Pritshmëritë e bizneseve britanike për rritjen e pagave, gjatë vitit të ardhshëm ranë ndjeshëm muajin e kaluar, sipas një sondazhi të Bankës së Anglisë Bank of England, BoE), i cili mund të lehtësojë shqetësimet e politikëbërësve, se do të jetë e vështirë të mbahet inflacioni në objektiv.
Pritjet për rritjen e pagave gjatë vitit të ardhshëm, në anketën e Panelit të Vendimmarrësve të BoE-së ranë në 4.1% në maj nga 4.6% në prill, ndërsa në një bazë mesatare tre mujore, masa ra në 4.5% nga 4.8%.
Të dyja shifrat ishin më të ulëtat, që nga maji 2022.
Fitimet mesatare, pa përfshirë bonuset, u rritën me 6% vjetore në tremujorin e parë të 2024 – shumë më e lartë se norma prej rreth 3%, që shumica e politikëbërësve të BoE e shohin, si në përputhje me objektivin e tyre të inflacionit, prej 2% të çmimit të konsumit.
Muajin e kaluar, BoE parashikoi se rritja vjetore e pagave do të binte, vetëm në rreth 5.25% deri në fund të këtij viti.
Disa politikëbërës kanë thënë, se duan të shohin shenja të qarta, se rritja e pagave dhe inflacioni i çmimeve të shërbimeve po bien, përpara se të fillojnë të ulin normat e interesit, të cilat janë në nivelin më të lartë 16-vjeçar, në 5.25%.
Tregjet financiare nuk vlerësojnë plotësisht një ulje të parë të normës deri në nëntor – shumë më vonë nga sa mendonin shumë ekonomistë vetëm disa javë më parë – duke reflektuar pjesërisht inflacionin e vazhdueshëm në Shtetet e Bashkuara, si dhe në Britani.
Vrojtimi i Bankës së Anglisë tregoi se, bizneset prisnin, që inflacioni brenda një viti të ishte 2.9%, i pandryshuar nga pritshmëria e muajit prill dhe mbi normën aktuale prej 2.3%.
Banka qendrore parashikon, se inflacioni do të rritet drejt fundit të vitit, pasi ndikimi i rënieve të fundit në çmimet e rregulluara të energjisë për familjet, zbehet.
Sondazhi i BoE u bazua, në përgjigjet nga 2,317 firma, midis 10 majit dhe 24 majit. / Reuters