Prezantohet për herë të parë Manuali Doganor për Pasagjerët

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Genti Gazheli, zhvilluan një inspektim në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” me fokus prezantimin e Manualit Doganor për Pasagjerët, një botim i ri dhe thelbësor i Administratës Doganore Shqiptare.
Ky manual, i publikuar për herë të parë, përmbledh në një dokument të vetëm rregullat kryesore për hyrjen dhe daljen e pasagjerëve nga territori shqiptar, duke ofruar udhëzime të qarta mbi mallrat e lejuara dhe të ndaluara, deklarimin e valutës, barnat, kafshët shtëpiake, mbrojtjen e pasurive kulturore dhe procedurat për mjetet e transportit.
Gjatë inspektimit, Ministri i Financave nënvizoi rëndësinë e këtij botimi për lehtësimin e udhëtimit dhe shmangien e penaliteteve: “Shumë qytetarë hasin vështirësi për të kuptuar procedurat doganore. Ky manual u ofron atyre një udhërrëfyes të qartë, që thjeshton udhëtimin dhe garanton një proces më të qetë e më transparent,” deklaroi z. Malaj.
Drejtori i Doganave theksoi modernizimin që sjell ky publikim, si dhe aksesueshmërinë e tij të menjëhershme: “Manuali përmbledh gjithë informacionin që pasagjerët duhet të dinë dhe është i aksesueshëm me një klikim, si në faqen e Doganës ashtu edhe përmes QR code në pikat kufitare. Kjo rrit transparencën dhe unifikon komunikimin me publikun,” u shpreh z. Gazheli.
Manuali Doganor për Pasagjerët është tashmë i publikuar online dhe i disponueshëm për të gjithë udhëtarët në: https://dogana.gov.al/manuali_pasagjeret.pdf
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









