Rilindja, Volumi i dytë… Ku po shkon Shqipëri?!
Ekonomia dhe shoqëria shqiptare, shumë të lidhura me mbarëvajtjen e njëra-tjetrës, po përjetojnë të vërteta të dhimbshme, të cilave fatkeqësisht vendimmarrësit po u largohen si djalli temjanit.
Në numrin e kaluar të revistës botuam shifra të një tretje dramatike të popullatës së vendit, për shkak të ritmit të ulët të rigjenerimit dhe emigracionit, që vazhdon të kapë maja të reja rekord në ciklin e tij. Kjo braktisje e vendit është shumë evidente tashmë dhe do të shoqërohet me pasoja të rënda në ekonomi dhe jo vetëm aty.
Sot, në vendin tonë, është më mirë të jesh pa diplomë të lartë për të gjetur punë.
Shqipëria renditet në fund, mes vendeve me shtet dhe demokraci të pasigurt, për nivelin e arsimit që ofron.
Ekonomia, përtej rritjes, nuk ka aftësi të gjenerojë vende pune dhe papunësia është salduar mbi 12%. Kapacitetet prodhuese dhe konkurrueshmëria janë në nivelet më të ulëta në renditjen globale.
Pasuria mbetet ende në pak duar dhe varfëria është një prag i pakalueshëm prej dekadash për shumë familje, por edhe pjesa tjetër më e madhe është shumë pak mbi kufirin teorik të skamjes.
Vendi ende nuk ka një profil të qartë ekonomik dhe çështjet e politikës së ditës ndërhyjnë brutalisht e janë ende barrierë e rëndë për sipërmarrjen dhe përparimin e vendit (të gjitha të dhënat për këto konkluzione që renditëm më lart mund t’i gjeni fare lehtë në faqen tonë në internet monitor.al).
Krimi dhe korrupsioni kanë kapur shtetin dhe fuqia e reagimit për të ndëshkuar këtë fenomen është fare e dobët. Raportet periodike nga Bashkimi Europian apo entitete të tjera të spikatura ndërkombëtare e kanë bërë të qartë këtë status të “kapjes të shtetit” ku ligjet prodhohen për interes të grupimeve të krimit apo klanore.
Këtë javë, shqiptarët do të kenë një qeveri të re, vijim i Rilindjes që po futet në mandatin e saj të dytë. A mundet që kjo shumicë solide në Parlament dhe qeveri monokolor, pra me një timonier, të trajtojë me seriozitet e të zgjidhe çështje të tilla madhore.
Nisur nga përbërja e kabinetit të ri, ndonëse ka një ristrukturim të funksioneve të disa ministrive dhe agjencive të tjera, modeli i qeverisë së re nuk ngjall pritshmëri se gjërat do të ndryshojnë, pasi në poste më kyçe janë të njëjtat personazhe.
Edhe nga dy mbledhjet informale dhe tepër diskrete të kabinetit nëpër qendra turistike, nuk arriti të depërtojë asgjë domethënëse. U fol vetëm për vitin e Skënderbeut, për ndonjë hotel me pesë yje dhe pastrim të plazheve. Një lugë kaq bosh nuk besojmë se ngop ende. Por a mund ta bëjë këtë Rilindja në vijim?
Nëse kthehemi katër vite më parë, kur ky model qeverisje u ngjiz si Rilindje, do të vërejmë se ajo ka hequr dorë nga qëllimet për të cilat u konceptua dhe ju mori votëbesimin dhe shpresën e shqiptarëve.
Erdhi si formacion politik që do të mbronte shtresat sociale më në nevojë, por politikat e saj fiskale e rënduan barrën ndaj më të varfërve dhe shtresave të tjera të ndjeshme. Pati rritje të çmimit të energjisë elektrike, u rritën taksat mbi konsumin, u rrit mosha e daljes në pension dhe u shkurtua skema e përkrahjes sociale etj.
Rilindja ka hequr dorë në këtë mandat të dytë nga qëllimi i saj madhor për të krijuar 1 milion vende pune. U justifikua në mandatin e parë se koha ishte e pamjaftueshme, por as për këtë mandat të dytë, që gjatë fushatës nuk foli, nuk premtoi asgjë për të kapur objektin e mbetur. Edhe projekti madhor i shëndetësisë falas, edhe ky i parealizuar në mandat të parë, duket se nuk është në axhendën e re të Rilindjes së Dytë.
As projekti tjetër ambicioz për ndërtimin e një rrjeti kombëtar të ujitjes në bujqësi nuk u arrit, për të mos thënë që dështoi pa nisur. Edhe këto katër vitet e ardhshme duket se nuk do të ketë diçka serioze për këtë çështje.
Nga ana tjetër, modeli i zhvillimit ekonomik u mbështet te kurimi estetik, herë urban e herë infrastrukturor, por jo te kurimi e shëndoshja e shpirtit të ekonomisë. Turizmi, bujqësia, shërbimet, investimet private mbeten të ulëta dhe përfitojnë vetëm nga ngjarje rastësore. Kjo ka ndodhur sepse kjo mazhorancë e ka pasur të ngushtë këndin e vështrimit të problemit, por edhe se realitetin nuk ka dashur ta shikojë të qartë.
Rasti i fundit që e vërteton këtë qasje butaforike të qeverisë së re, është premtimi për lehtësim nga taksat i hoteleve me 5 yje (nuk e dimë ende nëse ka ndonjë në Shqipëri) dhe që i shërben publikut si një nga vendimet e para që do të marrë e që është mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit!! Realiteti dhe Rilindja qenkan dy nocione që nuk po ecin dot bashkë.
Mazhoranca e sotme, që do të formojë qeverinë këtë javë, rikonfirmohet në pushtet pa asnjë lloj ndjenje përgjegjësie. Që gjatë fushatës, edhe sot, ajo nuk ka pranuar asnjë gabim dhe për çdo gjë që ka shkuar keq, si kanabizimi i vendit, administrata e korruptuar dhe me punësime politike etj., fajin e kanë të tjerët. Në asnjë rast të këtij prologu qeveritar të këtyre ditëve nuk kemi dëgjuar falje, por as pendesë. Ajo vazhdon të veprojë po njësoj, duke treguar mungesë besnikërie ndaj veprimeve të saj. Ju kujtohet fare mirë të paktën një rast ku për çështjen më të rëndësishme të mjedisit, përmes një akti “burrërie” dhe të pëlqyer publik, ndaloi importin e mbetjeve por që gjatë rrugës, për të njëjtat argumente që e rrëzoi, e rifuti në fuqi.
Çdo qeveri e re e ka librin e punëve të saj me fletë të bardha, të cilat mbushen viti pas viti. Dhe ashtu si me çdo libër, parathënia e tij fillon e shkruhet, kur autori ka mbarur. Por qeverisja e re e Rilindjes II, e ka të lehtë parathënien nga gjurmët e bëmave të saj, të cilat nuk lënë shumë hapësirë për surpriza.
Rilindja e ka deformuar rrugës ADN dhe sot vjen si një produkt i modifikuar gjenetikisht, që huazon cilësi që nuk i ka dhe i ndryshon shpeshherë rrugës. Pra thjesht një produkt i fabrikuar për t’u shitur me çmim të lirë dhe për konsum masiv, pasi hoqi dorë nga ajo për të cilën u ngjiz dhe e votuan shqiptarët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.