Rritja e euroskeptikëve dhe shanset e humbura të Shqipërisë
U quajtën si një tërmet rezultatet e fundit të zgjedhjeve në Parlamentin Europian, ku partitë euroskeptike, sidomos ato në Francë dhe Britani e rritën dyfish përfaqësimin në Parlament.
Shkaku më i mundshëm pas kësaj rritjeje të euroskepticizmit në të gjithë kontinentin është pasoja ekonomike dhe politike nga kriza e borxhit të Eurozonës. Situata e vështirë ekonomike në Spanjë, Portugali, Irlandë, Greqi dhe Qipro dhe një ekonomi ende e ngadaltë e Bashkimit Europian e vështirësojnë argumentimin se pjesëmarrja në BE ka të bëjë me pushtetin dhe prosperitetin për popullin.
Partitë euroskeptik themeluar fillimisht për të bërë fushatë kundër konceptit të BE-së nuk u shfaqën më si parti me një qëllim. Ato patën mundësi ta paraqesin veten si parti që adresojnë shqetësimet thelbësore të votuesve rreth ekonomisë, duke promovuar faktin që përparimi i tregut të vetëm në epokën dixhitale dhe lidhja e tij me Amerikën nëpërmjet Partneritetit të Investimeve dhe Tregtisë Transatlantike – dhe të ekonomive të tjera në zhvillim – do të krijojë mijëra vende pune dhe do të rrisë në mënyrë të konsiderueshme Produktin e Brendshëm Bruto në të gjithë BE-në.
Për më tepër, heqja e kontrolleve mbi migrimin nga Rumania dhe Bullgaria më 1 janar ka shkaktuar sulme politike mbi ndikimet e emigrantëve të Europës Lindore dhe rrites së kostove gjatë periudhës së masave të ashpra dhe rënies së buxheteve kombëtare. Shqetësimet e imigracionit kanë trazuar klasat politike në Gjermani, Holandë dhe Suedi, si dhe në Mbretërinë e Bashkuar – me thirrjet nga Kryeministri britanik, David Cameron, për zgjatje të afatit ndaj aftësisë së emigrantëve europianë për të pretenduar asistencë shoqërore në një vit.
Rreziku i madh për politikën e Bashkimit Europian është se rritja e populizmit ka një efekt dramatik në politikën e brendshme dhe, nga ana tjetër, qëndrimi i vendeve anëtare do të jetë shumë më skeptik ndaj zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian.
Pikërisht këtu “goditet” dhe Shqipëria, e cila pasi humbi shansin në dhjetor, për të marrë statusin i ka varur shpresat tek vendimi që BE do të marrë në qershor. Deri tani nuk ka asnjë sinjal nëse vendimi do të jetë pozitiv apo negativ, ndërkohë që mjedisi, sidomos ai i jashtëm nuk ka qenë asnjëherë më i pafavorshëm se sot, me rritjen e euroskeptikëve, që padyshim do të jenë pengesë për një zgjerim të mëtejshëm .
Por edhe ai i brendshëm nuk është më mirë, me klasat politike të të dy kaheve që nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët në asnjë drejtim, grevat e urisë që kanë ç’akorduar njerëzit dhe politikën së fundmi dhe ekonominë, që megjithëse po shfaq shenja gjallërimi, përsëri paraqitet me treguesit më të përkeqësuar në rajon, sipas të dhënave më të fundit të Bankës Botërore.
Shqipëria ka humbur shanse pas shansesh për t’iu afruar sa më shumë familjes së madhe evropiane, ku përfitimet do të ishin shumë më të mëdha për ne, sesa për BE-në që, gjithsesi, nuk i ka munguar deri tani vullneti i mirë për të ndihmuar vendin të arrijë standardet evropiane (përfitimit kryesor që ne do të kishim nga integrimi në familjen evropiane).
Shansi më i fundit ishte në dhjetor të vitit 2013, kur ambienti i jashtëm ishte shumë më i favorshëm sesa sot. Tashmë nuk na mbetet veçse të presim nëse qershori do të ketë lajme të mira, apo do të bëhemi sërish viktimë e politikës së brendshme, apo rritjes së euroskepticizmit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.