Me sytë nga bankat…
Dy vitet e fundit, bankat nuk kanë arritur që të bëhen një faktor nxitës në ekonominë e dobësuar, teksa sidomos në 2012-n “dështuan” që të luanin rolin e tyre kryesor: atë të ndërmjetësimit në ekonomi, përmes mbledhjes së kursimeve të shqiptarëve (kryesisht individë) dhe dhënies së huave kryesisht për biznese, apo dhe për individë. Kjo, ndonëse niveli i depozitave në sistem vijon të jetë i kënaqshëm, duke bërë që bankat të mos vuajnë nga likuiditetet.
Gjatë dy viteve të fundit ritmet e rritjes së huadhënies janë ulur ndjeshëm, për të zbritur në 2% në 2012, niveli më i ulët i zgjerimit që prej viteve 2000, kur sistemi bankar filloi të bëhej një aktor i rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Gjatë dekadës së fundit, privatizimi i dy bankave më të mëdha (BKT dhe Bankës së Kursimeve, sot Raiffeisen), hyrja e kapitalit të huaj nga banka të njohura perëndimore dhe zgjerimi i bankave me kapital vendas bënë që sistemi të vihej në pararojë të zhvillimeve financiare në vend. Huadhënia njohu ritme të larta rritjeje, me zgjerim mbi 50% me bazë vjetore në periudhën 2005-2007.
Ishte e natyrshme një ulje e ritmeve të dhënies së kredive pas 2008-s, kur ekonomia shqiptare nisi të ndiente fillimisht pasojat e krizës financiare globale dhe më pas të asaj të borxheve kombëtare në Europë, që bënë që kriza të ulej këmbëkryq edhe në Shqipëri. Ekonomia filloi të ngadalësohej me shpejtësi, duke zbritur nga gati 8% në 2008-n, në 1.6%, sipas të dhënave paraprake, vitin e kaluar. Bankat nga ana e tyre u përballën me një rritje të huave me probleme, – që aktualisht po i afrohen nivelit prej 24%,- rënie të kërkesës për hua nga bizneset, si dhe ajo që dha ndikimin më të madhe ishin kërkesat më të ashpra nga bankat mëmë me kapital perëndimore, që bënë që bankat më të mëdha në vend pothuajse të ndalnin kredidhënien.
Të gjitha këto e çuan sistemin në një ngërç, që ka vazhduar edhe në dy muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave të publikuara deri më tani. Bankat po tregohen pasive, në një moment që ekonomisë i duhen likuiditetet dhe financimet më shumë se kurrë.
Së fundmi, Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur për një paketë masash, që synojnë krijimin e hapësirave të nevojshme për rritjen e kreditimit në ekonomi, duke ruajtur njëkohësisht ekuilibrat makroekonomikë (për më shumë detaje shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës). Ndërsa një pjesë e rëndësishme e paketës lidhet me ndryshime rregullatore, që janë kompetenca të bankës qendrore, një element shumë i rëndësishëm ka të bëjë me disa ndryshime të kodit civil, që do t’u mundësonte bankave një ekzekutim më të shpejtë të kolateralit, për kredimarrësit që nuk kanë kthyer huanë. Kjo është dhe pika më e nxehtë e paketës, për disa arsye:
-Së pari ndryshimet e kodit kërkojnë një shumicë të cilësuar në parlament, që me situatën aktuale të nxehtë politike në vend do të kërkonte një konsensus përtej palëve. Testi i madh do të jetë që në fillim të kësaj jave, kur propozimet pritet që të votohen në Parlament.
-Së dyti, kjo situatë bëhet tepër e ndjeshme, pasi individët, apo bizneset, që prej vitesh ia kanë dalë që të shmangin marrjen e pasurisë nga banka, duke e sorollatur çështjen nëpër gjykata, do të shohin pasuritë e tyre të lëna peng të ekzekutohen me shpejtësi.
Në raportin mes bankave (kreditorëve) dhe kredimarrësve (individët dhe biznesi), të dyja palët duhet të marrin përsipër rolin dhe përgjegjësitë e veta: bankat kanë dhënë hua paratë e depozituesve kundrejt një garancie (kolaterali, që sipas rregullave të Bankës së Shqipërisë duhet të ketë një vlerë prej 140-150% të shumës së kredisë); kredimarrësit duhet të përmbushin detyrimin ndaj bankës (duke kthyer paratë e marra hua) përndryshe duhet të përballen me pasojat (ekzekutimi i kolateralit).
Por, përgjegjësia më e madhe qëndron ndaj depozituesve, pasi në fund të fundit banka nuk është gjë tjetër veçse një institucion që menaxhon, investon dhe shton paratë e tyre. Nëse banka nuk do të arrinte të mblidhte paratë e dhëna hua (duke përdorur kursimet e depozituesve), atëherë do ta kishte shumë të vështirë që të përmbushte detyrimin e saj ndaj kursimtarëve, detyrim që është parësor i çdo banke. Nga ana tjetër, edhe parlamenti ka përsipër barrën që përpara interesave të ngushta të kredimarrësve që rrezikojnë kolateralin, të vërë ato të depozituesve…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.