Nga Eduart Gjokutaj /
Sa më pak ndikon një taksë në vendimet e sipërmarrjeve prodhuese dhe tregtuese, apo në vendimin e konsumatorëve-individë për të blerë dhe kursyer, aq më eficent është sistemi fiskal. A mund të sigurohet kjo eficencë në jetën tonë të përditshme?
Mendoj se po, nëse:
– zgjerojmë bazën e taksapaguesve të çdo tip tatimi dhe kategorie të ardhurash;
– heqim përjashtimet tatimore dhe stimulimet për taksapaguesit e biznesit të vogël, me synim barazinë e peshës që duhet të mbajë secili nga barra fiskale kombëtare;
– reduktojmë numrin e shkallëve të taksimit;
Por, çfarë ndodh nga ndikimi i taksave në të ardhurat tona? A mund të sjellë mbarësi e gjallëri ekonomike ulja e tatimeve, duke sjellë si rrjedhojë më shumë vende pune, paga më të larta dhe përfitime më të mëdha për individët?
Kjo mund të ndodhë kur ne të kemi transparente barrën fiskale, që mbart çdonjëri prej nesh. Shpërndarja e kësaj barre në proporcion të drejtë me të ardhurat është një pikë kyçe në përhapjen e një ndikimi pozitiv prej taksave.
Për të ditur shpërndarjen e barrës, duhet të merret në analizë struktura e të ardhurave nga tatimet dhe doganat. Pyetja shtrohet se cili ka qenë “guri i themelit” për të ardhurat fiskale. Nga tabela 1 shihet se ende tatimet indirekte kanë mbizotëruar të ardhurat buxhetore. Në këtë mes, barra fiskale ka rënduar te konsumatori (nëpërmjet çmimeve), por është paguar nga biznesi i madh. Në këtë mes, diskutimi zhvendoset te pjesa që ka paguar secili nga bizneset dhe niveli i fshehjes së të ardhurave. Për të qenë korrekt me analizën e porsafilluar, unë nuk po prezantoj hamendësime, pasi studimet e mirëfillta për informalitetin dhe evazionin tatimor mungojnë. I vetmi referim lidhur me nivelin e mundshëm të informalitetit është një studim i bërë nga Banka Botërore në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, në vitin 2004. Nga ky studim, informaliteti mendohet të ishte në masën 40%.
Diskutimi, që shtrohet përpara, lidhet me efektin që do të vinte nga zbatimi i skemave të tatimit mbi të ardhurat në individët dhe bizneset, si rrjedhojë në ekonominë dhe Prodhimin e Brendshëm të vendit.
Për qartësim, mendoj ta ilustrojmë duke diskutuar elementët e tabelës 2.
Në tabelën 2 janë vendosur gjithë shtresat shoqërore dhe segmentet e tatimpaguesve, duke përfshirë të gjitha grupet që janë objekt taksimi në Shqipëri. Në grupin 1 përfshihen të gjithë ata që janë me të ardhura minimale, por objekt i tatimit mbi të ardhurat. Në grupin 2 përfshihen punonjësit e niveleve me të ardhura mesatare. Në grupin 3 përfshihen administratorë dhe drejtues të sektorëve publikë, si dhe gjithë të ardhurat e bizneseve të vogla (segmenti më i madh). Në grupin 4 përfshihen gjithë prodhuesit, tregtuesit dhe profesionistët me të ardhura mujore të paktën 25 mijë euro në muaj. Në grupin 5. përfshihen gjithë të pasurit dhe bizneset më të mëdha të vendit (segmenti më i vogël). Në tabelë, treguesit prezantohen vetëm për 1 tatimpagues të grupit.
Nga përllogaritjet e bëra nga Qendra AL-Tax, lidhur me bazën tatimore për të gjitha tipet e tatimeve (individual, biznes, kontribute, TVSH etj.) objekt për të paguar të paktën një detyrim ndaj buxhetit (tatim ose kontribut sigurimesh) janë afro 900 mijë njësi. Në këtë bashkësi përfshihen punëmarrës dhe sipërmarrjet e biznesit, të cilat paguajnë respektivisht tatim mbi të ardhurat nga paga, si dhe tatim fitimi dhe tatime të tjera në burim. Analiza më poshtë presupozon se administrimi tatimor është optimal, që do të thotë se baza tatimore është më e gjera e mundshme, paguese e rregullt e detyrimeve, si dhe nuk ka përjashtime dhe shmangie ligjore në lidhje me këtë tatim, duke përfshirë të gjithë sektorët e ekonomisë (edhe bujqësinë). Le ta analizojmë fillimisht në këndvështrimin e përfitimit në interes të buxhetit të shtetit. Përfitimi më i madh për grupin 1 llogaritet të vijë nga skema me shkallëzim zbritës; për grupin 2, nga skema me shkallëzim zbritës; për grupin 3, nga skema me shkallëzim zbritës dhe ngjitës; për grupin 4, nga skema me shkallëzim ngjitës; për grupin 5, nga skema me shkallëzim ngjitës. Në këtë llogaritje, shikohet se të ardhurat që përllogariten për tatimin mbi të ardhurat (nga punësimi, individual, korporativ, në burim) është pothuajse sa shuma, që mblodhën vitin e kaluar dy agjencitë publike të të ardhurave. Por, llogaritja, pa marrë parasysh të konkurrojë në statistika bën një vlerësim të të ardhurave teorikisht të arkëtueshme, sipas përcaktimeve pak më lart.
Por, analiza nuk ka mbaruar. Për të parë si kanë dhënë ndikim real politikat fiskale në 10 vitet e fundit në buxhet dhe te mentaliteti i tatimpaguesve (rritje e formalizimit të tatimpaguesve) tabela 4 paraqet disa të dhëna.
Nga krahasimi i periudhës së viteve 2000-2008 (skema e taksimit me shkallëzim ngjitës) me vitet 2008–2010 (skema e taksimit proporcional) baza tatimore ka një ndryshim në favor të skemës së dytë. Po kështu, nëse shikojmë efektin në buxhet, ndikimi është i madh aty ku jepet efekti direkt: tek e ardhura personale.
Natyrisht, që analiza nuk ka qëllim të jetë “avokate” e politikës, por të shprehë fakte dhe përllogaritje, për të cilat është e hapur t’i debatojë.
Por, edhe pse duket sikur analiza ka përfunduar, në fakt mbetet edhe një element për t’u trajtuar.
Ato janë tatimet indirekte. Nga krahasimi i periudhës së viteve 2001–2005 me vitet 2006– 2010 baza tatimore ka një rritje me dy herë, që ka ardhur nga faktorë të miradministrimit, rritjes së kulturës fiskale, si dhe ndikimit të politikave ekonomike dhe fiskale në tërësi. E njëjta mënyrë logjike shprehet edhe në të ardhurat që vijnë nga tatimet indirekte.
Të dy barrët e tatimeve janë shkarkuar mbi “supet” e tatimpaguesve të biznesit të madh dhe të mesëm, kurse pesha te biznesi i vogël është me një ndikim të pakët. Kjo tregon se deri më sot, pavarësisht skemave të taksimit të përdorura, politika fiskale me shkallë të ulura ka pasur ndikim, por shpërndarja e barrës mbetet ende një detyrë që ndikohet nga të gjithë për të gjithë.
Mendoj se analiza mund të plotësohet me mjaft elementë të tjerë, si përdorimi i teknologjisë informatike, pajisjeve të matjes së xhirove dhe volumeve të mallrave, shtimit të përdorimit të kanaleve bankare për qarkullimin e likuiditeteve, përdorimit të një sistemi më të fortë të kontabilitetit dhe ndërthurje më të plotë me legjislacionin fiskal, rritja e shkëmbimit të informacionit brenda vendit dhe me administratat homologe, aftësimi i funksioneve bazë të administratës, si dhe një rritje e vullnetit të politikës në luftën ndaj korrupsionit që kur të mbërthen nuk të lëshon kollaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.