo e mbylli repertorin me këngë që këndoheshin në klubet e natës në Gjermaninë e viteve 1930. Askush nuk kishte nevojë të pyeste pse. “Ne gjithashtu kemi një parandjenjë se do të vijnë kohë më të errëta”, tha ajo, “por vazhdojmë të jetojmë dhe të shijojmë jetën sa të mundemi”./ Përktheu: Lira Muça
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.