Presidenti kenian, William Ruto, tha se ai nuk do të nënshkruajë një projektligj të diskutueshëm financiar, duke u tërhequr përballë protestave masive, që përfshinë vendin dhe thuhet se lanë të paktën 23 njerëz të vdekur.
“Duke reflektuar mbi bisedën e vazhdueshme në lidhje me përmbajtjen e projektligjin për financat 2024, dhe duke dëgjuar me vëmendje popullin e Kenias, të cilët kanë thënë me zë të lartë se nuk e duan atë, nuk do ta nënshkruaj”, tha Ruto.
“Njerëzit kanë folur,” tha Ruto. “Pas miratimit të projektligjit, vendi përjetoi një shprehje të gjerë të pakënaqësisë ndaj projektligjit të miratuar, që fatkeqësisht rezultoi në humbje jete, shkatërrim pronash dhe përdhosje të institucioneve kushtetuese.
Protestuesit në Kenia thonë se do të vazhdojnë me “Marshimin e një milion njerëzve”, pavarësisht se Ruto pranoi kërkesën e tyre kryesore për heqjen e projektligjit.
Një poster i shpërndarë gjerësisht në mediat sociale, u bën thirrje të gjithë brezave, që të dalin në rrugë në të gjithë vendin të enjten dhe të bllokojnë rrugët, që të çojnë në kryeqytetin Nairobi.
Disa protestues kanë bërë thirrje gjithashtu, që njerëzit të pushtojnë Shtëpinë e Shtetit në Nairobi.
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, ka folur me Ruto-n për të kërkuar përmbajtje dhe kontroll.
Sipas një leximi të thirrjes nga Departamenti i Shtetit, Blinken “theksoi rëndësinë e forcave të sigurisë, që të demonstrojnë përmbajtje dhe të përmbahen nga dhuna dhe inkurajoi hetime të shpejta mbi akuzat për abuzime të të drejtave të njeriut”.
Kenia, një komb i lavdëruar shpesh për stabilitet, kishte parë protesta të përshkallëzuara mbi projektligjin, të cilin qeveria e prezantoi për të frenuar borxhin publik.
Javën e kaluar, qeveria hoqi disa rritje taksash, duke përfshirë një taksë mbi vlerën e shtuar prej 16% për bukën së bashku me taksat për automjetet, vajin vegjetal dhe transfertat e parave celulare. Por koncesionet nuk ishin të mjaftueshme për të shuar protestat mes rritjes së kostos së jetesës.
Të martën ato u bënë vdekjeprurëse, kur forcat e sigurisë hodhën gaz lotsjellës dhe municione ndaj protestuesve.
Skena dramatike në kryeqytetin e vendit Nairobi, panë ndërtesat qeveritare të djegura dhe një topuz ceremonial të vjedhur nga parlamenti në përleshje. Ligjvënësit kenianë u evakuuan nga parlamenti, ndërsa policia u ngrit kundër protestuesve, raportoi NTV Kenya.
Të paktën 23 persona ndërruan jetë, sipas Grupit të Punës për Reformat e Policisë në Kenia, (PRWG) një organizatë e shoqërisë civile.
PRËG pretendoi në një deklaratë të publikuar nga Amnesty International Kenya, se policia synoi protestuesit e rinj, të paarmatosur, jashtë parlamentit, me dhunën që vazhdoi gjatë natës.
Ata shtuan se “raportet tregojnë se policia qëlloi disa njerëz në Githurai, Nairobi, një mbi 40 herë – midis orës 22:00 dhe 01:00, shumë pas përfundimit të protestës.”
Kjo ishte në kontrast me detajet e dhëna nga Ruto, i cili tha se gjashtë persona humbën jetën.
“Unë dërgoj ngushëllimet e mia për familjet e atyre, që humbën të dashurit e tyre, në këtë mënyrë shumë fatkeqe,” shtoi Ruto.
“Ka nevojë, që ne si komb të nisemi nga këtu dhe të shkojmë në të ardhmen,” tha Ruto, duke shtuar se do të zhvillonte një diskutim me të rinjtë në ballë të protestave, për të dëgjuar idetë dhe propozimet e tyre.
Shoqëria Juridike e Kenias, po bën thirrje për dorëheqjen e inspektorit të përgjithshëm të policisë së Kenias dhe komandantit rajonal të Nairobit, për shkak të pretendimeve të oficerëve, që qëlluan protestuesit.
Shoqëria Juridike tha gjithashtu se policia “rrëmbeu” disa përdorues të shquar të mediave sociale të lidhur me protestat dhe gjashtë persona mbeten të zhdukur.
“Raportet nga ata, që janë liruar, janë se ata janë marrë me sy të lidhur dhe me pranga, dhe ata nuk e dinin se ku ishin”, pasi shoqëria siguroi lirimin e gjashtë personave.
“Edhe pasi kanë dalë, shumica prej tyre janë mjaft të tronditur dhe të frikësuar dhe duan të fshihen. Mesazhi ynë për qeverinë, është që nëse një vend ndërtohet mbi frikën, një ditë njerëzit nuk do të kenë më frikë. Dhe kjo është ajo, që pamë të martën.”
Ndryshimi i zemrës së Rutos erdhi si befasi për disa, që vëzhguan qëndrimin e tij të ashpër vetëm një ditë më parë.
Gjatë një fjalimi mbarëkombëtar pas djegies së parlamentit, Ruto tha se ngjarjet e së martës ishin një kërcënim serioz për “sigurinë kombëtare” dhe se biseda rreth projektligjit ishte “rrëmbyer nga njerëz të rrezikshëm”.
Analisti kenian Herman Manyora tha se tërheqja e projektligjit shumë më herët, mund të kishte shpëtuar jetët e humbura të martën.
/ CNN