Rriten për 50% shtesat e fëmijëve në Kosovë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se nga e marta, shtesat do të dalin me rritje. Sipas tij, nga kjo rritje do të përfitojnë 400 mijë fëmijë.
Qeveria në detyrë ka njoftuar për një tjetër rritje të përfitimeve sociale, këtë herë për fëmijët. Nga e marta, rreth 400 mijë fëmijë në Kosovë do të marrin 50 për qind më shumë në shtesat mujore.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se nga dita e martë fillon ekzekutimi i pagesave me vlerën e re, ndërsa rritjen e ka quajtur “lajm të mirë për të gjitha nënat që marrin shtesa për fëmijët”.
“Nga nesër fillon ekzekutimi i pagesave me rritjen e miratuar prej 50 për qind. Nga kjo rritje do të përfitojnë 400 mijë fëmijë. Pra:– një familje me dy fëmijë, që ka marrë 40 euro, nga nesër do të marrë 60 euro;– një familje me tre fëmijë, që ka marrë 90 euro, nga nesër do të marrë 135 euro;– një familje me katër fëmijë, që ka marrë 120 euro, nga nesër do të marrë 180 euro, e kështu me radhë. Urime të gjithë fëmijëve! T’i gëzoni me shëndet!”.
Rritja e shtesave për fëmijë është pjesë e pakos më të gjerë të vendimeve buxhetore që qeveria në detyrë ka miratuar në prag të vitit të ri fiskal. Në fund të tetorit, ekzekutivi kishte aprovuar buxhetin për vitin 2026, me vlerë rreth 4 miliardë euro, që është ndër më të mëdhenjtë në historinë e Kosovës.
Në këtë buxhet janë përfshirë disa masa të reja financiare, përfshirë edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik dhe rritjen e shtesës në pagë, në bazë të përvojës së punës.
Krahas shtesave për fëmijë, qeveria ka vendosur edhe rritjen e pensioneve bazë nga 120 në 150 euro, duke treguar se këto masa synojnë përmirësimin e mirëqenies sociale dhe ndihmën për familjet me të ardhura më të ulëta.
Në fund të muajit tetor, qeveria në detyrë miratoi buxhetin për vitin e ardhshëm, në vlerë rreth 4 miliardë eurosh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









