Banco Santander SA, ka hequr softuere popullor të mesazheve, përfshirë WhatsApp nga telefonat, të lëshuar nga kompania për bankierët e saj të investimeve në Spanjë, shenja më e fundit se si bankat po shtrëngojnë komunikimet e stafit.
Huadhënësi spanjoll i ka thënë së fundmi stafit të bankës së investimeve, në selinë e tij në Madrid, se softueri i paautorizuar i mesazheve duhet të fshihet, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje.
Ndërsa përdorimi i softuerit ishte ndaluar më parë, disa punonjës i mbanin aplikacionet në telefonat e tyre, duke rritur mundësinë, që ata t’i përdornin ende ato.
“Santander ka protokolle të përcaktuara mirë, në lidhje me përdorimin e kanaleve të komunikimit, dhe i përmbahet kërkesave specifike rregullatore, në secilin prej tregjeve ku ne operojmë, si dhe praktikat më të mira të industrisë”, tha një zëdhënës me email.
Fushata e Santander, vjen në mes të një vale gjobash të mëdha rregullatore në SHBA, për dështimin e bankave për të monitoruar siç duhet, komunikimet e punonjësve përmes aplikacioneve të paautorizuara të mesazheve. Rregullatorët thonë, se është dukshëm më e vështirë të hetohen shkeljet, kur firmat nuk arrijnë të ruajnë të dhënat.
Gurbir Greëal, drejtori i zbatimit të SEC (U.S. Securities and Exchange Commission, Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim i SHBA-së), i bëri prioritet gabimet e mbajtjes së regjistrave të kompanive, që kur ai mori detyrën në vitin 2021. Shuma totale e gjobave të vendosura për këtë çështje, tani tejkalon 2.5 miliardë dollarë.
Hetimet e shumta nga SEC dhe Komisioni i Tregtisë së të Ardhmeve të Mallrave të SHBA-së, kanë nxitur një qasje më të ashpër midis shumë bankave në mbarë botën. Disa kanë gjobitur apo edhe shkarkuar stafin e akuzuar për komunikim në kanale të paautorizuara.
Bankat europiane duke përfshirë BNP Paribas SA, Societe Generale SA dhe Deutsche Bank AG, janë ndër firmat e goditura nga gjobat. / Bloomberg