Si G20 mund të udhëheqë luftën kundër pabarazisë globale

Nga Jayati Ghosh*
Samiti i G20 i këtij muaji në Johanesburg shënoi disa risi historike. Si fillim, ishte samiti i parë ndonjëherë i grupit në Afrikë dhe i pari që përfshiu Bashkimin Afrikan si anëtar me të drejta të plota. Ai vendosi edhe precedenta më pak inkurajues: ishte takimi i parë i bojkotuar nga një anëtar themelues kyç, Shtetet e Bashkuara, për arsye të sajuara, si dhe i pari në të cilin po ai vend u përpoq të pengonte vendin mikpritës të nxirrte një deklaratë përfundimtare. Po aq i paprecedentë ishte edhe vendimi i Afrikës së Jugut për ta injoruar kërcënimin amerikan dhe për ta publikuar deklaratën gjithsesi.
Si presidente e G20, Afrika e Jugut ftoi delegacione nga Afrika dhe rajone të tjera të botës për të marrë pjesë si të ftuar, duke theksuar rëndësinë e vazhdueshme të dialogut dhe bashkëpunimit multilateral. Duke u mbështetur te momenti i krijuar nga samiti i vitit të kaluar në Brazil, grupi e zgjeroi gjithashtu axhendën për të përfshirë çështje me rëndësi të veçantë për Afrikën dhe botën më të gjerë në zhvillim.
Qasja gjithëpërfshirëse e Afrikës së Jugut hapi rrugën për një moment tjetër historik: për herë të parë, udhëheqësit e G20 trajtuan në mënyrë formale çështjen e pabarazisë globale. Impulsi erdhi nga raporti i fundit i Komitetit të Jashtëzakonshëm të Ekspertëve të Pavarur për Pabarazinë Globale. Kryesuar nga laureati i Nobelit në ekonomi, Joseph Stiglitz, komiteti sintetizoi një korpus të madh kërkimesh dhe u mbështet në konsultime me 80 akademikë të shquar për të paraqitur një panoramë gjithëpërfshirëse të pabarazive ekonomike në mbarë botën.
Përfundimet nuk janë aspak inkurajuese: megjithëse pabarazia globale ka rënë që nga fillimi i viteve 2000, kjo i atribuohet kryesisht rritjes së të ardhurave në Kinë. Në shkallë botërore, pabarazia mbetet e lartë dhe ka filluar të rritet sërish. Ndërsa pabarazia midis vendeve ka rënë, hendeku mes vendeve më të pasura dhe atyre më të varfra mbetet i gjerë. Nëntë nga dhjetë njerëz sot jetojnë në vende me pabarazi të lartë, madje edhe sipas standardeve relativisht konservatore të Bankës Botërore.
Shpërndarja e të ardhurave brenda vendeve është po aq e shtrembëruar. Pjesa e pagave në të ardhurat kombëtare ka rënë në shumicën e ekonomive gjatë dekadave të fundit, ndërsa të ardhurat nga kapitali janë përqendruar gjithnjë e më shumë. Kompanitë e mëdha sot përbëjnë pjesën më të madhe të fitimeve korporative.
Këto zhvillime pasqyrojnë një trend më të gjerë: përqendrimin e të ardhurave dhe pasurisë në majë. Nga të dyja, pasuria shpërndahet me pabarazi, pasi rritja e saj shpërthyese gjatë dekadave të fundit i ka favorizuar në mënyrë të jashtëzakonshme ata që ishin tashmë të pasur. Më shumë se 40% e pasurisë së krijuar që nga fillimi i këtij shekulli i ka shkuar 1% më të pasur të popullsisë, ndërsa gjysma e poshtme e popullsisë botërore ka marrë vetëm 1%.
Edhe brenda 1% të më të pasurve, përfitimet janë kapur kryesisht nga super të pasurit, ndoshta përqendrimi më ekstrem i pasurisë në historinë njerëzore. Rezultati është një klasë plutokratësh globalë, burimet e të cilëve u japin atyre aftësinë të ndikojnë në ligje, institucione dhe politika; të formësojnë opinionin publik përmes kontrollit të medias; dhe të ndikojnë sistemet gjyqësore në favor të tyre.
Kërcënimi që kjo klasë oligarkike i paraqet qeverisjes demokratike përkeqësohet nga pasiguria dhe zhgënjimi në rritje i punëtorëve, jetesa e të cilëve është bërë gjithnjë e më e pasigurt, për shkak të pasigurisë në punë, pagave të pandryshueshme dhe dobësimit të mbrojtjes sociale. Këto presione tashmë kanë nxitur polarizimin politik, fajësimin ee migrantëve dhe pakicave, si dhe thellimin e pabarazive gjinore.
Në kundërshtim me pretendimet e ekonomistëve neoliberalë, pabarazia e lartë nuk e nxit rritjen ekonomike; përkundrazi, e frenon atë. Ndërsa konsumi masiv bie, bien edhe përfitimet nga ekonomitë e shkallës. Kur pasuria e trashëguar favorizohet ndaj të ardhurave të fituara, stimulimi për inovacion zbehet. Dhe meqenëse konsumi dhe modelet e investimit të super të pasurve janë shumë më ndotëse dhe më intensive në burime, pabarazia ekstreme minon gjithashtu qëndrueshmërinë mjedisore dhe veprimin për klimën.
Siç argumentojmë në raportin tonë, pabarazia është shndërruar në një emergjencë që duhet trajtuar me të njëjtën urgjencë si kriza klimatike. Ashtu si kriza e klimës, kriza e pabarazisë mund t’i atribuohet pjesërisht trashëgimisë së kolonializmit, si edhe strukturave sociokulturore të rrënjosura. Por mbi të gjitha, ajo pasqyron zgjedhjet ligjore, institucionale, rregullatore dhe politike që kanë lejuar disa të pasurohen në kurriz të të gjithëve të tjerëve.
Shembujt nuk mungojnë. Liberalizimi financiar dhe paketat e përsëritura të shpëtimit nga qeveritë kanë mbrojtur pasurinë ‘në majë’. Regjimet e rrepta të pronësisë intelektuale kanë krijuar monopole mbi dijen. Privatizimi i shërbimeve dhe mallrave thelbësore publike ka ngulitur më tej pabarazitë. Dhe sistemet e vjetruara të taksave u kanë mundësuar kompanive shumëkombëshe dhe individëve të pasur të shmangin pagesën e pjesës së tyre të drejtë.
Të marra së bashku, këto politika kanë zhvendosur në mënyrë dramatike ekuilibrin mes pasurisë publike dhe asaj private. Ndërsa qeveritë privatizuan asete dhe akumuluan borxhe, shpesh për të subvencionuar ose garantuar kapitalin privat, bilancet publike u përkeqësuan, ndërsa pasuritë private u rritën në mënyrë marramendëse.
Lajmi i mirë është se, meqenëse këto prirje janë produkt i zgjedhjeve politike, ato mund të kthehen pas. Por kjo kërkon një kuptim më të qartë të problemit. Pavarësisht shpërthimit të kërkimeve dhe shfaqjes së metodave analitike premtuese, mbeten ende boshllëqe të mëdha, të cilat e bëjnë të vështirë hartimin e politikave efektive kundër pabarazisë.
Propozimi më i ngutshëm dhe praktik është krijimi i një paneli ndërkombëtar ekspertësh për pabarazinë. Ky trup i vogël, i pavarur, do të monitoronte pabarazinë në dimensione të ndryshme, do të konsolidonte dhe vlerësonte të dhënat, do të zhvillonte metrika të qëndrueshme, do të koordinonte kërkimin, do të identifikonte shkaqet themelore dhe do të vlerësonte efektivitetin e politikave të qeverive.
I konceptuar pjesërisht sipas modelit të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, paneli i propozuar do të mbështetej te kontributet vullnetare të studiuesve nga e gjithë bota dhe do të shërbente si burim autoritativ, i aksesueshëm, për qeveritë dhe publikun. Njohuri të tilla do t’u vinin në ndihmë politikëbërësve që synojnë vërtet të ulin pabarazinë. Por ndoshta edhe më e rëndësishme, ato do t’u jepnin qytetarëve forcën për të kërkuar ndryshimet dhe reformat e nevojshme për të ndërtuar shoqëri më të drejta dhe të barabarta.
* Jayati Ghosh, Profesore e Ekonomisë në Universitetin e Massachusetts Amherst, është anëtare e Komisionit për Ekonominë Transformuese të Club of Rome dhe Bashkëkryetare e Komisionit të Pavarur për Reformën e Tatimit të Korporatave Ndërkombëtare.
© Project Syndicate, 2025
www.project-syndicate.org
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









