EDUART SHARKA
Kontabël i Miratuar*
Ndryshimi ligjor që Sindikata e Fermerëve ka dhe po diskutohet këto ditë në komisionet e përhershme të Kuvendit mbasi ka qëndruar prej dy vite e gjysmë në sirtarët e administratës së tij, ka të bëjë me rregullimin e një të drejte ligjore dhe kushtetuese në fushën fiskale, që afekton në mënyrë të veçantë sektorin e bujqësisë.
20211013095210Projektligj 2257 prot (1) (1)
Propozimi ynë, i mbështetur nga Instituti për demokraci e Ndërmjetësim, Komiteti i Helsinkit dhe financuar nga Ambasada Zvicerane, ka për qëllim të rregullojë mekanizmin e vjeljes së Tvsh-së në sektorin e bujqësisë, i cili është deformuar që në vitin 1995 kur u miratua për herë të parë ligji për TVSH-në.
Për diskriminim pozitiv, Qeveria e atëhershme vendosi që prodhuesin bujqësor ta përjashtonte nga pagimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Në atë kohë, kultura fiskale ishte në kufijtë e zeros dhe, gjithçka në sektorin e bujqësisë ishte informale.
Natyrisht që kjo iniciativë u ndërmor me qëllimin e mirë për ta mbështetur fermerin, por me dëshirën për të realizuar këtë, Qeveria ndërhyri në mekanizmin e llogaritjes dhe vjeljes së TVSH-së, duke shkëputur një hallkë nga ky zinxhir dhe, në këtë rast, shkëputi një hallkë që krijon 70-90% të vlerës totale të produktit.
Për histori, kujtojmë se në vitin 2008, po Qeveria demokratike, futi në ligj të ashtuquajturën “Skemë të kompesimit të fermerëve”, duke vendosur të “kompensojë” fermerët me 6% të çmimit të blerjes tek ata.
Kompensimi i pretenduar u ideua gabim, duke çuar në keqinterpretim të një praktike të njohjes së TVSH-së së zbritshme, e cila aplikohej në rajon asokohe (e ngjashme me pranimin ose jo sot të një regjimi të veçantë, përmes të cilit shpenzimet e supozuara zbriten apriori, shpenzime që u njihen sot profesioneve të lira nëse zgjedhin vetë këtë regjim) duke ngatërruar konceptin e “kompensimit” të fermerëve me konceptin tatimor të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe si rezultat, nuk funksionoi asnjëherë sikurse ishte ideuar (të kompensoheshin fermerët nga tregtarët që blinin tek ata, dhe pastaj, ato para që ua jepnin fermerëve ua rikthente shteti në formën e rimbursimit të TVSH-së).
Kjo ndërhyrje e atëhershme në mënyrë të vetvetishme korrigjoi pjesërisht marzhin e gabimit nga 20%, në 14%, duke u njohur i ashtuquajturi kompensim prej 6% si TVSH e zbritshme në blerje.
Në vitin 2014, Qeveria e atëhershme, duke e rritur shkallën e të ashtuquajturit kompensim në 20%, në mënyrë të pavullnetshme, korrigjoi indirekt mekanizmin e llogaritjes dhe vjeljes së TVSH-së në sektor, situate, e cila vazhdoi deri në Dhjetor të vitit 2018. Më tej, në janar të vitit 2019, përqindja e “kompensimit” u bë sërish 6% dhe, në janar të vitit 2022, u be 0%, duke u kthyer sërish në situatën e vitit 1995.
Kështu që, nga janari 2022 jemi në situatën ku, për pakujdesi apo s’dimë se për ç’arsye tjetër, politik bërësi fiskal, tashmë i gjendur jo më si në kushtet e vitit 1995, kur gabime të tilla ishin të pranueshme, por në kushtet kur grupet e interesit dhe ekspertët ia kishin servirur të gjitha argumentet në tavolinë, – kujtoj këtu edhe protestat tona si sindikatë, së bashku me bizneset e sektorit, për të sensibilizuar Qeverinë për këtë problem, – Ministria e Financës apo Qeveria, ngulën këmbë me arrogancë që atë TVSH, që ia kish falur kësaj hallke të prodhimit – që ishtë fermeri, kërkonte t’ia merrte padrejtësisht operatorit apo subjektit tregtar që blinte te fermeri dhe që vlerë të shtuar në produkt, realizonte 10-20%.
Nuk është as e ligjshme as e ndershme, as e pranueshme kjo formulë: Atë që ia fal një operatori t’ia marrësh një operatori tjetër. Ky veprim që blen te fermeri, e diskriminon fiskalisht, i shkel të drejtën kushtetuese të barazisë para ligjit fiskal dhe e falimenton ose i pamundëson të operojë në këtë treg nëse nuk zgjedh të abuzojë me fermerin ose konsumatorin.
Ndryshimi ligjor i propozuar nga ne, garanton kthimin në parimin e proporcionalitetit të këtij tatimi në pjesën ku një hallkë e zinxhirit të transaksioneve është operatori me statusin “fermer”. Ky mekanizëm i vjeljes së TVSH-së, është instrumenti që bën të mundur funksionimin dhe zbatimin e këtij ligji, është parimi i ligjit ose më mirë të themi, është vetë ligji.
I referohemi me këtë përcaktim nenit 1 te ligjit, i cili thotë:
“Ligjit Nr. 92/2014 “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Neni 1
Objekti i ligjit.
Ky ligj vendos tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH-në).
TVSH-ja është një tatim i përgjithshëm mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve, proporcional me çmimin e tyre, që i ngarkohet në çdo fazë të prodhimit dhe procesit të shpërndarjes çmimit pa tatimin.
TVSH-ja zbatohet si një tatim në përqindje mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve dhe, bëhet e kërkueshme për t’u paguar pas zbritjes së TVSH-së që rëndon drejtpërdrejt elementet e kostos së mallrave dhe të shërbimeve.”
Terminilogjia e këtij neni dhe e gjithë Ligjit për TVSH-në është mjaft teknike, ndaj, po mundohem ta përcjell me një gjuhë më të thjeshtuar atë që përbën thelbin e shqetësimit tonë mbi defektin e ligjit.
Në fakt, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është tatim mbi konsumin, sepse këtë tatim e paguan konsumatori fundor ose qytetari kur blen një mall në dyqan, ndërkohë që biznesi është thjesht një agjent, të cilin shteti e përdor për mbledhjen e këtij tatimi. Nisur nga kjo logjikë, emërtimi i këtij ligji do shkonte më shumë të ishte “Tatimi mbi Konsumin” ose “Tatimi mbi Konsumatorin”, sepse jemi ne qytetarët që në cilësinë e konsumatorit, e paguajmë atë. Pra, kur blejmë një mall, shitësi na jep në dorë një faturë, e cila thotë se ne kemi paguar 20% TVSH, vlerë e cila është llogaritur mbi çmimin që do paguanim, po të mos ishte në fuqi ky lloj tatimi.
Për hir të së vërtetës, për shkak mungesës së kulturës fiskale, – pasojë e kohës së shkurtër që vendi ynë aplikon këtë sistem ekonomik, – tek ne në 99% te rasteve, negociohet apo reklamohet çmimi me TVSH dhe nga shumica dërmuese e qytetareve perceptohet se TVSH përfaqëson 20% të atij çmimi që kanë paguar kur kanë blerë një mall në dyqan, por që në fakt, nuk është ashtu:
TVSH është 20% i asaj që quhet vlerë e tatueshme, ose 16,67 % e shumës totale që ne kemi paguar ose çmimit fundor të paraqitur në faturë. Kur paguhet 10 000 euro për blerjen e një autoveture, TVSH e paguar është 1667 euro dhe jo 2000 euro. I mëshoj faktit, që ky ligj është një ligj i komplikuar dhe me shkallë vështirësie të lartë në zbatim, ndaj pikërisht për këtë shkak, në SHBA dhe disa vende të tjera nuk është aplikuar ky lloj tatimi.
Është zgjedhur të titullohet ky ligj me emrin “Tatimi mbi Vlerën e Shtuar” (TVSH), në vend që të titullohej “Ligji për Taksën e Konsumit” për çka është në fakt, për shkak se ky emër shpjegon ose mbart në mënyrë të përmbledhur me tre fjalë mekanizmin e vjeljes së këtij tatimi, tatim të cilin shteti ia vjel konsumatorit nëpërmjet biznesit, i cili në këtë rast shërben si agjent i autorizuar nga shteti për mbledhjen e këtij tatimi.
Këto tre fjalë (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar), targetojnë detyrimin që një operator biznesi apo subjekt tatimor ka për të paguar në administratën tatimore në zbatim të këtij ligji, që me fjalë më të thjeshta, do të thotë se, çdo operator biznesi që prodhon apo kalon në dorë një mall, dhe nga blerja në shitje i shton këtij malli apo produkti një vlerë të caktuar, do duhet t’i paguajë shtetit 20% të kësaj vlere të shtuar, dhe në fund të zinxhirit, gjithë këtë vlerë që kanë paguar për shtetin operatorët pjesëmarrës në zinxhirin e prodhimit dhe tregtimit, e paguan konsumatori final. Per ilustrim dhe për ta bërë më të kuptueshëm mekanizmin, po paraqes një shembull praktik:
Një operator biznesi ka blerë një mall me çmim 5 lek/njësi. E ka shitur 6 lek/njësi. Vlera që ka shtuar është 1 lek/njësi. Në bazë të këtij ligji këtij operatorit i takon të paguajë 20% të 1 lekëshit vlerë që ka shtuar, që është 0,2 lek/njësi. (Me deformimin që ka pësuar ligji sot, deformim të cilin kërkon ta riparojë propozimi ynë, në shembullin që morëm më sipër, operatori që blen te fermeri, nuk paguan 0.2 lek, por 1.2 lek për njësi si TVSH, 6 x 20% = 1.2). Ky është një paradoks që ndodh vetëm në Shqipëri dhe askund tjetër. Nëse në prodhimin e një malli apo produkti, kanë marrë pjesë 5 operatorë prodhues apo tregtarë, sipas ligjit, secili prej tyre, do duhet të paguajë 20% të vlerës që i ka shtuar këtij malli apo produkti.
Ndërhyrjet e pastudiuara që janë bërë në Ligjin për TVSH-në në vite (6% në 2008-ën, 20% në 2014-ën, 6% në 2019-ën, 0% në 2022-shin), në kontekstin e ndryshimit të të ashtuquajturit “Kompensim i TVSH-së për fermerët”, duke ngatërruar konceptin e ketij “kompesimi” me konceptin TVSH-së si tatim, jo që nuk e kanë realizuar “kompesimin” e pretenduar, por për fat të keq, kanë deformuar frymën e ligjit dhe kanë shkelur parimin e proporcionalitetit, që është parim kyç në vjeljen e këtij tatimi.
Ndërhyrja, në kontekstin e ndryshimit të ligjit, konsinston në faktin se, në seksionin XI të Ligjit, është shtuar Seksioni 4, që përfshin nenin 150. Në pikën 1 të tij, thuhet: “ 1. Blerësi, person i tatueshëm, lëshon një faturë tatimore për shitësin prodhues bujqësor për çdo furnizim mallrash dhe shërbimesh të marrë prej tij. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, përfshirë normën e kompensimit.” dhe më tej, në nenin 68 të Udhëzimit Nr.6, datë 30.01.2015, për TVSH-në, thuhet: “Për çdo blerje nga fermerët sipas skemës së veçantë, regjimi i kompensimit të prodhuesve bujqësorë, personi i tatueshëm blerës faturën e blerjes për mallin e blerë nga fermerët e regjistron në kutitë përkatëse të librit të blerjes me përcaktimin “Vlera e tatueshme/nga fermerë vendas” dhe në një kuti të veçantë, regjistrohet vlera që i korrespondon normës së kompensimit, si produkt i vlerës së tatueshme të mallit me përqindjen e kompensimit.“
Në këto dispozita të ligjit dhe udhëzimit është urdhëruar një procedurë ekstra dokumentimi transaksioni ndërmjet operatorëve, një procedurë që devijon nga procedura normale që ligji urdhëron për transaksionet ekonomike. Për diskriminim pozitiv të fermerëve përjashtohet operatori me statusin “fermer” me xhiro vjetore deri 10 000 000 lekë nga detyrimi për të qenë subjekt i TVSH-së, duke i lejuar këtij operatori që kur shet produktin e tij tek operatorë të tjerë tregtarë, të mos llogarisë TVSH në shitje dhe të mos lëshojë faturë tatimore shitjeje. Transaksioni i mallit apo produktit nga fermeri te blerësi subjekt tatimor, në mungesë të faturës së shitësit, dokumentohet nga autofatura e lëshuar nga blerësi, duke shënuar në rubrikën e të dhënave të shitësit të dhënat e fermerit, nga i cili blihet produkti.
Deri në këtë fazë jemi në rregull, sepse është e drejtë legjitime e çdo qeverie të propozojë dhe, e ligjvënësit, të vendosë, të bëjë diskriminim pozitiv të një targetgrupi të caktuar, duke e përjashtuar nga një tatim i caktuar, apo t’u lehtësojë procedurën e dokumentimit të një lloji transaksioni malli.
Mirëpo, duke bërë këtë ndërhyrje në ligj, e cila në thelb të vet ka zëvendësimin e faturës tatimore të shitjes të lëshuar nga shitësi me faturë, me faturën e lëshuar nga blerësi për të dokumentuar dhe regjistruar një transaksion malli ndërmjet një fermeri, në cilësinë e shitësit dhe, të një subjekti tatimor, në cilësinë e blerësit, autofatura, apo fatura e lëshuar nga blerësi, në formën që është dizenjuar dhe me të dhënat që mbart, nuk pasqyron dhe nuk ka të shënuar në rubrikat e saj TVSH-në e inkorporuar në çmim. Ndërkohë që, në pikën 2 të nenit 1 të ligjit, gjejmë të përcaktuar se “TVSH-ja zbatohet si një tatim në përqindje mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve dhe bëhet e kërkueshme për t’u paguar pas zbritjes së TVSH-së që rëndon drejtpërdrejt elementet e kostos së mallrave dhe të shërbimeve”, rrethanë që në rastin tonë – kur shitës janë fermerët, nuk e bën të mundur apo nuk e lejon kreditimin e kësaj TVSH-je nga blerësi, subjekt tatimor i TVSH-së.
Pra, gjithë sa më lart sqaruam çon në shkelje të paragrafit të dytë të pikës 2 të nenit 1 të këtij ligji: operatorëve tregtarë – subjekte të këtij ligji, në rastin kur blejnë apo furnizohen te prodhuesit bujqësorë me statusin “fermerë”, u bëhet e kërkueshme TVSH e llogaritur në shitje, pa njohur dhe zbritur TVSH-në e paguar në blerje e, për pasojë, blerësi – person i tatueshëm, kur shet produktin e blerë nga fermeri, nuk paguan si Tatim mbi Vlerën e Shtuar 20% të vlerës së shtuar nga vetë ai, ashtu sikurse vetë ligji e përcakton, por paguan si TVSH, 20% të totalit të vlerës së shitur, gjë e cila e shndërron TVSH-në në tatim mbi qarkullimin, tatim i cili nuk njihet si i aplikueshëm ligjërisht në Republikën e Shqipërisë.
Rastet kur përfitohet kjo e drejtë (e drejta e zbritjes së TVSH-së në blerje), përcaktohen në nenin 69 të këtij ligji, ku TVSH e paguar në blerjet e bëra me autofaturë nga subjekti tatimor te fermeri, nuk përfshihen dhe, pikërisht për këtë, ne kemi propozuar që, në pikën 1 të këtij neni, pas gërmës “c”, të shtohet gërma “d”, me tekstin e propozuar në projektligjin e paraqitur, në mënyrë që të rregullohet kjo e drejtë e mohuar për subjektet që operojnë në sektorin e bujqësisë, të cilët me dispozitat në fuqi, janë të diskriminuar fiskalisht. Më poshtë keni tekstin e projektligjit që kam iniciuar në cilësinë e Kryetarit të Sindikatës së Fermerëve të Bashkuar, i mbështetur nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim, i paraqitur në Parlament, përmes një procesi lobimi nga deputeti, z. Agron Duka.
PROJEKTLIGJ
PER DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NE LIGJIN NR. 92, DATE
24.07.2014, “PER TATIMIN MBI VLEREN E SHTUAR NE REPUBLIKEN E
SHQIPERISE” I NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 78, dhe 83 të Kushtetutës, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë:
VENDOSI:
Në Ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
- Seksioni 4 i kreut 11 shfuqizohet.
- Pas shkronjes “c”, pika 1, e nenit 69, shtohet shkronja “d” me këtë formulim:
“d. TVSH-në e përllogaritur mbi vlerën përfundimtare të transaksionit për blerjen e produkteve bujqësore, nga personi i tatueshëm te fermerët me autofaturim.
Për efekt të këtij ligji “vlera përfundimtare e transaksionit” është vlera për produktet bujqësore ne transaksionin e blerjes së produkteve nga fermerët, në të cilën përfshihet dhe vlera e TVSH-së”.
TVSH llogaritet duke pjestuar “vlerën përfundimtare të transaksionit” me koficentin, i cili llogaritet në bazë të formulës:
100 + Norma e TVSH
I<: == ——————————-
Norma e1VS
- Ky ligj hyn në fuqi në 1 janar 2022.
Mohimi i të drejtës së zbritjes së TVSH-së në blerje, nuk ka dëmtuar vetëm subjektet tregtare që blejnë te fermeri, por ka sjellë dëme të pallogaritshme në sektorin e bujqësisë, në ekonominë kombëtare, në të ardhurat e buxhetit të shtetit, madje, ka çuar në grabitje të konsumatorëve shqiptarë, duke u marrë atyre 25-30% TVSH mbi çmimet kur ata blejnë produktet agroblegtorale që futen në treg nga fermerët vendas ( 5-10% më shmë se norma e përcaktuar si 20%).
Për këtë arsye, rreth 80% e transaksioneve të tregut të brendshëm të agroprodukteve, mendohet se bëhen në rrugë informale.
Ky deformim i ligjit, që konstatohet në nenin 69 të tij, dëmton rëndë tregtaret e brendshëm dhe eksportuesit e fruta-perimeve, agropërpunuesit, restorantet që blejnë te fermerët, prodhuesit e verës, edhe konservuesit e perimeve etj. Për pasojë, kemi ulje të kërkesës në treg për produktet e prodhuara nga fermerët, rënie të çmimit të shitjes nën koston e prodhimit; kemi orientim të operatorëve të cënuar nga ky defekt i ligjit, drejt importit, dhe dihet nga të gjithë situata e sotme: produktet rajonale kanë pushtuar tregun tonë.
Pra, në fund kemi shkatërruar ata që donim t’i ndihmonim: fermerët shqiptarë.
Le të kthehemi te titulli i këtij artikulli, ku shprehet shqetësimi ynë për zvarritjen e procesit të shqyrtimit/miratimit të këtij projektligji, rrethanë kjo që paralajmëron edhe mundësinë e mosmiratimit të tij nga mazhoranca aktuale ne Kuvend, dhe kjo, jo për pasaktësi të këtij propozimi, jo për faktin që ky ndryshim ka kosto financiare për buxhetin e shtetit, i cili është miratuar dhe nuk mund të ndryshojë, jo se ndryshimi i propozuar bie ndesh me ndonjë dispozitë tjetër ligjore, jo që ky propozim gjen papajtueshmëri me direktivat e BE-së, por për faktin e thjeshtë që ky ndryshim ligjor është propozuar nga një grup interesi (fermerët) dhe jo nga Qeveria.
Në mbledhjen e Komisionit të Çështjeve Europiane, drejtuesen e të cilit e falënderojmë që e futi në rendin e ditës këtë projektligj, gjatë atij diskutimi, nuk pati argumente kundër nga deputetët dhe votimi u shty për një mbledhje tjetër, pasi përfaqësuesit e mazhorancës kishin merakun e “Kostos financiare të këtij projektligji”.
Nuk është se i paragjykojmë këta deputetë, por u duk qartë që problemi i tyre ishte se mungonte opinioni i qeverisë për këtë projektligj, gjë e cila lexohej në pretendimin e relatores se, në të, nuk ishte llogaritur kostoja financiare e këtij ndryshimi.
Në fakt, ky projektligj, jo vetëm që nuk sjell kosto për buxhetin e shtetit, por përkundrazi, premton të sjellë të ardhura shtesë në buxhet për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024, nëse miratohet tani. E them me bindje të plotë këtë, sepse llogaria është e thjeshtë dhe e pakundërshtueshme. Duke konsideruar që është shifër e pranuar nga qeveria që 80% e transaksioneve në tregun e brendshëm të produktit të blerë nga operatorët me status fermer, bëhen në rrugë informale, atëherë llogaria do të ishte:
Produkti i Brendshëm Bruto, parashikuar nga Qeveria për vitin 2024 është 2,434,311,000,000 lek, ose 24 miliard euro. Pesha e sektorit të bujqësisë në PBB, llogaritet në 18-20%, por llogarinë tonë po e bëjmë me 18%. 24 miliard euro *18% = 4.3 miliard euro. E sigurt është që mbi 50% e këtij produkti, buron nga prodhuesit me status Fermer, se te pajisur me Nipt janë mbi 110 000. Llogaria rrjedh në 4.3 miliard euro PBB i sektorit * 50% = 2.15 miliard PBB i prodhuar nga fermerët. Llogarisim që ndërhyrja në ligj e ul informalitetin në sektor për vitin e parë, nga 80%, në 40%, që është përsëri më e lartë se përqindja e informalitetit të ekonomisë sonë në tërësi. Llogaria do të vazhdonte 2.15 miliard euro x 80% informalitet = 1.72 miliard /2= 860 milion euro produkt, që do të kalojë në rrugë formale në tregun e brendshëm. Duke llogaritur që TVSH vilet në masën 9.8% të PBB-së, do të kishim: 860 x 9.8%= 84.2 milion euro TVSH të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit nga efekti i këtij projektligji. Kjo shifër tejkalon disa herë TVSH-në që sot vilet, ose më mirë të themi, grabitet nga Qeveria, duke vjelë Tatim mbi qarkullimin në mënyrë të paligjshme, në vend që të mblidhte 20% Tatim mbi Vlerën e Shtuar të produkteve bujqësore që qarkullojnë në rrugë formale në tregun e brendshëm.
Pra, si përfundim, nuk ka asnjë arsye apo argument që ky projektligj të mos miratohet nga deputetët e mazhorancës, përveç faktit që nuk është propozuar nga Qeveria. Do ishte mirë të tregonin qoftë dhe në një rast të vetëm intergritet në këtë fundmandat, që nesër mos të ndiheshin të turpëruar nga mosveprimi i tyre.
*Opinionet janë personale të autorit dhe nuk përbëjnë qëndrim të revistës
KLIKO KETU PER TE LEXUAR PROJEKTLIGJIN E PLOTE 20211013095210Projektligj 2257 prot (1) (1)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Z. Eduart, eshte njohes i mire i problematikes qe ka parashtruar dhe vlen per t’u admiruar per pasionin dhe sqarimin shterues qe ka bere. Shpresojme qe iniciativave ligjore te tilla, te ardhura nga eksperte te fushes, te gjejne hapesira dhe te merren ne konsiderate nga ligjvenesit tane, me qellim qe te dilet nga slogani “Te gjitha i di partia”!