Presidentja shpërndan Kuvendin, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar vendimin për shpërndarjen e Kuvendit pas takimit me liderët e partive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar të enjten vendimin për të shpërndarë Kuvendin, pasi një ditë më parë, deputetët dështuan për herë të dytë që të zgjidhnin ekzekutivin e ri të vendit.
Nënshkrimi i dekretit për shpërndarjen e Kuvendit vjen po ashtu pasi udhëheqësit politikë nuk arritën asnjë marrëveshje që deputetët të provojnë t’i votojnë sot disa marrëveshje me rëndësi për vendin.
“Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ky veprim erdhi pasi edhe mandatari i dytë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, dështoi të sigurojë votat e nevojshme për formimin e qeverisë, duke përmbyllur kështu të gjitha afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 26 tetorit.
Pas shpërndarjes së Kuvendit, sipas Kushtetutës, presidentja është e obliguar të caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda 40 ditësh.
Osmani tashmë ka zhvilluar konsultimet me përfaqësuesit e partive, të cilët kanë shprehur data 21 dhe 28 dhjetor si të preferuara për mbajtjen e zgjedhjeve.
Pas përfundimit të takimit me presidenten Vjosa Osmani, kreu i PDK-së, Bedri Hamza deklaroi para mediave se kanë kërkuar që data e zgjedhjeve të jetë 21 dhjetori.
Hamza tha se kjo datë është propozuar për të mos humbur më shumë kohë.
“Presidentja bazuar në zhvillimet e seancës së djeshme ku mandatari i dytë nuk arriti ti sigurojë votat sot ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Kemi kërkuar që të jetë data 21 për shpalljen e zgjedhjeve. Vendi ka nevojë sa më shpejtë të ketë institucione. Vendi ka nevojë të shpejtë për formim të institucioneve. Data tjetër që u përmend në takim ishte data 28 por ne ishim për datën 21”.
Tutje kryetari i PDK-së tha se nuk kanë vija të kuqe për asnjë subjekt politik.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se sot është nënshkruar dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas tij, datat e propozuara janë 21 dhe 28 dhjetor.
“Duke qenë se është humbur shumë kohë, duke qenë se ka shumë akumulime të temave buxhetore, kemi propozuar që dita e zgjedhjeve të jetë 21 dhjetor. Mendojmë se në këtë mënyrë do ta fitojmë një javë kohë për vazhdimet buxhetore.
Qeveria e Kosovës mund të marrë vendime për të përmbushur disa detyrime buxhetore që i ka si ndaj RTK-së edhe ndaj palëve tjera. Periudha e para vitit të ri, sepse pushteti po kërkon 28 dhjetorin, kjo periudhë është për familjen dhe është një arrogancë nga politika që me u shpall zgjedhjet më 28 dhjetor”.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka ftuar qytetarët që të analizojnë mirë nëntë muajt pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe të ndëshkojnë ata që ishin përgjegjës për moskrijimin e institucioneve. Ai ka thënë se partia e tij do të jetë pjesë e zgjedhjeve të parakohshme qoftë me koalicion, qoftë vetëm. Shtoi se do të analizojnë mirë në çfarë drejtimi do të shkojë Nisma.
Pas takimit me presidenten, Limaj ka thënë se data ideale për zgjedhje është 21 dhjetori.
Ai përsëriti se janë përpjekur për të gjetur zgjidhje.
“Po përfundon cikli nëntëmujor. Është lajm i keq për Kosovën. Këto forca politike kanë dëshmuar se nuk kanë pjekuri politike. Kjo që ka ndodh sot tregon paaftësi, papjekuri dhe panjohuri si ndërtohet shteti. Shpresoj që qytetarët në zgjedhjet e ardhshme do t’u kërkojnë llogari përgjegjësve për moskrijimin e institucioneve. Kosova e humbi një vit. Është momenti t’i kthehemi qytetarëve”.
Me nënshkrimin e vendimit, vendi hyn zyrtarisht në proces zgjedhor, ndërsa institucionet aktuale do të vazhdojnë punën në kapacitet të kufizuar deri në formimin e qeverisë së re.
Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën më 9 shkurt. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 20.95, LDK-ja me 18.27 dhe AAK-Nisma me 7.8 për qind të votave.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









