Shpresa per nje vit me te mbare
2010-a mund të konsiderohet pozitiv për ekonominë shqiptare, teksa vinte pas një 2009-te të vështirë, kur vendi vuajti pasojat e krizës ekonomike globale dhe të ngadalësimit të diktuar nga kjo krizë. është e natyrshme që ritmet e rritjes nuk pritet të kenë qenë aq të larta sa para 2008-s, por gjithsesi ato mbeten pozitive dhe më të mira krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Në raport me një vit më parë, ekonomia pati sinjale të dukshme optimiste. Depozitat kishin një rritje të kënaqshme, duke reflektuar kthimin e besimit në sistem, që ishte goditur në fund të vitit 2008 dhe fillim të 2009-s, si rrjedhojë e krizës financiare globale. Eksportet shënuan ritme të larta rritjeje, prej rreth 60%, të nxitura nga eksportet e energjisë, por dhe rigjallërimin e sektorit të mineraleve dhe të fasonit, duke e marrë tërësisht veten nga goditja e 2009-s (kur rënia e kërkesës nga partnerët ndërkombëtarë tkurri me shpejtësi eksportet). Kursi i këmbimit, pas korrektimit që pësoi në 2009-n, ishte i relativisht i qëndrueshëm, duke u dhënë më shumë garanci operatorëve ekonomikë dhe individëve. Vendi vijoi rrugën e tij të pandalshme drejt Bashkimit Europian, që kulmoi me liberalizimin e vizave në mes të dhjetorit.
Por dhe problemet nuk munguan. Ndërsa në vitin 2009, shpenzimet e larta qeveritare ndikuan si katalizator për gjallërimin e ekonomisë vendase, gjatë vitit 2010 ky stimul ishte pothuajse inekzistent. Madje financat ndoqën një politikë të shtrënguar fiskale, që ishte e imponuar për shkak të nivelit të lartë të borxhit publik në rreth 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Bizneset nga ana tjetër u përballën me një ngërç likuiditeti, që reflektoi si tkurrjen e konsumit të brendshëm, ashtu dhe frenimin e kredisë nga bankat, që dikur kishin qenë një nga motorët kryesorë të nxitjes së ekonomisë. Bankat nga ana tjetër u përballën me një rritje të shpejtë të kredive me probleme dhe u përqendruan më shumë në menaxhimin e këtyre portofolave.
Një situatë e ndezur e politikës nuk i erdhi aspak në ndihmë mjedisit të biznesit, i cili sërish nuk arriti të shihte të realizuar projektin e Gjykatës Administrative. Por, gjithsesi, në rezultanten e saj, situata ishte pozitive dhe me sinjale shpresëdhënëse për vitin që po vjen…
Ky është numri i fundit i Monitor për këtë vit. Revista është përpjekur të përcjellë me profesionalizëm pranë lexuesit të saj zhvillimet ekonomike në vend, opinionet e bizneseve, ndikimet e krizës ekonomike në sektorë të ndryshëm ekonomikë. Monitor ka përkrahur debatet e shumta lidhur me modelin ekonomik si dhe është përpjekur të shkojë përtej pasqyrimit thjesht të krizës, duke promovuar nevojën e përshtatjes në mënyrë profesionale ndaj realitetit të ri ekonomik, që po vjen pas një periudhe prej 20 vitesh tranzicioni. Monitor do të sjellë për lexuesit e tij edhe gjatë vitit të ardhshëm, lajmet, analizat, debatet, komentet e pritshmëritë për zhvillimet ekonomike në vend. E mbyllim këtë numër me urimin për një vit më të mbarë për të gjithë bizneset, individët dhe ekonominë në tërësi!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.