Rritja e kufijve të përgjegjësisë që parashikon projektligji do të shtrenjtojë primet
Flet Edvin Libohova, Sekretar i Përgjithshëm, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë
Projektligji “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dhe pritet të kalojë për miratim në seancën plenare të datës 15 mars 2021. Deri tani, projektligji është diskutuar dhe ka marrë miratimin e dy Komisioneve të Kuvendit, Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit dhe Komisionit të Integrimit Europian.
Dokumenti, për të arritur deri në variantin final që është depozituar në Kuvend, ka kaluar në një proces të gjatë diskutimi dhe vlerësimi, pasi ai përbën ligjin bazë të tregut të sigurimeve, për aq kohë sa sigurimi i detyrueshëm motorik përfaqëson rreth 65% të tregut të sigurimeve.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, nëpërmjet ekspertëve të tregut, është angazhuar maksimalisht që në momentin e parë të draftimit të projektligjit dhe ka kontribuar vazhdimisht në drejtim të përmirësimit dhe plotësimit të këtij dokumenti.
Komunikimet tona me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë kanë rezultuar në përgjithësi të suksesshme, pasi varianti final i paraqitur ka marrë parasysh disa nga rekomandimet dhe kërkesat e tregut të sigurimeve.
Megjithatë, në analizë të fundit, Shoqata mendon dhe beson se në projektligj ka vend edhe për disa përmirësime dhe plotësime, të cilat ne i kemi bërë të pranishme së fundmi pranë Komisionit për Ekonominë dhe Financat dhe Komisionit të Çështjeve Ligjore.
Propozimet e Shoqatës së Siguruesve
Në mënyrë të përmbledhur, disa nga propozimet tona për rregullime në këtë projektligj janë si më poshtë:
1. Përjashtim nga detyrimi për të lidhur kontratën e sigurimit për pronarët e teleferikëve dhe të mjeteve të transportit mbi shina, përfshirë trenat, tramvajin, metronë, si dhe të mjeteve të tjera, të cilat lëvizin mbi shina (neni 17, pika 2).
Propozimi bazohet në faktin se këto mjete nuk janë pjesë e fushës së veprimit të projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.
2. Rishikim i rritjes së kufijve minimalë të përgjegjësisë (neni 25, pika 9). Parashikimi në ligj për rritjen e kufirit të përgjegjësive përkatësisht me 4 milionë lekë dhe 2 milionë lekë në vit, për një periudhë 5-vjeçare do të rezultojë që në fund të kemi rritje të kufijve aktualë me 36% deri 45%. Kjo situatë do të vërë në vështirësi financiare shoqëritë e sigurimit, gjë që do të rezultojë me rritje të primeve. Procesi mund të jetë më i pranueshëm për të gjithë aktorët, nëse indeksimi do të marrë për bazë normën mesatare të inflacionit gjatë viteve. Për këtë pikë, ne kemi propozuar që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, 30 ditë përpara fillimit të vitit kalendarik, të publikojë kufirin minimal të përgjegjësisë, të indeksuar me normën mesatare të inflacionit vjetor.
3. Tek neni 25, pika 4, germa a, kemi propozuar që në rastin e aksidenteve me pasojë vdekje, trashëgimtarët ligjorë të të ndjerit nuk mund të përfitojnë shpërblim për dëmin biologjik, pasi kemi të bëjmë me një gabim thelbësor juridik dhe sipas Vendimit Unifikues nr. 12/2007, atë e përfiton vetëm i dëmtuari. Dëmi biologjik është dëmtim fizik që e pëson direkt i dëmtuari, ndërsa familjarët përfitojnë vetëm dëmin moral dhe ekzistencial.
4. Në rastin e dëmshpërblimit të dëmeve të shkaktuara nga përdorimi i mjeteve motorike të paidentifikuara (neni 46, pika 2), propozojmë të bëhen kufizime deri në masën 10% të limiteve të parashikuara për mjetet e identifikuara.
Kufizimi ka si qëllim minimizimin e rasteve abuzive që vërehen në ato lloj praktikash, për shkak se rasti i sigurimit është i pamundur të provohet, në kushtet kur mungon shkaktari i aksidentit.
Të dhënat e Byrosë Shqiptare Motorike tregojnë se gjatë periudhës 5-vjeçare 2016 – 2020, në total kanë rezultuar 322 raste pagesash për praktika me shkaktarë të paidentifikuar (nga 1357 raste në total) me një vlerë rreth 5.3 milionë euro, ose 22% të totalit të pagesave të Byrosë për këtë periudhë.
Dëmet e vogla shpeshherë janë objekt abuzimi dhe përfitimi i padrejtë, por provueshmëria e mashtrimit është shumë e vështirë për shkak se e gjithë ngjarja ndërtohet vetëm mbi deklarimet e palës pretenduese të dëmshpërblimit dhe nuk përfshihet prokuroria, e cila mund të hetojë dhe të provojë ngjarjen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.