Rihapja e ankandit të obligacioneve 7-vjeçare që u zhvillua ditën e enjte konfirmoi tendencën në rënie të yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i uniform i pranuar i obligacioneve 7-vjeçare zbriti në 5.5%, nga 5.78% që kishte qenë në ankandin fillestar të këtyre instrumenteve, më datë 8 maj.
Pjesëmarrja në ankand rezultoi përsëri mjaft e lartë. Nga 3 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, kërkesat totale në ankand arritën vlerën e gati 5.4 miliardë lekëve.
Yield-i i obligacioneve 7-vjeçare ka prekur nivelin më të ulët që prej gushtit të vitit të kaluar. Një tendencë të ngjashme në dy muajt e fundit kanë shfaqur edhe instrumentet e tjera afatgjata të borxhit të qeverisë shqiptare. Në mesin e këtij muaji, yield-i uniform i pranuar në rihapjen e ankandit të obligacioneve 15-vjeçare zbriti në 7.45%, nga 7.94% që kishte qenë në ankandin fillestar të të njëjtit emetim, që u zhvillua në muajin shkurt.
Ndërkohë, instrumentet afatshkurtra (bonot e thesarit) ngelen shumë afër nivelit të normës bazë të interesit, madje në disa raste edhe poshtë këtij niveli. Gjithashtu, yield-et e bonove të thesarit pësuan një rënie të mëtejshme në ankandin e kësaj jave, duke prekur nivelet më të ulëta në gjashtë muajt e fundit.
Rënia e yield-eve dëshmon gjendjen e mirë të likuiditetit në tregun financiar dhe zhvendosjen e pritshmërive rreth ecurisë së normave të interesit në të ardhmen, për shkak të rënies së inflacionit në muajt e parë të vitit 2024.
Banka e Shqipërisë për momentin ka lënë mënjanë idenë e rritjes së mëtejshme të normave të interesit, duke e mbajtur normën bazë të pandryshuar në nivelin 3.25%. Në deklaratën e këtij muaji, Këshilli Mbikëqyrës shprehej se vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri.
Megjithatë, gjatë këtij muaji Banka e Shqipërisë ka nisur operacione monetare me natyrë lehtësuese, duke blerë sasi të mëdha valute me qëllim frenimin e mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit me euron.
Normat e ulëta të interesit dhe gjendja e mirë e sektorit financiar po nxitin një rritje të kreditimit me ritme mjaft të larta. Për katër muajt e parë të vitit 2024, vlera e kredisë së re të disbursuar arriti vlerën e 117 miliardë lekëve, në rritje me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.