Parandalim, sa nuk është vonë!
Tërmeti i fundit në Itali, me pasoja shkatërruese dhe humbjet e rreth 280 jetëve, ka hapur sërish librin e madh të asaj që është bërë dhe nuk është bërë, me shumë kapituj analizash e veprimesh.
Shqipëria, njësoj si Italia, Greqia dhe Turqia është në një rajon në mes të pllakave tektonike që, sipas studiuesve, prodhojnë tërmet rreth 6 ballë gati çdo vit.
Vendi i shqiponjave është përfshirë në zonën e kuqe në hartën botërore të goditjes nga fatkeqësitë natyrore, çka do të thotë se ka një ekspozim të lartë nga fatkeqësitë. Për rrjedhojë, risku ekonomik nga këto dukuri është i lartë.
Sipas studimit të Qendrës Europiane për Çështje të Sigurisë, midis viteve 1989 e 2006, tërmetet zënë përkatësisht 17% të fatkeqësive të ndodhura në Shqipëri. Rreth 86% e territorit të saj ku gjenerohet mbi 88.5% e PBB, është e ekspozuar nga dy a më shumë fatkeqësi natyrore. Humbjet ekonomike të shkaktuara nga këto fatkeqësi midis 1974-2006, janë llogaritur mesatarisht në 68.7 milionë USD në vit.
Së bashku me disa vende të tjera të Ballkanit Lindor e Juglindor, Shqipëria po thuajse çdo vit ka pësuar një tërmet me magnitudë më të ulët se 6.5. Shtatë qytetet më të mëdha të Shqipërisë futen në zonën me probabilitet 75% prej këtij rreziku dhe 10% e territorit shqiptar konsiderohet i paqëndrueshëm, pasi është objekt i rrëshqitjes së dherave.
Ndërsa Drejtoria e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, llogarit një kosto prej 35 milionë eurosh në vit që i krijohet vendit nga fatkeqësitë natyrore, të tilla si përmbytjet, tërmetet, zjarret etj. Që nga 2009, ku përmbytjet kanë vijuar me intensitet të lartë, dëmi në total në vlera neto i krijuar deri në fund të 2015-s llogaritet rreth 200 milionë euro.
Përtej shifrave, konkluzioni i nxjerrë nga specialistë të ndryshëm është që kapacitetet shqiptare për emergjencat civile nga aspekti sasior dhe cilësor janë të papërshtatshme. Sidomos në disa fusha specifike si evakuimi mjekësor (autoambulanca) dhe automjete zjarrfikëse, pasi Shqipëria është prapa në raport me vende të tjera europiane, të krahasueshme me të nga përmasat dhe niveli i zhvillimit
Ekziston një rrezik i madh që tërmetet të rëndojnë bilancet e tregut financiare, duke u shndërruar në barrë për kompanitë e sigurimeve dhe në kredi të këqija për bankat, pasi shumë nga objektet janë të lëna si kolateral.
Ndërsa duhet ende shumë punë për të përmirësuar në menaxhimin e situatës nëse ndodh një fatkeqësi natyrore, akoma më i rëndësishëm është parandalimi. Sot ka shumë vend për të diskutuar për kontrollin mbi cilësinë e ndërtesave. Vetë ndërtuesit pohojnë nën zë se pavarësisht se disa kritere ekzistojnë, është shumë e lehtë të marrësh një certifikim për cilësinë e betonit dhe të hekurit nëse paguan nën dorë. Për më tepër, në fuqi janë standardet e vitit 1989, dhe ndonëse është kërkuar nga Shoqata e Ndërtuesve të rishikohen, ato janë lënë pas dore.
Rritja e sigurisë së ndërtimeve të reja dhe verifikimi i atyre ekzistuese për zbatimin e parametrave të sigurisë do të ishte elementi kryesor që do të ndikonte në reduktimin e dëmeve në jetë njerëzore, që është dhe humbja më e madhe dhe e pakompensueshme në të tilla fatkeqësi.
Sipas llogaritjeve nga SHBA, për kostot dhe përfitimet (duke u nisur nga dëmet në humbjet e jetëve njerëzore) rezulton se një euro e investuar për parandalim kursen 4 euro kosto për rindërtim, me diferenca që varen nga lloji i ndërhyrjes.
Dekadat e fundit, natyra e ka kursyer Shqipërinë nga shkatërrimet prej tërmeteve (i fundit më i fuqishmi deri tani ka qenë ai i Shkodrës në vitin 1979). Vendi ka qenë më i prekur nga përmbytjet, që janë bërë të zakonshme vitet e fundit dhe përvoja e deritanishme ka treguar se pak është mësuar dhe pak është investuar jo vetëm për t’i parandaluar, por edhe për të marrë seriozisht, apo studiuar me themel ndryshimet klimaterike (shterimi i ekspertëve të fushës, sidomos atyre që studiojnë tërmetet, madje është një tjetër shqetësim).
Që të mos kujtohemi si gjithnjë që të marrim masa pasi ka ndodhur fatkeqësia, investimet në parandalimin e fatkeqësive natyrore (tërmetet, përmbytjet etj.) do të ishin zgjidhja më eficiente për të pasur më pak kosto në afatin e gjatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.