Shpenzimet e sektorit bankar për interesa shënuan përsëri një rritje të lartë në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet për interesa arritën shumën e 4.4 miliard lekëve, në rritje me 48% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Deri tani, rritja e shpenzimeve për interesa ka patur një ndikim modest në performancën e sektorit bankar, sepse të ardhurat nga interesat kanë vazhduar rritjen, të mbështetura sidomos nga rritja e normave të interesit për euron në tregjet europiane. Të ardhurat bruto nga interesat arritën vlerën e 22.8 miliard lekëve, në rritje me 20% me bazë vjetore.
Ndërsa të ardhurat neto nga interesat (të ardhura minus shpenzime për interesa) për tremujorin e parë të vitit arritën vlerën e 18.5 miliard lekëve, në rritje me 15% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Veç rritjes së të ardhurave neto nga interesat, performanca e sektorit u ndikua pozitivisht edhe nga rritja në zërin e të ardhurave të tjera, jo nga interesat, por edhe nga rënia e shpenzimeve për provigjione.
Fitimi neto i sektorit për tremujorin ishte sërish në rritje. I matur sipas standardeve lokale të raportimit, ai arriti vlerën e 9.6 miliard lekëve, në rritje me 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, shifrat tregojnë se shpenzimet për interesa po rriten me ritme ndjeshëm më të larta krahasuar me të ardhurat nga interesat. Kjo reflekton rritjen e depozitave bankare dhe një efekt disi më të vonuar të rritjes së normave bazë në krahun e detyrimeve të sektorit.
Totali i depozitave të sektorit në fund të muajit mars arriti në më shumë se 1.6 trilion lekë, me një rritje vjetore prej 5.6%.
Norma mesatare e interesit të depozitave të sektorit në lekë arriti në 1.24% në fund të muajit mars, në rritje me afërsisht 0.2 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Me fillimin e uljes së normave të interesit gjatë këtij viti, sektori bankar mund të fillojë të përballet gradualisht me një rënie të marzheve nga interesat. Në përgjithësi, ndryshimet e normave të interesit në tregje reflektohen më shpejt në krahun e aktiveve të sektorit bankar dhe më vonë në atë të pasiveve. Për këtë arsye, ciklet e rritjes së normave të interesit në përgjithësi sjellin rritje të fitimeve të bankave, ndërsa ciklet e uljes së këtyre normave shoqërohen me rënie të fitimeve.
Një faktor tjetër që po ndikon në rritjen e shpenzimeve për interesa është edhe përdorimi gjithnjë e më i madh nga bankat tregtare i instrumenteve të borxhit të njohura si pjesë e kapitalit rregullator. Përdorimi i këtyre instrumenteve bëhet me qëllim përmbushjen e shtesave makroprudenciale të kapitalit, si dhe kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).
Sektori bankar në Shqipëri emetoi vitin e kaluar 8.4 miliard lekë obligacione me ofertë private për të mbuluar kërkesat e reja rregullatore. Sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e emetimeve të obligacioneve u rrit me 79% krahasuar me një vit më parë. Në total, borxhi i varur i sektorit në fund të tremujorit I arriti në 21.1 miliard lekë, me një rritje vjetore prej 19%.
Këto obligacioneve emetohen me norma interesi (yield-e) ndjeshëm më të larta krahasuar me normat e interesit të depozitave, veçanërisht në rastin e instrumenteve të borxhit të varur, që teknikisht paraqesin rrezik më të lartë për investitorin.
Normat e interesit kanë shënuar rritje gjatë vitit 2023, në kushtet e rritjes në tërësi të normave të interesit në treg dhe emetimit të njëkohshëm të titujve të borxhit nga disa banka. Në nivel mesatar, gjatë vitit 2023, norma e interesit ka shënuar një rritje vjetore prej 2.1 pikë përqindjeje për emetimet në lekë, 0.9 pikë përqindjeje për emetimet në euro dhe 1.7 pikë përqindjeje për emetimet në dollarë. Piku i rritjes së normave të interesit është shënuar në tremujorin e tretë të vitit 2023, duke arritur në nivelet maksimale prej 7.5% për lekun dhe 5% për euron. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.