Reflektim pas permbytjeve
Nëse nuk do të ndërhyhet me veprime të shpejta, ndryshimet klimaterike do të japin efekte përkeqësuese të dukshme edhe në tregun shqiptar. Ky është paralajmërimi i Bankës Botërore, ekspertët e të cilës në një studim të fundit, kanë vënë në dukje se sektori i energjisë në vend është shumë i ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimaterike, si thatësirës ashtu dhe intensitetit të lartë dhe të përqendruar në kohë të shkurtër të reshjeve. Hidrocentralet janë burimi kryesor i energjisë në vendin tonë (90% të furnizimit me energji).
Të gjithë jemi dëshmitarë në fakt të ftohjes normale të motit për stinën dhe rritjes së papritur dhe të jashtëzakonshme e temperaturave, që po ndodh gjatë muajit të fundit. Situatë që po shkakton vështirësi në të gjithë vendin, ku po konstatohen përmbytje nga ajo e lumit Vjosës (për të cilën askush nuk po kërkon të gjejë shkaktarin njerëzor për faktin e thjeshtë se mbi këtë lumë nuk është ndërtuar asnjë vepër hidrocentrali). Për të ardhur pastaj në përmbytjet e ditëve të fundit të qarkut të Shkodrës, të cilat duket se ishin të pashmangshme, qoftë për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe shkrirjes së shpejtë të dëborës, qoftë edhe për shkak të shkarkimit të pa pashmangshëm të liqeneve në tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit, ku kjo zgjidhje u bë e qartë tashmë se ishte e keqja më e vogël. Edhe vende më të sofistikuara si nga pikëpamja shtetërore dhe ajo logjistike, organizative dhe janë ndeshur me përmbytje edhe më të mëdha dhe më rënda.
Ngrohja globale dhe efektet e saj në mjedis duket se do të jenë të pashmangshme, ndaj kërkohet një reflektim në kohë dhe masa që Shqipëria duhet të ndërmarrë që sot për të mbështetur përdorimin optimal të energjisë, burimeve ujore dhe aktivitetin e hidrocentraleve, duke u nisur nga kushtet e reja të krijuara. Sot menaxhimi i digave bëhet në bazë të një rregulloreje të vitit 1998 (që është rishikuar në bazë të asaj të 1988-ës), që për kohën që është hartuar ka qenë funksionale, por tashmë në dritën e zhvillimeve të reja, ndoshta ka ardhur koha që të reflektohet dhe ai të ndryshohet, duke rishikuar dhe kuotat në të cilat bëhet i detyrueshëm shkarkimi i digave. Një ndërhyrje e tillë do të ndihmojë vendin të menaxhojë më mirë luhatjet e klimës për të krijuar mundësinë që vendi në të ardhmen të jetë më elastik ndaj ndryshimeve klimatike dhe që të shmangen në të ardhmen përmbytje si kjo e ditëve të fundit. është hera e tretë që Shkodra përmbytet në 10 vitet e fundit (kujtojmë situatën e viteve 2002 dhe 2004) çka përforcon idenë se, pavarësisht nëse gabimi ka qenë njerëzor apo jo, kjo rregullore duhet tashmë të ndryshojë. Përndryshe ç’kuptim ka që kjo zonë të vazhdojë të përmbytet sa herë bie shi, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme materiale.
Nëse i kthehemi përsëri raportit të bankës Botërore, ajo rekomandon dhe përmirësimin e mënyrës së parashikimit të kushteve hidrometeorologjike. Sipas ekspertëve, monitorimet duhet të jenë të përshtatshme për sektorin e energjisë, pra parashikime afatshkurtra (1-3 ditë), afatmesme (3-10 ditë) si dhe parashikime rajonale. Studimi i Bankës Botërore vlerëson se, “ky informacion mund t’i mbështesë grupet e interesuara të sektorit energjetik të ndërmarrin vlerësime të përbashkëta të rrezikut të klimës, si për burimet ujore edhe për rrjetin rajonal të energjisë”.
Nuk duhet lënë mënjanë as rregullimi i gabimeve që janë bërë gjatë këtyre 20 viteve si ndërtimet mbi argjinaturat, mos investimin në prita malore dhe më e keqja shkatërrimin e tyre; urbanizimin kaotik të vendit; ndërtimet pa leje pa kriter e kështu me radhë.
Tashmë është koha për të reflektuar, larg ngjyrimeve politike, por duke u nisur nga interesat kombëtare të vendit. Ndryshimet klimaterike vërtet që nuk mund t’i kontrollojmë dot, por ajo që mund të bëjmë është të marrim sa më shpejt masat e duhura për të menaxhuar dhe zhvilluar në dritën e ndryshimeve të reja burimet ujore të vendit, duke përfshirë të gjithë sektorët: energji, bujqësi, furnizim me ujë dhe kanalizime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.