Studimi i ASCEND, i financuar nga BE me 2.1 milionë dollarë, arriti në përfundimin se transferimi i qendrave të të dhënave në orbitë është i mundur nga ana teknike, ekonomike dhe mjedisore
Përhapja e Inteligjencës Artificiale po rrit së tepërmi kërkesën për qendra të dhënash, për të qenë në të njëjtin hap me rritjen e sektorit teknologjik – dhe po nxit Europën të shohë për opsione hapësinore për ruajtje dixhitale, për të reduktuar nevojën për struktura të uritura për energji në terren.
“Advanced Space Cloud for European Net zero emission and Data sovereignty”, një studim 16-mujor, i cili ka eksploruar mundësinë e lëshimit të qendrave të të dhënave në orbitë, ka arritur në një përfundim “shumë inkurajues”, sipas Damien Dumestier, përgjegjës i projektit.
Studimi i ASCEND prej 2.1 milionë dollarësh, i koordinuar nga Thales Alenia Space për llogari të Komisionit Europian, pretendon se qendrat e të dhënave në hapësirë janë të realizueshme në aspektin teknik, ekonomik dhe mjedisor.
Ideja është eliminimi i një pjese të kërkesës për energji të qendrave të të dhënave dhe dërgimi i tyre në hapësirë, për të përfituar nga energjia e pafund, që është energjia diellore” – deklaroi Dumestier për CNBC.
Cunami i të dhënave
Qendrat e të dhënave janë thelbësore për të qenë në të njëjtin hap me dixhitalizimin, por kërkojnë edhe sasi të mëdha energjie dhe uji “për të ushqyer” dhe për të ftohur serverat.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në vitin 2026, konsumi total global i energjisë elektrike nga qendrat e të dhënave mund të arrijë më shumë se 1000 teravat në orë, afërsisht e barabartë me konsumin e energjisë elektrike në Japoni.
Sektori do të goditet nga një “valë cunami të dhënash” – deklaroi Merima Dzanic, përgjegjëse e strategjisë dhe operacioneve në Agjencinë daneze të Industrisë së Qendrave të të Dhënave.
“Qendrat e të dhënave të Inteligjencës Artificiale kanë nevojë për diçka si rreth tre herë më shumë energji se një qendër të dhënash tradicionale dhe ky është një problem jo vetëm nga pikëpamja e energjisë, por edhe në konsum” – deklaroi ajo për CNBC.
Është e nevojshme “një qasje tërësisht e ndryshme e mënyrës se si i ndërtojmë, projektojmë dhe i menaxhojmë qendrat e të dhënave” – shtoi Dzanic.
Strukturat që studimi parashikon të lëshojë në hapësirë do të orbitonin në lartësinë rreth 1400 kilometra, rreth tre herë e lartësisë së Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor.
Dumestier shpjegoi se ASCEND synon të instalojë 13 blloqe qendrash të dhënash hapësinore, me kapacitet total 10 megavat në vitin 2036, deri sa të arrijë pikën fillestare për komercializimin e shërbimeve cloud.
Çdo bllok – me sipërfaqe 6300 metra katrorë – përfshin kapacitetin për shërbimin e qendrës së tij të të dhënave dhe do të lëshohet brenda një automjeti hapësinor.
Për të pasur ndikim të rëndësishëm në konsumin e energjisë në sektorin dixhital, objektivi është që të vendosen 1300 “building block” deri në vitin 2050 për të arritur 1 gigavat, sipas Dumestier.
Fillimi ekologjik
Objektivi i ASCEND është eksplorimi i potencialit dhe ndikimit mjedisor krahasues të qendrave të të dhënave hapësinore për të ndihmuar Europën që të bëhet neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2050.
Studimi tregon se, për të zvogëluar në mënyrë të ndjeshme emetimet e karbonit duhet të zhvillohet një lloj lëshuesi që është 10 herë më pak emetues. ArianeGroup, një nga 12 kompanitë që mori pjesë në studim, po punon për të përshpejtuar zhvillimin e këtyre lëshuesve të ripërdorshëm dhe ekologjikë.
“Synimi është të kemi gati lëshuesin e parë ekologjik brenda vitit 2035”, tha Dumestier. Megjithatë, Dzanic paralajmëroi se ideja e qendrave të të dhënave hapësinore nuk e zgjidh tërësisht problemin e përdorimit të qëndrueshëm të energjisë.
“Është vetëm një pjesë e puzzle” – tha ajo.
Michael Winterson, drejtues i European Data Centre Association, thotë se një qendër të dhënash hapësinore do të përfitonte nga rritja e efikasitetit falë energjisë diellore pa ndërprerje të modeleve meteorologjike – por qendra do të kërkonte sasi të mëdha karburanti për raketat që të qëndrojnë në orbitë.
Winterson thotë se edhe një qendër e vogël prej 1 megavatësh në orbitën e ulët të Tokës do të kishte nevojë për rreth 280.000 kilogramë karburant për raketat në vit, me kosto rreth 140 milionë dollarë në 2030 – kjo llogaritje mbështetet te një ulje e ndjeshme të kostove të lëshimit, e cila ende nuk ka ndodhur.
/ CNBC