FIAA: Shqipëria po humbet konkurrueshmërinë. Tarifat e kërkimit të mineralit, më të larta se në rajon
Një treg ku vërshuan investitorë të huaj dhe kompani të kërkimit e shpimit, rrezikon të mos jetë më interesant për investimet sipas Shoqatës së Investitorë të Huaj në Shqipëri. Industria e xeherorëve po përballet me ulje çmimi në treg, ndërsa përfaqësues të shoqatës ankohen se renta minerale është e lartë, pasi ajo llogaritet në bazë të çmimit të referencës. Ministri i Financave premton vetëm lehtësi në procedura.
Industria e nxjerrjes minerare nuk po përjeton periudhën e saj më të mirë. Çmimet e kromit dhe të bakrit kanë shënuar rënie në tregjet ndërkombëtare që gjatë vitit të kaluar dhe pritshmëritë e kompanive për këtë vit na paralajmërojnë eksport të kufizuar të mineralit të kromit dhe bakrit. Në bursat ndërkombëtare, çmimi i bakrit ka zbritur në 1100 dollarë për ton, ndërsa një vit më parë ishte rreth 1600 dollarë. Për kromin, sipas bursës ndërkombëtare, çmimi ka zbritur 25% krahasuar me një vit më parë, në 250 dollarë për ton.
Për, sipërmarrjet që operojnë në Shqipëri, kjo është vetëm një prej faktorëve shqetësues. Investitorët e huaj ankohen për nivelin e lartë të rentës minerare dhe tarifën e lartë për sipërfaqet e kërkimit.
Përjashtuar naftën, renta për mineralet e tjera nuk ka ndryshuar, por sipas investitorëve, ajo është më e lartë për shkak të aplikimit të çmimeve të referencës. Sipërmarrësit ua bënë të qartë këtë edhe ministrave të qeverisë së re. Ndonëse përgjigjja nuk ishte shumë e kënaqshme për to. Gjatë konferencës që Shoqata e Investitorëve të Huaj zhvilloi me ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, dhe ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri, ministri Cani e pranoi situatën, e cila, sipas tij, nuk pritet të ndryshojë të paktën edhe këtë vit.
“Ju thatë që renta minerare është 2% – 6% por që praktikisht arrin 15%, pasi ne po përdorim çmimet e referencës. Sistemi është i bazuar në çmimet e referencës, nuk mund ta ndryshoj këtë të paktën për këtë vit. Premtimi ynë është që vitin tjetër nuk do të ketë më çmime reference. Por, duhet ta pranojmë që ne e shikojmë njëri-tjetrin në këtë mënyrë. 10%, 15% siç po thoni ju. Po, është e pranueshme, nuk duhet injoruar por ky është vendi”, sipas Shkëlqim Canit.
Një faktor i tretë që ka stepur sektorin është rishikimi i kontratave koncensionare. Në mënyrë direkte, sipas përfaqësuesve të kompanive koncesionare në vend, plani i qeverisë rrezikon të prekë vetëm ato subjekte për të cilat “çalojnë” kontratat që në momentin e hartimit të tyre. Më në shënjestër janë kompanitë që po operojnë aktualisht dhe nuk kanë respektuar detyrimet në kontratë. Këtu flasim si për detyrimet financiare nga qeveria, edhe për detyrimet e sigurisë teknike në punë.
Edhe në takimin e fundit me investitorët e huaj, ministri i Energjisë konfirmoi planin e tij për të reformuar sektorin minerar, duke u nisur nga koncesionet. Sipas tij, “nevojitet i njëjti regjim për të gjitha koncensionet”.
Për specialistët e ekonomisë, plani për të riparë koncesionet, mund të jetë në ndihmë të përmirësimit të punës së kompanive që po operojnë aktualisht në vend, por ata theksojnë se rishikimi i kontratave koncesionare do të frenojë investimet e reja nga jashtë. “Kompanitë që aktualisht kanë interes mund të ndalen për të parë zhvillimet në vend dhe rrezikojnë të vlerësojnë të pafavorshme klimën e investimeve në Shqipëri”, thonë ata.
Hidrokarburet, kërkesa për fushat e paeksploruara
Sektori i naftës ka marrë zhvillim në Shqipëri dhe kjo është reflektuar me rritje të prodhimit të naftës e mbi të gjitha me peshën e lartë të tyre në eksporte. Për më tepër, Ministria e Energjisë bën të ditur se ka shprehje interesi edhe për fusha të tjera ende të pashfrytëzuara.
Por, ndërsa pritet të vijnë kompani, ato që janë këtu do të shihen “me lupë” dhe pse jo për t’u lënë vendin pikërisht kompanive të reja të interesuara.
Thembra e Akilit mbetet “Albpetroli”. Privatizimi i dështuar i saj vë në pikëpyetje edhe aktivitetin e nënkontraktorëve. Ekonomistët vlerësojnë se vendi po humbet nga problemet financiare të kësaj kompanie, pasi jo vetëm nuk po gjeneron të ardhura, por po i kushton gjithnjë e më tepër buxhetit të shtetit. Si kundërpërgjigje të kësaj, ministri i Energjisë dhe Industrisë ka pohuar se do të punohet për t’i dhënë një zgjidhje “Albpetrolit” në perspektivë.
Por deri atëherë, pikëpyetjet mbeten të mëdha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.