Policia belge bastis shërbimin diplomatik të BE-së për dyshime mashtrimi

Policia belge ka bastisur Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) në Bruksel dhe Kolegjin e Europës në Bruges, si pjesë e një hetimi për dyshime mashtrimi, bëri të ditur të martën Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO).
Sipas prokurorëve, tre persona u ndaluan në kuadër të hetimit, i cili lidhet me trajnime të financuara nga BE-ja për diplomatët e rinj.
Sipas transmetuesit belg VRT, mes personave të ndaluar dyshohet të jetë edhe Federica Mogherini, ish-shefja e diplomacisë së BE-së dhe aktualisht drejtuese e Kolegjit të Europës. Prokurorët europianë thanë se nuk mund të bëjnë publike identitetet.
Bastisjet u kryen të martën, me kërkesë të prokurorëve, në disa godina të EEAS, në Kolegjin e Europës, si dhe në banesat e personave të dyshuar. Kolegji i Europës është një institucion ku të diplomuarit nga vendet anëtare të BE-së përgatiten për karriera të mundshme në institucionet europiane.
Prokurorët thanë se kanë “dyshime të forta” për mashtrim në një tender që dha një program trajnimi nëntëmujor për diplomatët e rinj të vendeve anëtare në periudhën 2021–2022. Tenderi u zhvillua nga shërbimi diplomatik i BE-së dhe u fitua nga kolegji.
Kolegji i Europës nuk pranoi të komentojë mbi raportimet, ndërsa EEAS nuk ishte menjëherë i disponueshëm për koment./ Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









