Në 30 vite aktivitet, një ndër kompanitë më të mëdha të importit, paketimit dhe shpërndarjes së mallrave të shportës ushqimore, ka krijuar një pozicion të favorshëm në tregun ballkanik. Me rreth 1,000 produkte që shpërndahen në të gjithë Shqipërinë, në Ballkan dhe në SHBA, në 10 vitet e ardhshme, drejtuesja e kompanisë “Teuta” synon zgjerimin në treg dhe ngritjen e një prej sistemeve më të avancuara të logjistikës në rajon.
Këtë vit, kompania “Teuta” shënon 30 vjet aktivitet.
Themelimi i saj përfaqëson një ndër investimet e para në Shqipëri për paketimin dhe shpërndarjen e produkteve ushqimore.
Themeluesja e kompanisë, znj. Eleni Babameto, me profesion inxhiniere kimiste, pohon se ajo çfarë nisi 30 vite më parë, si një sipërmarrje e guximshme dhe njëkohësisht modeste, u rrit pak nga pak, duke përfshirë në portofolin e saj të gjithë gamën e produkteve të shportës dhe shumë më tepër.
Për të, prej tri dekadash, kompania “Teuta” mbetet pararojë e nevojave të konsumatorit shqiptar, duke sjellë në treg risi produktesh.
“Tri dekada përvojë është e vështirë t’i përmbledhësh në pak fjalë. Në një përpjekje për t’i përmbledhur këto 30 vite punë, do të thosha se e kemi filluar rrugëtimin me ëndrra të mëdha, me shumë pasion për punën dhe me përkushtimin e përditshëm për të sjellë te konsumatori veçse cilësinë maksimale.
Me kohën kemi kuptuar se këta janë përbërësit e duhur për të kapërcyer çdo sfidë dhe kështu kemi rritur gjithnjë e më shumë përkushtimin tonë”, pohon znj. Babameto.
Prej vitit 2008, krahas markave shqiptare të produkteve ushqimore, “Teuta” dhe “Gold”, kompania tregton edhe mallra ndër më të njohurat ndërkombëtare, si: “Scotti”, “Ponti” etj.
Znj. Babameto përmend se aktualisht kompania është e pranishme me rreth 1,000 produkte, ndër të cilat pjesa më e madhe vijnë nga markat partnere, ekskluzivitet i sjellë nga “Teuta” në Shqipëri.
“Produkte të mirënjohura italiane dhe jo vetëm, vijnë çdo ditë nga ekipi ynë për konsumatorin shqiptar me mbulim 100% të territorit. Jemi të lumtur që kemi shumëfishuar jo vetëm numrin e produkteve për çdo markë, por edhe numrin e markave të cilat përfaqësojmë”, nënvizon ajo.
Gjatë këtyre viteve, kompania ka arritur të ketë pozicion të favorshëm, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe në Ballkan, për sa i përket shpërndarjes së markave të huaja për produktet ushqimore.
“Markat ekskluzive të ‘Teuta’ janë tashmë lider në kategoritë përkatëse në tregun shqiptar dhe të mirënjohura nga konsumatori për cilësinë që ofrojnë.
Me anë të një menaxhimi të kujdesshëm dhe efektiv të shpërndarjes në treg të produkteve nga markat tona partnere, kemi arritur të jemi ndër distributorët më të suksesshëm në rajon, duke konkurruar ndjeshëm dhe vende me popullsi shumë më të mëdha si Kroacia dhe Serbia”, thekson ajo.
Ndër vite, kompania ka investuar në përmirësimin e vazhdueshëm të teknologjisë së prodhimit, cilësinë e lëndës së parë dhe menaxhimin e shpërndarjes së produkteve në treg.
Së shpejti, në Shqipëri, pritet të realizohet edhe një investim i ri në teknologji dhe logjistikë, i cili do të jetë ndër më të avancuarit në rajon. Për të vazhduar më pas me investime të të njëjtit lloj në tregje jashtë territorit shqiptar, duke zgjeruar hartën e aktivitetit.
Trashëgimia
Prej më shumë se 10 vjetësh, në shoqëri ka hyrë edhe kontributi i dy djemve të Eleni Babametos, Ermalit dhe Edlirit, që kanë sjellë frymën e re, idetë e reja, teknikat e reja të menaxhimit. Frytet e këtij kombinimi të përvojës me novatorizmin janë shumë të dukshme në rritjen e llojeve të ndryshme të produkteve që kompania ka hedhur në treg.
“‘Teuta’ ka investuar në makineritë më bashkëkohore në fushën e industrisë ushqimore dhe automatizimin e proceseve në prodhim, duke ofruar produkte të sigurta për konsumatorin. Cilësia e lëndës së parë është gjithmonë prioriteti ynë për të pasur gjithnjë produktin me vlerat më të larta ushqyese dhe të shkëlqyer në shije.
Jemi krenarë që kemi mbulim të plotë të territorit shqiptar, duke sjellë produktet tona pranë konsumatorit në çdo pjesë të vendit. Natyrisht investimet, përmirësimet dhe menaxhimi i tregut janë procese të vazhdueshme dhe ne i shohim si pjesë e punës sonë të përditshme”.
Në 10 vitet e ardhshme, sipas drejtueses së kompanisë, “Teuta” do t’i sjellë produktet e saj jo vetëm pranë konsumatorit shqiptar në Shqipëri dhe SHBA, por edhe më gjerë.
Zhvillimi i shpejtë teknologjik, si dhe globalizimi vlerësohen faktorët kryesorë që kanë përmirësuar klimën e të bërit biznes në vend, krahasuar me 30 vite më parë kur zonja Babameto nisi të bëjë biznes.
“Biznesi është një strukturë që ecën krahas nevojave të shoqërisë në çdo hap. Kjo e bën të jetë gjithnjë në ndryshim, në zhvillim, në përmirësim. Mendoj se ajo çfarë ka ndryshuar në këto tri dekada janë sfidat e të bërit biznes. Duke qenë në një mjedis shumë herë më global, çdo gjë është tashmë më e shpejtë, si në zhvillimin teknologjik, edhe në atë shoqëror.
Kjo kërkon shkathtësi dhe kthjelltësi në marrjen e hapave të nevojshëm për të qenë në avancë. Globalizmi ka mundësuar gjithashtu lehtësinë në gjetjen e informacionit, në studimin e praktikave më të mira botërore në biznes dhe krijimin e lidhjeve të shpejta me partnerë të rinj në të gjithë botën.
Padyshim, kjo e ka bërë më të favorshme klimën e të bërit biznes. Vlen për t’u përmendur se mjedisi i të bërit biznes kërkon gjithnjë kurajë dhe përkushtim të madh. Në këto 30 vite në biznes, fokusi ynë mbetet gjithnjë krijimi i marrëdhënieve të shëndetshme me furnitorët tanë, klientët, si dhe konsumatorin e besuar të ‘Teuta’.
Këshilla e sipërmarrëses për brezin e ri është që të orientohen me pasion dhe përkushtim në fushat që kërkojnë të zhvillojnë.
“Pasioni për punën dhe përkushtimi i përhershëm për të qenë çdo ditë e më të mirë në punën tuaj do t’ju bëjë gjithmonë të suksesshëm në çdo fushë të jetës”, vlerëson ajo.
Prej më shumë se 10 vjetësh, në shoqëri ka hyrë edhe kontributi i dy djemve të Eleni Babametos, Ermalit dhe Edlirit, që kanë sjellë frymën e re, idetë e reja, teknikat e reja të menaxhimit.
Frytet e këtij kombinimi të përvojës me novatorizmin janë shumë të dukshme në rritjen e llojeve të ndryshme të produkteve që kompania ka hedhur në treg.
Sfidat
Ajo çfarë ka ndryshuar në këto tri dekada janë sfidat e të bërit biznes. Duke qenë në një mjedis shumë herë më global, çdo gjë është tashmë më e shpejtë, si në zhvillimin teknologjik, edhe në atë shoqëror. Kjo kërkon shkathtësi dhe kthjelltësi në marrjen e hapave të nevojshëm për të qenë në avancë. Globalizmi ka mundësuar gjithashtu lehtësinë në gjetjen e informacionit, në studimin e praktikave më të mira botërore në biznes dhe krijimin e lidhjeve të shpejta me partnerë të rinj në të gjithë botën.
Lexoni edhe:
Ekskluzive / Renditja e sipërmarrëseve më të mëdha femra
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.