Tregu i sigurimeve vullnetare po shfaq një ecuri zhgënjyese në pjesën e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), sigurimi i pronave nga zjarri dhe forcat e natyrës për katër muajt e parë të këtij viti zbriti në vlerën e 615 milionë lekëve, me një rënie prej 34.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Produkti më i rëndësishëm i sigurimeve vullnetare në këtë periudhë zinte 9.6% të volumit total të primeve të shkruara bruto, nga 15% që përbënte në të njëjtën periudhe të një viti më parë.
Edhe shumica e produkteve të tjera të sigurimit vullnetar deri tani po shfaqin ecuri negative. Sigurimi për dëmtimet e tjera në pronë për katër muajt e parë të vitit ishte në rënie me 5.2%. Sigurimi i përgjegjësive civile të përgjithshme rezultoi në rënie me 30.8%, ndërsa sigurimi i garancive u tkurr me 22.5%.
Në rënie ishin edhe produkte të tjera vullnetare me më pak peshë ndaj totalit të tregut, si sigurimi i mallrave në transport apo sigurimi i aksidenteve.
Pjesërisht, rënia e tregut të produkteve vullnetare është ndikuar edhe nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit. Duke qenë se pjesa më e madhe e primeve për këto produkte janë të llogaritura në euro, forcimi vjetor i lekut në kufijtë e 9%-10% për katër muajt e parë të vitit ka dhënë një efekt negative mbi statistikat e raportuara në lekë.
Ndër të paktat produkte të sigurimit vullnetar në rritje për këtë vit janë sigurimi i shëndetit dhe sigurimi Kasko i automjeteve.
Primet e sigurimit të shëndetit për katër muajt e parë të këtij viti arritën në 316 milionë lekë, në rritje me 38.2% krahasuar me një vit më parë. Ky produkt në përgjithësi mbështetet në paketat e sigurimit që blejnë kompanitë private për stafin e tyre, në formën e përfitimit shtesë nga marrëdhënia e punës.
Ndërkohë, sigurimi Kasko për katër muajt e parë të vitit solli prime të shkruara bruto në vlerën e 583 milionë lekëve, në rritje me 31.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky sigurim po mbështetet ndjeshëm nga rritja e sektorit të turizmit dhe biznesi i makinave me qira të lidhura me të.
Tregu i sigurimeve edhe këtë vit po mbështetet në pjesën më të madhe te produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik. Pesha e tyre arriti në 63.3% të primeve të shkruara bruto, nga 58.2% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja më e lartë u shënua në produktin e sigurimit të brendshëm TPL, që në katër muaj arriti vlerën e 3.42 miliardë lekëve, 14.4% më shumë krahasuar me një vit më parë. Primet nga polica kufitare ndërkohë u rritën me 4.5% dhe ato nga Kartoni Jeshil me vetëm 0.1%. Megjithtë, duke qenë se këto dy produkte shiten në euro, për to efekti i kursit të këmbimit është i ndjeshëm.
Sipas të dhënave nga AMF, për 4-mujorin 2024, tregu i sigurimeve raportoi prime të shkruara bruto për një total në vlerën e 7.1 miliardë lekëve, me një rritje prej 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.