Si mund t’ju ndihmojë gëzimet e vogla të ndiheni më të lumtur çdo ditë

Edhe hapat më të vegjël mund të sjellin ndryshim të madh.
Në një botë me ritëm të shpejtë dhe stres të vazhdueshëm, lumturia shpesh duket e largët. Por, pavarësisht sfidave, gjetja e çasteve të vogla gëzimi mund të rrisë ndjeshëm mirëqenien.
Sipas Shoqatës Psikiatrike Amerikane, mbi 70% e amerikanëve ndihen të stresuar nga ekonomia, siguria dhe mungesa e lidhjeve sociale. Ndërsa një studim global i Ipsos/AXA tregon se vetëm një në katër njerëz ndihet realisht mirë emocionalisht.
Pikërisht këtu hyn koncepti i “gëzimeve të vogla” (micro joy): momente të vogla lumturie, pranisë dhe vëmendjes së përqendruar që mund të shfaqen edhe gjatë ditëve të vështira.
Këto çaste nuk kërkojnë plane të mëdha, mjafton një shëtitje e shkurtër, një frymëmarrje e thellë, aroma e kafesë, një mendim mirënjohjeje.
Hapa të vegjël
Hapi i parë është të kuptoni se, edhe në rrethana të vështira, keni kontroll mbi reagimet tuaja. Mund të ndryshoni zakonet, mënyrën e të menduarit dhe të kujtoni arritjet tuaja.
Riformuloni sfidat si mundësi, thoni “pse jo?” kur dalin ide të reja, flini mjaftueshëm, dilni në natyrë, hidratohuni. Studime me mijëra pjesëmarrës tregojnë se këto veprime nxisin emocione pozitive, vetëbesim, më pak stres dhe gjumë më të mirë.
Fokusohuni te fitoret e vogla
Studime nga Harvard tregojnë se motivimi i përditshëm vjen kryesisht nga ndjesia e progresit, jo nga arritjet e mëdha. Edhe hapat e vegjël, përfundimi i një detyre, disa minuta meditimi, një shëtitje, përmirësojnë gjendjen emocionale.
Mbani shënim këto ‘fitore’, që nga seancat në palestër deri te ditët kur praktikoni mirënjohjen. Studimet tregojnë se përvojat e vogla të shpeshta përmirësojnë gjendjen fizike dhe reduktojnë ankthin.
Bëni mirë për të tjerët
Kur ndihmoni të tjerët, përfitoni edhe vetë. Gjeste të vogla mirësie, një vizitë te një mik, një mesazh mbështetjeje, një ndihmë e rastësishme për një të panjohur, rrisin ndjesinë e qëllimit dhe reduktojnë stresin.
Një sondazh nga BioLife zbuloi se 36% e njerëzve ndihen më të lumtur dhe 45% më të motivuar kur ndihmojnë dikë tjetër.
Jetoni në të tashmen
Përqendrohuni te shqisat: aroma e kafesë, dielli në fytyrë, tingujt e natyrës. Të jetosh në të tashmen ul ankthin dhe sjell qetësi.
Mendoni për njerëzit dhe përvojat për të cilat jeni mirënjohës, një praktikë e thjeshtë që rrit lumturinë. / Fast Company, Shqip.al
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









