Shesh për qytetarët, jo për politikën
Këto ditët e fundit ka nisur një debat për pamjen dhe funksionin e ri të sheshit “Skënderbej” në kryeqytet. Debati, që në fakt duhet të ishte thjesht teknik, u ndez kur politika e futi në axhendën e saj të ditës dhe prej këndej mori udhë zjarri i alternativave të mbrojtura nga ekspertë me qasje të theksuara politike dhe jo debati i ftohtë dhe profesional me argumente. Bashkia u kujtua të nisë punimet në mënyrë të papritur, vetëm kur Ministria e Transporteve filloi të marrë masat për asfaltimin e sheshit që ishte lënë në një gjendje aq të mjeruar sa ishte kthyer në simbolin e turpit për kryeqytetin e vendit.
Sheshi “Skënderbej”, në memorien kolektive, është gati një kult për shqiptarët, pasi është i lidhur ngushtësisht me ngjarje të rëndësishme historike të ekzistencës së tij. Për pasojë, kërkon vëmendjen e të gjithëve, qeverisë, pushtetit lokal e publikut. Por para së gjithash, ky shesh ka nevojë të çmitizohet e të shihet nga qytetarët që shkelin për të ditë mbi të si objekt që zgjidh e kënaq nevojat e tyre. E themi këtë pasi sot, sheshi “Skënderbej”, është kthyer në një përsheshje makinash e këmbësorësh. Ku shkodranit që udhëton për në Sarandë i duhet të kalojë vetëm nëpër të e po kështu sarandjotit. Të dy puqen në sheshin e famshëm ku përsheshen çdo ditë makinat e ku, edhe drejtuesi i mjetit i edukuar, shfryn duke skërmitur dhëmbët. E ku qytetari duhet të vërë bast me jetën e tij sa herë kalon nga njëri skaj në tjetrin.
Ndaj përpara së gjithash, ndërtimi i sheshit të ri duhet të zgjidhë dy çështje emergjente, trafikun dhe funksionin e tij. Të dyja këto çështje janë të thjeshta në dukje, por me tepër se të rëndësishme për jetën e një qyteti e banorëve të tij. Si rrjedhojë përgjigjet më të mira për këtë shesh i jep mendimi i kualifikuar teknik dhe jo ai politik, i cili më pas të çon në një vendimmarrje të matur e të zgjuar.
Duke vënë në dukje faktin, që po diskutohet për një projekt ende të paaprovuar, vlen të përsëritet se u takon teknikëve që të bëjnë zgjedhjen e duhur. Vetëm në rast se teknikët do ta thonë fjalën e tyre finale, atëhere institucionet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë për zhvillimin e sheshit. Në fund të fundit, sheshi është i qytetarëve dhe jo i politikës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.