Rumani, pritshmëritë e analistëve për rritjen e inflacionit
Treguesi i besimit makroekonomik nga Shoqata CFA Rumania, pas një ankete mujore, ra për të gjashtin muaj radhazi në qershor, në 32,9 pikë (-3,5 pikë nga maji), një vlerë e ngjashme me periudhën gjatë pandemisë COVID-19 (TM2-TM3, 2020).
Në shkallën 0-100, indeksi 50 do të thotë “besim makroekonomik” i balancuar – kombinim i situatës aktuale dhe pritshmërive.
Megjithatë, në krahasim me mesin e vitit 2020, situata aktuale (45.4 pikë – afër 50 pikëve që tregojnë kushte “të balancuara”) është shumë më e mirë se pritshmëritë, të cilat janë përkeqësuar së tepërmi (duke arritur në 26.7 pikë).
Indeksi i përgjithshëm u zvarrit në muajin qershor, nga rënia me 5 pikë në komponentin e pritshmërive, i cili regjistroi rënie për të tetin muaj radhazi.
Shqetësimet kryesore janë vazhdimi i inflacionit dhe efektet e tij. Norma e pritshme e inflacionit për horizontin 12-mujor ka vijuar të rritet, duke arritur vlerën mesatare prej 11%.
Mesatarisht, analistët e anketuar e vlerësojnë kursin e këmbimit në 5,11 RON për 1 EUR brenda 12 muajve.
Financat publike pritet të përkeqësohen dhe raporti i borxhit publik ndaj PBB-së vlerësohet në 57% (nga nën 50% në fund të prillit) – një shifër që nuk përputhet me pritshmëritë për një deficit publik sa 6.9% e PBB-së këtë vit, për sa kohë që inflacioni i lartë ndihmon qeverinë të zbehë raportin e borxhit.
Për sa i përket rritjes ekonomike, analistët e anketuar të AQF-së bënë projeksione për një vlerë mesatare prej 3.6% – paksa mbi objektivin zyrtar prej 3.5%.
“Në sfondin e rrezikut të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, si dhe nga inflacioni i lartë, treguesi i besimit makroekonomik nga Shoqata CFA Romania, vazhdoi rënien për të gjashtin muaj radhazi, duke arritur vlera të ngjashme me ato në fillim të pandemisë.
Pritshmëritë për inflacionin vazhduan të rriten dhe pjesëmarrësit presin që inflacioni të mbetet dyshifror, për të paktën 12 muajt e ardhshëm.
Sipas rezultateve të anketës, ekziston edhe rreziku që yield-et e bonove të qeverisë të mbeten në nivele dyshifrore për 12 muajt e ardhshëm”, tha Adrian Codirlașu, nënkryetar i shoqatës CFA Romania.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.