Friday / September 13 / 2024
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Editoriali Monitor

Ekuilibri i cënuar!

Share Share Icon

Katër janë parimet bazë mbi të cilën funksionon një ekonomi tregu. Së pari, njerëzit maksimizojnë fitimet; së dyti, minimizojnë kostot; së treti, tregu vendos ekuilibrin dhe së katërti, kur prishet ekuilibri atëhere ndërhyn shteti.

Por, në rast se shteti ndërhyn më shumë sesa duhet, duke ndryshuar shumë shpesh legjislacionin apo barrën e taksave, ai rrezikon të dështojë në misionin e tij për të maksimizuar të ardhurat në buxhet, me një efekt domino, që transmetohet në të gjitha hallkat e tjera, nga biznesi te individët.

Në fakt, bizneset janë mësuar me ndërhyrjet e shpeshta, sidomos në aspektin e ndryshimeve legjislative, por dy vitet e fundit edhe në nivelet e taksave. Çdo fillim viti një sërë udhëzimet të reja miratohen, në kuadër të të ashtuquajturës paketë të re fiskale.

Por, ditët e para të 2015-s po i gjejnë sipërmarrjet përballë një situate vërtet kaotike, më të rënduar në krahasim me vitet e kaluara. Dy ligje tërësisht të reja dhe të rëndësishme kanë hyrë në fuqi, ai i TVSH-së dhe Kodit Doganor, më shumë se një duzinë udhëzimesh janë ndryshuar dhe qershia mbi tortë ishte sistemi i ri online, i cili ndonëse është më i mirë se i pari, duke mos qenë tërësisht funksional, e shtoi më shumë amullinë në sistem. Dhe me udhëzimin e ligjit të ri të TVSH-së, që ende nuk është publikuar, duke lënë të pasqaruara çështje të tilla si përjashtimet, autofaturat, apo shërbimet nga jashtë, fillimi i shkurtit pritet të jetë sërish i vështirë për kontabilistët.

Pa mohuar që synimi kryesor i këtyre ndryshimeve është t’ia bëjnë jetën më të lehtë biznesit, shpeshtësia e ndryshimit të tyre dhe ngarkesa administrative e menjëhershme rrezikon të kthehet në një bumerang. Në një vend si Shqipëria, ku ekonomia informale është shumë e lartë, nga 30-50%, nuk është për t’u habitur që tatimpaguesit ta perceptojnë kompleksitetin e legjislacionit tatimor dhe dykuptimësinë e tij si shkak për evazionin tatimor dhe për këtë arsye, të shfrytëzojnë “shtigjet” që gjejnë për të shmangur pagesën e taksave. Në kahun tjetër, biznesi mund të bëhet “pre” e gjobave, jo për fajin e tij (përvoja e deritanishme ka treguar që sa herë ka ndryshime të shumta ligjore, në pjesën e parë të vitit shtohen gjobat për shkak të moskuptimit të legjislacionit të ri fiskal).

Dy vitet e fundit ka ndryshuar ndjeshëm dhe barra tatimore. Në 1 janar 2014 u rrit tatim fitimi për kompanitë nga 10 në 15%. Nga fillimi i 2015-s edhe dividendi është bërë 15%, nga 10% që ishte më parë. Për kompanitë e mëdha, që tashmë kanë arritur në një fazë ku e kanë të domosdoshme të vlerësojnë pritshmëritë e tyre, bazuar mbi plane biznesi, pasiguria e nivelit të barrës tatimore, që i shtohet mjedisit të dobët ekonomik, ndikon negativisht në vendimet për investime të mëdha, të cilat gjenerojnë vende pune dhe përshpejtojnë rritjen ekonomike. Kujtojmë këtu që është biznesi ai që gjeneron 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Në të njëjtën mënyrë, pasiguria transmetohet dhe tek investitorët e huaj, të cilët në garën e fortë rajonale, janë në dilemë për të zgjedhur Shqipërinë, Maqedoninë, apo Serbinë si qendra të tyre për të investuar. Ndërsa i mëshohet faktit që niveli i taksave nuk është shqetësimi kryesor i investitorëve të huaj (avantazh të cilin tashmë e kemi humbur), kompleksiteti i tyre dhe shpeshtësia e ndryshimit, ku Shqipëria duket se ka një disavantazh të dukshem, janë një faktor i rëndësishëm, që sipërmarrësit e huaj e marrin në konsideratë.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore “Të paguash taksat 2015”, rezulton se koha për të përmbushur pagesën e taksave (përgatitja, plotësimi dhe pagesa) në Shqipëri është 357 orë në vit, ndër më të lartat në Europën Qendrore e Lindore, ku për Maqedoninë dhe Kosovën, shifrat janë përkatësisht 119 dhe 155 orë. Numri i pagesave është sërish ndër më të lartët, në 34, nga 7 që e ka Maqedonia. Ndërsa synimi i sistemit të ri elektronik është pikërisht ulja e kohës që duhet për të paguar taksat, duket se të paktën në afatin e shkurtër, efekti po rezulton i kundërti…

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu Falas!