Këshilli i Ministrave ka kaluar në mbledhjen e sotme një vendim për miratimin e marrëveshjeve hidrokarbure, ndërmjet “Albpetrol”, sh.a.-së, kompanisë, privatizimi i të cilës dështoi në fund të vitit të kaluar dhe “PHOENIX Petroleum”, sh.a.-së për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në disa vendburime të naftës.
Sipas vendimit, marrëveshja është përkatësisht për:
a) zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e naftës Amonicë,
b) zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e naftës Drashovicë,
c) zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e naftës Pekisht–Murriz,
ç) zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Panaja,
d) zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Frakull,
dh) zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Povelçë,
e) zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Divjakë,
ë) zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Ballaj-Kryevidh,
f) zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Finiq-Krane.
Privatizimi i dështuar i Albpetrol
“Vetro Energy”, ku Rezart Taçi zotëron 51% të aksioneve përmes kompanisë YPO, regjistruar në Singapor, bëri një ofertë prej 850 milionë eurosh në fund të vitit të kaluar, pasi qeveria shpalli shitjen e Albpetrol. Procesi u konsiderua i dështuar, pasi kompania nuk arriti të paguajë as 10% të garancisë.
ALBPETROL sh.a. është një shoqëri anonime me 100% të aksioneve të zotëruara nga Qeveria Shqiptare. I vetmi aksioner është Ministria e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjetikës.
Phoenix Petroleum
Sipas faqes së vet të internetit Phoenix Petroleum Gas, është pjesë e grupit, që vepron në Shqipëri, Invesment managment Corporate (IMC). Ajo është një kompani kontraktuese me pronësi shqiptare dhe zyra qëndrore në Tiranë, me mbështetës të fuqishëm dhe menaxhim të diversifikuar ndërkombëtar dhe ka aktivitet dhe në fushat e në projektimin dhe finalizimin e autostradave të cilësisë së parë, urave, sistemeve telekomunikacioni, kulla shumëkatëshe – dhe madje instalaciaone gazi dhe nafte. President i saj është Isuf Berberi.
Po sipas faqes së internetit të kompanisë, Phoenix Petroleum Gas dhe kompania shtetërore Albpetrol sh.a. kanë negociuar dhe lidhur një marrëveshje mbi termat dhe kushtet e zhvillimit dhe prodhimit të hidrokarbureve dhe gazit në 5 fusha rezervash në jug të Shqipërisë. Marrëveshja përbëhet nga dy faza. Faza e parë (Faza e Vlerësimit për 18 muaj plus 6 muaj), do të sigurojë një bazë të dhënash gjithëpërfshirëse dhe drejtojë eksperimentimin e teknologjive të avancuara në parcela të veçanta. Faza e dytë (Faza zhvillimi i plotë i fushave me rezerva – me kohëzgjatje deri në 25 vjet) do të zhvillojë fushat me rezerva bazuar në një plan zhvillimi të detajuar.
Projektet e tjera të grupit janë:
-Projekti kryesor në telekomunikacion është shtrirja e Fibrës Optike (FO) përgjatë hekurudhës ekzistuese Shqiptare dhe lidhje me FO nënujore me Italinë dhe radio-lidhje i të gjitha territoreve shqiptare përmes Vector sh.a. – një kompani e themeluar në vitin 2010 ka si qëllim ofrimin e sistemeve IT duke programuar programe dhe asistuar në integrim rrjetesh telefonik dhe fibra optik që shërbejnë për transferim të dhënash dhe internet.
– Zhvillimi dhe prodhimi i hidrokarbureve fokusohet vetëm në 5 fusha nafte dhe gazi në jug të Shqipërisë. Marrëveshja ka dy faza.
-Një nga aktorët kryesorë shqiptar në përpunimin dhe shpërndarjen e barnave dhe pajisje mjekësore të importuara dhe lokale me një rrjet shpërndarjeje prezent në të gjithë Shqipërinë.
-konstruksione rrugësh dhe autostradash
– IMC Energy është duke investuar në projekte të ndryshme për energji të rinovueshme që prodhojnë energji nga era dhe uji. Që prej vitit 2010 tre projekt kërkime dhe planifikime janë filluar për ndërtimin e tre stacioneve me turbina ere dhe tre diga për prodhim energjie nga uji.
-Ndërtimi i qytetit akademik Tirana 2 në kodrat e Kamzës. TIRANA 2 sh.p.k. është një kompani e re zhvillimi dhe real estate krijuar në vitin 2007 me qëllim shërbimin e projektit real estate me të njëjtin emër Tirana 2.
-Grupi ka marrë me koncesionin Portin e ri në Shëngjin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.