Të paktën shtatë studime që përfshijnë specie apo bimësi në zonat e mbrojtura pritet që të zhvillohen në vazhdim nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Kjo e fundit njoftoi se po kërkonte ekspertë që do të ndaleshin në aspekte specifike të disa zonave që janë Parqe Kombëtare të rëndësishëm në vend.
“Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, përmes Grantit PONT është duke ndjekur planin operacional të dakordësuar për disa prej zonave të mbrojtur, duke u angazhuar në monitorimin dhe ruajtjen e specieve treguese si një komponent kyç i menaxhimit të përgjithshëm të zonave të mbrojtura së bashku me habitatet kryesore. Për të siguruar efektivitetin e përpjekjeve tona në këtë proces, ne po kërkojmë ekspertë me përvojë për të kryer studime” thuhet në njoftimin e AKZM.
Por cilat janë saktësisht studimet që do të kryhen nga ana e ekspertëve për llogari të AKZM.
Së pari protokolli i monitorimit për qukapikun në Parkun Kombëtar të Prespës. Konsulenca pritet të fillojë më 15 korrik dhe të përfundojë më 5 shtator.
Së dyti shpërndarja e Rupicapra rupicapra(dhia kafe) në Parkun Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë.
Së treti protokolli i Monitorimit për Salmo letnica në Peizazhin e Mbrojtur Ujor / Tokësor të Liqenit të Pogradecit.
Së katërti protokolli i Monitorimit për Pyjet me Dushk dhe Bush në Peizazhin e Mbrojtur Ujor / Tokësor të Liqenit të Pogradecit.
Së pesti protokolli i Monitorimit për Pyjet me Gështenja në Peizazhin e Mbrojtur Ujor / Tokësor të Liqenit të Pogradecit;
Së gjashti “Raport mbi statusin e bimëve medicinale në Parkun Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë dhe së shtati Krijimi i programit të quajtur “Ditët e shkencës në park” për Parkun Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.