Të rinjtë shqiptarë duket se e kanë më të vështirë të gjejnë një punë, duke pasur një tendencë të njëjtë, me disa shtete të eurzonës (kryesisht ato që po ndijnë më shumë krizën, si Greqia, Spanja apo Italia).
Sipas anketës së forcave të punës për vitin 2011 të INSTAT, të botuar së fundmi, shkalla e papunësisë tek të rinjtë mes moshës 25 deri në 34 vjeç është 16.6%, më e larta nga të gjitha grupmoshat e tjera, përveç asaj 15-24 vjeç, ku kjo normë është 23.4%, për shkak se një pjesë e madhe e të rinjve të kësaj moshe vazhdojnë shkollën.
Për të gjithë grupmoshat nga 15 në 64 vjeç, shkalla e papunësisë rezulton 13.9%.
Edhe shkalla afatgjatë e papunësisë, për të rinjtë, grumoshën 25-34 vjeç është më e larta (duke përfshirë sërish grupin nën 24 vjeç), prej 12.5%, nga 10.2% që është mesatarja afatgjatë e papunësisë për të gjitha grupmoshat.
Grupmosha nga 35-44 vjeç rezulton se ka nivelin më të ulët të papunësisë si afatshkurtër ashtu dhe afatgjatë, me përkatësisht 9.9 dhe 7.8%.
Sipas rezultateve të Anketës së Forcave të Punës (AFP) 2011, 68.2 përqind e popullsisë në moshë pune në Shqipëri ishte aktive në tregun e punës (pra të punësuar ose të papunë).Femrat përbënin rreth 44 përqind të forcave aktive të punës. Shkalla e aktivitetit ekonomik varion në mënyrë të rëndësishme sipas gjinisë. Shkalla e pjesëmarrjes në tregun e punës për femrat ishte 60.3 përqind ndërsa për meshkujt ky tregues ishte 76.1 përqind.
Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ishte 46.5 përqind. Diferenca prej 21.7 përqindm e shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës për grupmoshën15-29 vjeç dhe grupmoshën 30-64 vjeç shpjegohet, sipas INSTAT, nga fakti që një përqindje e lartë e të rinjve janë duke ndjekur shkollën. Nga të dhënat e AFP 2011 rezulton që 65.7 përqind e të rinjve 15-29 vjeç nu kishin pjesëmarrës në tregun e punës për arsye se ata ishin duke ndjekur shkollën.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.