Shqipëria ka vijuar të rrisë eksportet drejt shtetit më të fuqishëm në Europë, Gjermanisë. Shifrat zyrtare nga INSTAT, por edhe nga Zyra Statistikore e Federatës në Gjermani, konfirmojnë rritjen me 15% të eksporteve tona drejt këtij shteti.
Me gjithë krizën ekonomike, këto eksporte janë rritur, kjo në një kohë kur shumë kompani shqiptare kanë kërkuar zgjerim në tregje të tjera, veç Italisë dhe Greqisë, duke u orientuar më së shumti drejt vendeve ku kriza ekonomike nuk ka prekur rëndë ekonominë.
Produktet më të eksportuara shqiptare dhe që duket se kërkohen nga “gjiganti” europian janë tekstilet dhe lëndët djegëse, kryesisht karburantet. Të dy këto artikuj ndanë nga 34% në totalin e eksporteve drejt Gjermanisë gjatë vitit të kaluar.
Lëndët djegëse kanë rritur ndjeshëm eksportet në Gjermani, me afro 420% më shumë se në vitin 2011. Por rritjen më “befasuese” e ka pasur nikeli, eksportet e të cilit u zgjeruan me 458%, por duke ruajtur gjithsesi një peshë më të vogël në totalin e eksporteve.
Ecuri pozitive kanë regjistruar edhe fasonët, që kanë shtuar volumet me 250%, duke konfirmuar kështu orientimin e kësaj industrie drejt Gjermanisë, me shpresën për të përballuar krizën ekonomike që ka ardhur kryesisht nga rëniet e shitjeve në Greqi e Gjermani.
Ndryshe ka ndodhur me këpucët, eksportet e të cilave janë reduktuar, me rreth 77%.
Me gjithë rritjen e volumeve drejt shtetit gjerman, eksportet drejt tij zënë ende një peshë të vogël në total, rreth 3%.
Një rritje shumë të moderuar kanë regjistruar importet nga Gjermania, të cilat në 2012-n u rritën 2.8% krahasuar me një vit më parë.
Kjo ka përmirësuar bilancin tregtar me Gjermaninë, për shkak se eksportet janë rritur rreth 6 herë më shumë se importet.
Importet nga Gjermania dominohen në mënyrë absolute nga makinat, pajisjet si dhe pjesët e këmbimit, të cilat zënë rreth 56% të totalit të importeve nga ky shtet për 2012-n. Gjithsesi ato janë ulur me rreth 13% në raport me 2011-n, duke konfirmuar kështu edhe rënien e aktivitetit të koncesionarëve të automjeteve të reja dhe të pjesëve të këmbimit.
Një pjesë të rëndësishme të importeve nga ky shtet zënë avionët dhe pjesët e tyre të këmbimit me rreth 24% të totalit. Volumi i tyre ka ardhur në rritje kundrejt 2011-s, me rreth 5% më shumë.
Rritje kanë regjistruar edhe produktet farmaceutike duke konfirmuar edhe kërkesën joelastike për to.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.