Kredia për biznes duket se është në ngërç, në një kohë kur bankat kanë vështirësuar edhe më shumë kushtet dhe kompanitë kanë ulur kërkesat për kreditim, si pasojë e pasigurisë nga kriza. Sektorët që po preferohen të kreditohen dhe kushtet e huasë
Nga Laura Çela
Ritmet e rritjes së kredisë gjatë vitit 2012 kanë qenë më të ulëtat e dekadës së fundit. Kredia për ekonominë është zgjeruar me bazë vjetore deri në fund të nëntorit me vetëm 4%, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, nga rreth 11% një vit më parë dhe larg ritmeve të rritjes prej 50% që u konstatuan deri në vitin 2008
Kredia për biznes në fund të nëntorit 2012 arriti në 400 miliardë lekë duke u rritur kështu në mënyrë të moderuar.
Sektori që ka ndikuar në rritjen e kredisë për biznes është energjia, që është zgjeruar me 46% krahasuar me një vit më parë. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e kredive me garanci shtetërore për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, dhe jo për investime nga ana e kompanive private.
Sektori i ndërtimit, ndërkohë, por vijon të regjistrojë rënie të pandalshme, duke u tkurrur 6% në fund të nëntorit 2012 krahasuar me një vit më parë.
Drejtuesit e bankave, të pyetur nga “Monitor”, thonë se janë bizneset ato që kanë ulur kërkesat për të marrë kredi. Sipas bankierëve, sipërmarrësit po i shtyjnë për më vonë projektet e tyre të investimit, kjo edhe si pasojë e pasigurisë në kushtet e krizës. Për bankierët, sot biznesi nuk ka një strategji apo orientim të qartë se cilët janë sektorët ku duhet të investojë.
Në një kohë kur ka ulje të konsumit, likuiditeti bëhet faktori dhe shqetësimi kryesor i çdo biznesi dhe prandaj planet afatgjata që lidhen me investime kapitale shtyhen në një kohë të dytë dhe biznesi fokusohet drejt financimeve afatshkurtra për kapital qarkullues.
“Një ndryshim pozitiv që vërejmë së fundmi është ndërgjegjësimi nga ana e biznesit për të pasur një strukturë të balancuar të financimit afatshkurtër midis kredive me këste dhe paradhënies bankare (overdraft-it).
Pra kemi një zhvendosje të kërkesës për financim afatshkurtër nga paradhënia bankare te kreditë me këste, duke treguar kështu një kujdes të rritur ndaj nivelit të huamarrjes, por dhe dëshirës së kthimit të principalit të kredisë, rrjedhimisht kapitalizimit të fitimit”, thotë Genti Drita, Drejtor i Shitjeve të Biznesit në Union Bank.
Kredia, më aktive bankat e vogla dhe të mesme
Ndërkohë, vihet re se ndryshe nga viti i kaluar, kur BKT dhe Credins mbanin peshën më të madhe të shtimit të kredisë, me rritje dyshifrore, këto dy banka kanë ulur ndjeshëm ritmet e zgjerimit, megjithëse mbeten sërish në krye të huadhënies.
Raiffeisen, banka më e madhe në vend, pothuajse nuk e ka rritur stokun e huasë në raport me fundin e 2011-s.
Ecuri pozitive këtë vit kanë shënuar bankat e mesme dhe të vogla, që kanë mbajtur një peshë të rëndësishme në huadhënien e ekonomisë, me ritme rritjeje dyshifrore.
Societe Generale ka vijuar që të jetë aktive edhe këtë vit, ndërkohë që nuk kanë mbetur prapa dhe Union Bank, Veneto Banka, First Investment Bank.
Bankat me kapital grek kanë vijuar të tkurrin stokun e huadhënies. Të njëjtën tendencë kanë pasur dhe Intesa Sanpaolo Bank dhe ProCredit.
BSH: Bankat po shtrëngojnë më shumë kushtet
Bizneset vendase po hasin gjithnjë e më shumë vështirësi për të marrë kredi në banka, ndonëse kërkesa e tyre për të marrë një hua është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave të fundit të vrojtimit të kreditimit për tremujorin e katërt, realizuar nga Banka e Shqipërisë, standardet e kredisë kanë vijuar të shtrëngohen për bizneset dhe kanë mbetur të pandryshuara për kreditë dhënë individëve, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2012.
Standardet e kredisë u shtrënguan si për kreditë dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ashtu dhe për ato dhënë ndërmarrjeve të mëdha. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u shtrënguan për ato me qëllim financimin e investimeve dhe të kapitalit qarkullues. Standardet për kredi për blerje banese dhe për kredi konsumatore kanë mbetur të pandryshuara që prej tremujorit të parë të vitit 2012.
Faktorët me kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve të kredisë për bizneset, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2012 ishin: problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja, gjendja e huave me probleme në sistemin bankar dhe situata makroekonomike në vend. Për kreditë dhënë individëve, faktorët që kontribuuan në shtrëngimin e standardeve janë: gjendja e kredive me probleme, gjendja financiare e individëve dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme.
Kushtet nëpërmjet të cilave bankat kanë zbatuar politikën shtrënguese të standardeve për kreditë dhënë bizneseve janë: rritja e kërkesës për kolateral, në raport me madhësinë e huasë, zgjerimi i marzhit mesatar dhe atij për kreditë me rrezik. Për individët, politika shtrënguese është zbatuar nëpërmjet uljes së madhësisë së kredisë së akorduar dhe rritjes së kërkesës për kolateral.
Kërkesa për kredi nga bizneset vlerësohet të jetë rritur ndjeshëm në tremujorin e katërt të vitit 2012, veçanërisht ndikuar nga kërkesa për kredi e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Kërkesa neto e individëve për kredi ka vijuar të jetë negative edhe gjatë këtij tremujori, ndikuar kryesisht nga rënia e kërkesës për kredi për blerje banese.
Standardet e kredisë dhënë bizneseve pritet të shtrëngohen më tej, sipas qëllimit të përdorimit dhe sipas madhësisë së bizneseve në tremujorin e parë të vitit 2013. Standardet e kredisë dhënë individëve pritet të lehtësohen, si për blerje banese ashtu edhe për kredinë konsumatore. Kërkesa e bizneseve për kredi pritet të ulet pak, ndërsa kërkesa e individëve për kredi pritet të përmirësohet lehtë gjatë tremujorit të parë të vitit 2013.
Pritshmëritë
Për tremujorin e parë të vitit 2013, ekspertët e bankave presin që standardet e kredisë për bizneset të shtrëngohen. Balanca neto e pritjeve shënoi vlerën -11.0%. Standardet e kredidhënies pritet të shtrëngohen si për kreditë dhënë sipas madhësisë së biznesit (NVM dhe të mëdha) ashtu dhe sipas qëllimit të përdorimit të kredisë (kapital qarkullues apo investime fikse). Në total, ekspertët e kredisë presin rënie të kërkesës për kredi gjatë tremujorit të parë të vitit 2013. Bazuar në madhësinë e biznesit, kërkesa për kredi pritet të jetë e ulët nga ndërmarrjet e mëdha. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, kërkesa pritet të jetë e ulët për kreditë me qëllim financimin e investimeve fikse.
INTERVISTA/ Flet Elvin Vinçani, Drejtues i Departamentit të Marketingut Tregtar dhe të Korporatave në Bankën Kombëtare Tregtare
“Kreditim në energji, tregti dhe transport”
Cilat janë kushtet që ju ofroni për kredinë për biznes? Afatet minimale dhe maksimale, shumat maksimale dhe minimale si dhe interesat?
Mund të themi që gjatë dy viteve të fundit, Banka Kombëtare Tregtare ka qenë një ndër bankat më aktive dhe mbështetëse në financimin e sektorit privat, me një rritje të ndjeshme dhe të shëndetshme të portofolit të kredisë mbi mesataren e tregut, forcimit dhe rritjes së peshës në treg për kredinë në sektorin privat. Sot, BKT, veç produkteve standarde të kredisë, siç janë kredia për investime apo inventar, ofron një gamë të gjerë produktesh kredie në programe të ndryshme, duke i dhënë biznesit fleksibilitet dhe mundësi të përfitojë në shumë aspekte. Ndër produktet e kredisë që ne ofrojmë me kushtet përkatëse mund të përmend;
-Kredia në Projektin AZHBR. Nëpërmjet një fondi të aprovuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, programi AZHBR me të cilin BKT ka një bashkëpunim të ngushtë tashmë prej vitesh, synohet të mbështeten investimet në fushën e agrobiznesit, duke i dhënë në këtë mënyrë këtij sektori të ekonomisë një mundësi zhvillimi me një skemë të përshtatshme financimi. Brenda këtij programi, BKT ofron kredi investimi deri në një shumë maksimale 25 milionë lekë, me një afat deri në 7 vjet, ku kompania subvencionohet nga programi me 70% të shumës së interesit.
-Kredia në programin italo-shqiptar. Kjo kredi ka për qëllim zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) për mbështetjen me kredi me interesa mjaft të ulëta për bizneset, duke i ofruar një klimë sa më të përshtatshme financimi. Vlera e kredisë varion 50,000-500,000 euro me afat 8 vjet. Mund të themi që BKT kryeson në këtë program për sa i takon numrit të kredive të dhëna.
-Kreditë në projektin EFSE. Nëpërmjet një fondi të aprovuar nga Fondi Europian për Europën Juglindore, BKT mbështet të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe bizneset e reja (start-up) në projektet e tyre të investimit dhe për blerjet e inventarit apo kapitalit qarkullues. Vlera e kredisë që një klient mund të marrë është deri në 100,000 euro, me afat maturimi 3-8 vjet, në varësi të qëllimit të përdorimit.
-Kreditë për agrobiznes. Për të mbështetur sektorin e bujqësisë në vitin 2012, BKT hodhi në treg produktin e ri “Agro Loan”. Afati i maturimit është 5-8 vjet dhe është një produkt i ndarë në tri segmente ose nënprodukte: “Agro Special Loan” deri në 1 milion lekë, “Agro Suport Loan” në shuma 1,000,001-5,000,000 lekë dhe “Agro Loan” në shumat 5,000,001-25,000,000 lekë.
-Kredia fleksibël dhe kredia e financimit të llogarive të arkëtueshme. Janë dy produkte kredidhënie fleksibël, për të mbështetur një segment klientësh kredie ekzistues që kanë mbi 1 vit në BKT ose operacional minimalisht me një historik 2-vjeçar në BKT, me një qarkullim vjetor jo më pak se 25 milionë lekë për të mbështetur gjendjen e likuiditetit dhe duke financuar nevojat e klientëve ekzistues të BKT-së për kapital qarkullues, pagesat ndaj furnitorëve dhe/ose planet e investimit. Veçoria dhe procedura e dhënies së kredisë fleksibël për këtë grup klientësh është shumë e shpejtë. Shuma e kredisë deri në 250,000 euro ose ekuivalenti në lek me një afat maturimi 1-8 vjet, në varësi të qëllimit.
-Kredi standarde për Investim, e cila financon blerjen e linjave të prodhimit, ndërtesave e aktiveve të tjera fikse për ndërtimin, rinovimin e zgjerimin e biznesit. Kredia ka një maturitet deri në 8 vjet.
-Kredi për inventar dhe kapital qarkullues bën të mundur disponimin e fondeve për blerjen e inventarit, mallrave, lëndëve të para, financimin e kapitalit qarkullues etj. Me mbështetjen tonë, në këtë mënyrë, biznesi mund të ecë përpara. Kredia ka një maturitet deri në 3 vjet.
-Kredia overdraft ose kredi kufi në llogarinë rrjedhëse bën të mundur disponimin e fondeve për blerjen e inventarit, mallrave, lëndëve të para, financimin e kapitalit qarkullues etj. Kredia ka një maturitet 1 vit, e cila rinovohet sipas kushteve të bankës.
-Kredia për financimin e projekteve financiare në fushën e energjisë. Një nga sektorët prioritarë të BKT-së gjatë vitit të kaluar dhe që synohet të jetë në vitin në vazhdim, është sektori i energjisë. Ne financojmë çdo projekt të përshtatshëm në këtë sektor me kushte të favorshme dhe fleksibël. Ky produkt ka maturitet deri në 10 vjet me periudhë “grace” të principalit dhe interesit përgjatë kohës së investimit.
-Kredia me kolateral çekun. Një produkt unik në sistemin bankar, të cilin BKT e hodhi në treg gjatë vitit të kaluar, është kredia me kolateral çekun. Qëllimi i këtij produkti është për t’i dhënë garanci transaksioneve të biznesit, për të krijuar një instrument pagesë dhe kolaterali për nevoja financimi afatshkurtra të kompanive që u kreditojnë shitje klientëve të tyre. Afati i maturimit është i njëjtë me datën e përcaktuar në çekun e lëshuar, por maksimumi 6 muaj.
A ka kërkesa nga biznesi për kredi, si kanë ndryshuar ato krahasuar me vitin e kaluar?
Në fillim të 2012-s, ne kishim parashikuar një vit të vështirë për shkak të klimës së paqëndrueshme financiare, e cila vazhdon të ndihet dhe sot. Kjo situatë ekonomike vazhdoi me mungesë të theksuar likuiditeti në kompanitë private dhe vitin e kaluar arriti nivele të larta në krahasim me vitet e mëparshme. Tkurrja në nivele minimale të investimeve të ndërmarra në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe një rënie e përgjithshme e konsumit vunë në vështirësi jo vetëm bizneset tregtare dhe prodhuese, por sollën dhe tkurrje të kërkesës dhe ofertës për kredi.
Megjithatë, BKT ka qenë një nga bankat më aktive, e cila ka mbështetur çdo projekt të shëndetshëm investimi të paraqitur nga sektori privat dhe me një rritje të portofolit të kredive për biznes mbi mesataren e rritjes së sistemit bankar për këtë sektor, duke i ruajtur pozitat e saj të forta në treg. Nga ana tjetër, duke qenë se BKT ofron një gamë të gjerë produktesh kredie për biznes, mund të themi se kërkesat kanë qenë të kënaqshme, duke parë kushtet e tregut.
Në cilët sektorë keni kredituar më shumë dhe cilët janë të preferuar nga ana juaj? Po biznesi vetë, në cilët sektorë po orientohet për të investuar?
Mund të them që ne financojmë çdo sektor në të cilin kompania që operon, na paraqet një projekt ose plan biznesi të shëndetshëm dhe ka një situatë të pranueshme financiare, sipas politikave tona të kredidhënies. Gjatë vitit të kaluar kemi qenë aktivë në sektorin e bujqësisë, energjisë, tregtisë, transportit etj.
Në përgjithësi, sot biznesi nuk ka një strategji apo orientim të qartë se cilët janë sektorët ku duhet të investojë. Kjo ndoshta vjen nga pasiguria që i ofron momentalisht tregu për investime të periudhave afatmesme dhe afatgjatë. Megjithatë mund të marr si një shembull sektorin e energjisë, ku një pjesë e mirë e bizneseve po orientohen me investime në këtë sektor, i cili ka pritshmëri pozitive të lartë në të ardhmen, kjo dhe si pasojë e llojit të produktit, i cili është shumë i kërkuar në tregun e brendshëm dhe të jashtëm. Një sektor tjetër është ai i bujqësisë, i cili po mbështetet fuqimisht nga banka jonë duke i ofruar biznesit kushte të favorshme për investime.
Biznesi kërkon më shumë kredi për likuiditet apo për investime?
Kërkesat janë në varësi të sektorëve. Gjatë vitit të kaluar, kërkesa për kredi likuiditetesh ka qenë disi më e lartë se për investime.
Si e parashikoni kreditimin e biznesit për këtë vit?
Kjo varet nga ecuria e situatës makroekonomike dhe një sërë faktorësh që kanë ndikim direkt në sistemin bankar. Parashikimet dhe projektimet tona për këtë vit janë për një rritje me hapat e kujdesshëm dhe të shëndetshëm, duke mbështetur, siç e përmendëm, të gjithë sektorët e ekonomisë.
INTERVISTA/ Flet Flutura Veipi, Drejtuese e Bordit Drejtues, ProCredit Bank Shqipëri
“Fokusi ynë, agrobiznesi dhe ekoturizmi”
Cilat janë kushtet që ju ofroni për kredinë për biznes? Afatet minimale dhe maksimale, shumat maksimale dhe minimale si dhe interesat?
Banka jonë është e orientuar drejt kreditimit të bizneseve të formalizuara, pavarësisht statusit ligjor si persona fizikë apo persona juridikë. Për bankën tonë është e rëndësishme që këto biznese të jenë të konsoliduara dhe të plotësojnë kushtet bazë të kreditimit:
Biznesi duhet të ketë një periudhë të paktën gjashtëmujore që operon, në mënyrë që ne të kemi mundësi të analizojmë ecurinë financiare dhe menaxhuese të këtij biznesi.
Biznesi duhet të operojë brenda zonës së mbulimit nga ProCredit Bank, që do të thotë aty ku ne kemi njësitë tona të biznesit, në mënyrë që të kemi mundësinë të shohim nga afër biznesin.
Për sa i përket Agrobiznesit, ne financojmë edhe biznese që sapo fillojnë aktivitetin e tyre (START-UP LOAN) në mënyrë që të nxisim dhe suportojmë iniciativat e reja në këtë sektor ekonomik.
Afatet e financimit janë mjaft fleksibël, duke filluar nga 3 muaj deri në 15 vjet. Përcaktimi i afatit është i lidhur ngushtë me planin e investimit, llojin e kredisë – nëse është për likuiditet apo investim afatgjatë – si dhe sezonalitetin e biznesit.
Shuma minimale e kreditimit është 700,000 lekë për kreditë e biznesit dhe 500,000 lekë për kreditë e agrobiznesit, ndërsa maksimumi i vlerës së financuar lidhet me planet e investimit dhe potencialin e zhvillimit të biznesit.
Interesi mund të ofrohet i pandryshueshëm (Fiks) për afate deri në 36 muaj dhe i ndryshueshëm për afate mbi 36 muaj, element ky i lidhur me riskun e ndryshimit të Euribor apo Bonove të Thesarit.
Normat e interesit fillojnë nga 9% në Lekë dhe 7.5% në Euro/USD në raste të kredive për biznesin e mesëm, pra për kredi mbi 7,000,000 lekë. Këto interesa ndryshojnë në varësi të nivelit të formalizimit të biznesit, riskut që mbartin dhe garancisë së ofruar.
Ne sugjerojmë dhe këshillojmë kreditimin në valutën e të ardhurave të biznesit, jemi fleksibël në kreditimin në monedhë të huaj kundrejt bizneseve që përdorin valutën e huaj për import-eksport apo transaksione të tjera, e cila u jep mundësi këtyre bizneseve të mos ekspozohen kundrejt riskut të kursit të këmbimit, duke e transferuar atë në çmim.
Kolaterali nuk është kusht për kreditë deri në shumat 1,500,000 lekë, në rast se klienti ka një situatë të mirë financiare. Në këtë mënyrë, ne jemi të gatshëm të marrim më shumë risk përsipër, duke nxitur investimet në bizneset e vogla.
Bizneset e reja (Start-Up) kanë mundësinë të gjejnë mbështetjen tonë financiare.
Ne kemi bashkëpunime me disa institucione financiare në këtë drejtim, të cilat synojnë të nxisin dhe të krijojnë shtysë në treg për të marrë më shumë risk përsipër, për t’iu përshtatur më shumë kësaj situate aktuale, ku nevoja për nisma të reja dhe krijim mundësie për vende të reja pune është e domosdoshme.
A ka kërkesa nga biznesi për kredi, si kanë ndryshuar ato krahasuar me vitin e kaluar?
Në nivel të përgjithshëm, në krahasim me vitin e mëparshëm ka rënie të kërkesës për kredi, e kuptueshme kjo nëse merren në konsideratë vështirësitë ekonomike dhe hezitimi që kanë pasur bizneset në Shqipëri për të bërë investime apo plane afatgjata në kuadër të një klime të paqëndrueshme ekonomike botërore.
Nuk themi të njëjtën gjë për sektorin e agrobiznesit, i cili ka pasur një trend rritës shumë pozitiv, si në kërkesë për kreditim, ashtu edhe në nivel kreditimi, duke konfirmuar potencialin shumë të madh që ka ky sektor për zhvillim.
Në cilët sektorë keni kredituar më shumë dhe cilët janë të preferuar nga ana juaj? Po biznesi vetë, në cilët sektorë po orientohet për të investuar?
Sektorët më të kredituar në bankën tonë lidhen me faktorët ekonomikë dhe me politikën e bankës sonë. Në aspektin ekonomik, tregtia ka pasur një ecuri pozitive dhe është e kuptueshme që dhe në fushën e kreditimit do të kishte një tendencë rritëse.
Prioriteti dhe fokusi kryesor për bankën tonë mbetet prodhimi vendas, ekoturizmi dhe agrobiznesi. Ne jemi të bindur se këta sektorë janë e ardhmja e zhvillimit të ekonomisë shqiptare dhe do të ngelen dhe sektorët për të cilët ne do të sjellim risi në shërbimet financiare, për t’i suportuar në investime të eficencës së energjisë dhe përmirësime teknologjike, duke u dhënë avantazhe konkurruese në treg.
Në sektorin e agrobiznesit, ekspertët tanë të agrobiznesit janë pranë klientëve tanë, jo vetëm për të suportuar nevojat e tyre financiare por edhe për të këshilluar dhe lidhur zinxhirin e rrjetit të bashkëpunimit midis prodhuesve/agroprocesuesve të lëndës së parë dhe tregtuesve të prodhimit të gatshëm.
Si e parashikoni kreditimin e biznesit për këtë vit? Strategjia juaj e kreditimit për vitin 2013?
Viti 2013 do të vazhdojë të jetë një vit plot sfida, i cili do të kërkojë një strategji të mirëpërcaktuar nga sektori financiar. Ne kemi dy drejtime kryesore:
Për klientët tanë aktualë: Do të jemi edhe më pranë si partneri i tyre financiar, në mënyrë që, falë bashkëpunimit tonë, të mund të zgjidhen në kohë vështirësitë që mund të hasin.
Cilësia dhe analiza e mirë financiare dhe shërbimi i personalizuar do të na japë mundësinë që të shmangim mbingarkesën me kredi të klientëve tanë. Për të shmangur mbingarkesën financiare me kredi të klientëve tanë, ne i kushtojmë rëndësi të veçantë cilësisë dhe analizës së mirë financiare si dhe shërbimit të personalizuar.
Ofrimi i Limitit Financiar, bazuar në potencialin e biznesit për kreditim, do të japë mundësinë që bizneset të planifikojnë në mënyrë më afatgjatë dhe të menaxhojnë më mirë kostot operative
Për klientët e rinj do të fokusohemi në sektorin e agrobiznesit, duke i suportuar me këshillim financiar dhe mundësi zhvillimi. Investimet në eficencën e energjisë krijojnë mundësinë e investimeve në teknologjitë e reja, rritjen e cilësisë dhe rendimentit. Ekoturizmi është një sektor me mundësi të lartë zhvillimi, i cili do të jetë në vëmendjen tonë bizneset e reja (START-UP) do të kenë fokus jo vetëm fushën e agrobiznesit, por veçanërisht në prodhimin vendas dhe kompanive eksportuese, të cilat sigurojnë rritje dhe stabilitet ekonomik.
Ne do të vazhdojmë të ofrojmë jo vetëm shërbim, por mbi të gjitha, një këshillim financiar dhe kreditim të përgjegjshëm që suporton biznesin dhe ekonominë shqiptare.
INTERVISTA/ Flet Genti Drita, Drejtor i Departamentit të Shitjeve të Biznesit në Union Bank
“Rritje të kërkesave për kredi në muajt e fundit”
Cilat janë kushtet që ju ofroni për kredinë për biznes? Afatet minimale dhe maksimale, shumat maksimale dhe minimale si dhe interesat?
Union Bank trajton një gamë të gjerë të kërkesave për kredi biznesi. Janë financuar klientë të biznesit të vogël, duke filluar nga shuma 10,000 euro deri në biznese të mesme e të mëdha që kanë përfituar financime mbi 2 milionë euro.
Për sa i takon afatit të shlyerjes, kreditë, në varësi të qëllimit për kapital qarkullues apo të qëndrueshëm, mund të shtrihen për një afat nga 3 deri në 7 vjet. Në raste të veçanta, kur trajtohet blerja e pasurive të patundshme për qëllime biznesi, afatet e kredisë mund të shkojnë deri në 10 vjet.
Për interesat e kredisë, Union Bank aplikon marzhe mbi normat bazë të monedhave që financohen. Çmimi i kredisë në Union Bank përcaktohet dhe mbështetet duke marrë parasysh normat bazë në varësi të monedhës Bono Thesari për kreditë në Lek, Euribori për kreditë në Euro dhe Libori për kredinë në USD. Një komponent i rëndësishëm që vlerësohet është serioziteti i klientit që kërkon financim, i projektit për të cilin kërkohet ky financim, si dhe i riskut të përfytyruar të aplikimit. Në këtë mënyrë, arrijmë t’u ofrojmë çmimet më të mira klientëve tanë.
A ka kërkesa nga biznesi për kredi, si kanë ndryshuar ato krahasuar me vitin e kaluar?
Natyrisht që kërkesa aktuale për kredi, e krahasuar me vitet e mëparshme ka ulje. Tregu po përballet me ulje të konsumit, me pasiguri të konsumatorit, gjë që ka bërë që shumë biznese të zgjedhin një strategji jo ekspansive. Gjithsesi, ka një rritje të numrit të aplikimeve kreditore gjatë 3-4 muajve të fundit dhe shpresojmë që kjo prirje të vazhdojë në mënyrë që të shndërrohet në trend pozitiv për tregun në tërësi.
Në cilët sektorë keni kredituar më shumë dhe cilët janë të preferuar nga ana juaj? Po biznesi vetë, në cilët sektorë po orientohet për të investuar?
Union Bank ka një portofol kredi biznesi të balancuar, pa përqendrime të mëdha në sektorë të veçantë. Vlera e çdo biznesi vjen nga aftësitë menaxhuese të drejtuesve të tij, nga investimet e kryera pavarësisht se në cilin sektor të ekonomisë klasifikohet biznesi. Aktualisht, por edhe gjatë gjithë viteve që Union Bank operon në treg, nuk është përjashtuar asnjë sektor specifik nga financimi. Një shembull i mirë për këtë është mospërjashtimi i financimit të sektorit të ndërtimit në një kohë kur thuhet se ky i fundit është përfshirë nga kriza dhe lënë disi mënjanë nga bankat, por gjithsesi është shtuar kujdesi në vlerësimin e riskut të financimit të projekteve specifike të këtij sektori.
Ne jemi të vetëdijshëm se suksesi i një biznesi bazohet në aftësi menaxhuese, strategji efikase dhe politika largpamëse të drejtuesve të tij, pavarësisht sektorit ku ky bën pjesë.
Biznesi kërkon më shumë kredi për likuiditet apo për investime?
Në një kohë kur ka ulje të konsumit, likuiditeti bëhet faktori dhe shqetësimi kryesor i çdo biznesi. Kështu, planet afatgjata që lidhen me investime kapitale shtyhen në një kohë të dytë dhe biznesi fokusohet drejt financimeve afatshkurtra, për nevoja të kapitaleve qarkulluese. Një ndryshim pozitiv që vërejmë së fundmi është ndërgjegjësimi nga biznesi për të pasur një strukturë të balancuar të financimit afatshkurtër midis kredive me këste dhe paradhënies bankare (overdraft-it). Pra kemi një zhvendosje të kërkesës për financim afatshkurtër nga paradhënia bankare te kreditë me këste, duke treguar kështu kujdes të rritur ndaj nivelit të huamarrjes, por dhe dëshirës së kthimit të principalit të kredisë, rrjedhimisht kapitalizimit të fitimit.
Si e parashikoni kreditimin e biznesit për këtë vit?
Siç e theksova dhe më lart, tregu duket se ka filluar të japë sinjale pozitive për rritje. Por që sinjalet pozitive të shndërrohen në tendencë, duhet që minimalisht të zgjatin për 2-3 tremujorë të njëpasnjëshëm. Natyrisht që ne si bankë kemi parashikuar një rritje solide, krahasuar me vitin e mëparshëm, pavarësisht se siç dihet, viti 2013 është një vit i ngarkuar me ngjarje politike. Gjithsesi, ne shpresojmë dhe urojmë që 2013-a të jetë vit në të cilin do të ketë shenja të qarta të rikthimit të besimit tek investitorët dhe konsumatorët, për të mundësuar rigjallërimin e nevojshëm të ambientit ekonomik shqiptar, sepse vetëm në këtë mënyrë, kreditimi bankar do të rikthehet si faktor determinues i rritjes ekonomike.
INTERVISTA/ Flet Majlinda Gjata, Drejtore e Departamentit të SME në Fibank
“Kredituam të gjithë sektorët”
Cilat janë kushtet që ju ofroni për kredinë për biznes? Afatet minimale dhe maksimale, shumat maksimale dhe minimale si dhe interesat?
Kërkesat që duhet të plotësojë një kompani, në mënyrë që të marrë një kredi në Fibank janë të logjikshme dhe elementare: duhet të ketë aftësi paguese për të shlyer kredinë, qëllimi i marrjes së kredisë duhet të justifikojë nga pikëpamja e përfitueshmërisë, investimin e kryer për të, kolaterali i ofruar duhet të mbulojë mjaftueshëm shumën e kredisë, biznesi të operojë në përputhje me ligjet dhe rregullat e shtetit, nëse ka kredi në bankat e tjera, duhet të ketë një historik të mirë pagese.
A ka kërkesa nga biznesi për kredi, si kanë ndryshuar ato krahasuar me vitin e kaluar?
Gjatë vitit 2012 dhe në vazhdim, kërkesa për kredi biznesi vazhdon të ketë të njëjtat ritme. Fibank bën pjesë në bankat, të cilat kanë pasur rritje të portofolit të kredisë së biznesit, kjo falë edhe nivelit të ulët të vonesave në krahasim me mesataren e sistemit bankar.
Gjatë vitit 2012, rritja e portofolit të kredisë, në bankën tonë, ka qenë më e lartë se në vitet e mëparshme. Për vitin 2013, është akoma herët për të folur. Nga ana tjetër, mund të flasim me siguri, që banka jonë mirëpret të gjithë ata klientë, të cilët kanë nevojë për kredi dhe plotësojnë kushtet e përmendura më sipër.
Në cilët sektorë keni kredituar më shumë dhe cilët janë të preferuar nga ana juaj? Po biznesi vetë, në cilët sektorë po orientohet për të investuar?
Fibank, gjatë gjithë kësaj kohe, ka financuar të gjithë sektorët pa përjashtim. Mund të themi se përzgjedhja nga ana jonë nuk bazohet në sektorin ku operon klienti, por në vetë klientin. Ne kemi financuar tregtinë, prodhimin, ndërtimin, shërbimet, etj.
Biznesi kërkon më shumë kredi për likuiditet apo për investime?
Kërkesat nga ana e biznesit kanë qenë si për kapital qarkullues, ashtu edhe për investime.
Si e parashikoni kreditimin e biznesit për këtë vit?
Ne po punojmë shumë në mënyrë që niveli i kredidhënies në vitin 2013 të jetë edhe më i lartë se në vitin 2012.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.