Tuesday / September 10 / 2024
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Ads
Bota Europa

Rritja e re e normave nga BQE-ja shton shqetësimin për kredimarrësit në euro

Share Share Icon

Banka Qendrore Europiane (BQE) rriti përsëri normën bazë të interesit me 0.5 pikë përqindje javën e kaluar.

Bordi i bankës nuk u tërhoq nga rritja e paralajmëruar qysh në muajin shkurt, megjithëse një pjesë e analistëve hipotizuan mundësinë e frenimit të rritjes së interesave, për shkak të goditjeve që pësoi sektori bankar në SHBA dhe problemet e reja të një ndër bankave më të rëndësishme në Europë, Credit Suisse.

Vendimi i BQE-së solli përsëri pakënaqësi në disa prej vendeve anëtare, për shkak të shqetësimeve se rritja e normave të interesit do të sjellë një frenim të fortë në aktivitetin ekonomik dhe shton gjasat për një recesion.

Një nga problemet kryesore ngelet efekti që kursi i BQE-së do të japë në normat e interesit të kredive në euro. Megjithëse Shqipëria nuk është vend anëtar i Eurozonës, efektet e vendimmarrjes së BQE-së do të ndihen edhe në Shqipëri, për shkak të euroizimit të lartë të sektorit financiar. Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë në valutë të huaj dhe kryesisht në euro përbënin 52% të portofolit të kredisë bankare në fund të vitit të kaluar. Në pjesën më të madhe, këto janë kredi me interesa të ndryshueshme të bizneseve dhe familjeve. Këto kredi kuotohen bazuar në treguesin referues të Euriborit, zakonisht atij 12-mujor.

Duke filluar nga tremujori i dytë i vitit të kaluar, Euribori nisi një rritje graduale dhe në fillim të muajit mars të këtij viti arriti pranë nivelit të 4%. Në mes të muajit mars, pritshmëria për frenimin e rritjes së interesave nga BQE-ja bëri që Euribori të pësonte një rënie të fortë në harkun e pak ditëve, duke zbritur deri në 3.3%. Por, rritja e re e normës bazë nga BQE-ja pritet të sjellë një rikthim të shpejtë në rritjen e Euriborit pranë kufirit të 4%.

Deri në prill 2022, ky tregues ishte në nivele negative dhe llogaritej zero në përcaktimin e interesit të kredive të ndërtuara mbi të. Duke shtuar një marzh prej 4%, një vit më parë interesi total për një kredi me interes të ndryshueshëm në euro ishte afërsisht 4%.

Nëse Euribori, ashtu siç pritet, të paktën në afatin e shkurtër, do të arrijë pranë nivelit të 4%, kjo do ta çonte interesin total të një kredie tipike hipotekare në euro në rreth 8%.

Për një kredi me vlerë 70 mijë euro dhe me maturitet 25 vjeçar, një vit më parë kësti mund të llogaritej në 369 euro, ndërsa me normën e sotme të Euriborit kësti i kredisë do të arrinte në 540 Euro. Krahasuar me një vit më parë, vlera e kësti do të rezultonte e rritur me 171 euro ose rreth 46%.

Megjithatë, në një horizont kohor pak më të gjatë, analistët financiarë presin që BQE-ja të frenojë kursin e rritjes dhe ndoshta të mendojë sërish për ulje të normave të interesit. Por, një gjë e tillë pritet të ndodhë vetëm pas vjeshtës.

Për kredimarrësit shqiptarë, rritja e interesave të kredive në euro po zbutet pjesërisht nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit me monedhën europiane, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e huamarrësve familjarë i kanë të ardhurat e tyre në monedhën vendase. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, aktualisht kursi euro-lek rezulton në rënie vjetore me pothuajse 7%. Forcimi i lekut e ka amortizuar rrjedhimisht një pjesë të rritjes së interesave dhe për shembullin e mësipërm shtrenjtimi vjetor i këstit të kredisë, i shprehur në lekë, do të rezultonte rreth 39%. /E.Shehu

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Për herë të parë botohen treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore

Eksploro Top List

Lajme të Ngjashme

Azi / Bota /

Çmimet e dobëta të Kinës nxisin frikën e deflacionit

Rriten shqetësimet se forcat deflacioniste po zënë rrënjë në ekonominë e dytë më të madhe në botë Çmimet e prodhimit industrial ranë 1.8 për qind n...

1 day më parë 3 Min Lexim
Europa /

Mario Draghi bën thirrje për rritjen e investimeve të BE-së me 800 miliardë euro

Ish-kryeministri italian kërkon "strategji të re industriale" për të ndaluar Europën që të mbetet pas SHBA-së dhe Kinës Mario Draghi ka kërkuar një...

1 day më parë 5 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu Falas!