Negociata, opsioni i vetëm mbetet PO
Revistë 758
- Bashkimi i pesë kompanive. Park 50 MW që do të prodhojë energji nga era në Devoll
- Projekti/ Inspektimet në punë do të bëhen edhe elektronikisht
- Shoqatat e Bankave në Shqipëri e Mal të Zi. Memorandum për partneritet dhe bashkëpunim
- Ligji/ Shoqëritë e Kursim-Kreditit futen në skemën e sigurimit të depozitave
- Projektligji / Krijohet fond shpëtimi për bankat, kostot e humbjeve t’i përballojnë aksionerët
Nëse në dhjetor, Bashkimi Europian refuzon t’i hapë negociatat për anëtarësimin, kjo nuk është një befasi për shqiptarët.
Gjatë rrugëtimit, që nga marrja e statusit, megjithëse janë kryer disa reforma, profilit të Shqipërisë i janë shtuar disa shenja negative në rritje: përfshirja e krimit në politikë (ligji për dekriminalizimin), rritja e perceptimit për korrupsion dhe pamundësia për ta luftuar (reforma në drejtësi e pazbatuar) dhe zgjerimi i hartës së kultivimit të lëndëve narkotike (hashashi). Këto rrethana të reja e detyruan Bashkimin Europian t’i riformulojë kërkesat në një tjetër drejtim, ndaj vendosën si kusht të panegociueshëm zbatimin e reformës në drejtësi. Por, siç po rrjedhin ngjarjet, kjo nuk ka gjasë të ndodhë, të paktën deri në dhjetor dhe negociatat mund të shtyhen. Duke manovruar politikisht, mazhoranca ka hyrë një lojë, duke stigmatizuar BE-në si jo luajale ndaj shqiptarëve, duke krijuar përshtypjen e gabuar se për bllokimin e negociatave nuk është ajo fajtore.
Nga refuzimi humbasin shqiptarët. Por kush fiton?!
Nga moshapja e negociatave, klasa politike ka arsye të përfitojë. Rritja e kushteve, forcimi i monitorimit dhe kontrollit, do t’i linte asaj më pak fushë të lirë për të vepruar jashtë rregullave të një shteti të së drejtës dhe një qeverisje transparente e të pakapur. Rasti konkret me reformën në drejtësi tregon se, edhe pse është vetëm një hap larg nisjes së reformës, politika nuk po gjen vullnetin për ta kryer atë. Dhe jo se nuk di, por sepse nuk do. As pjesa më vullnetdashëse e saj nuk po mundet t’i shpëtojë këtij kurthi. Kjo është një sjellje tipike që ka shoqëruar gjithnjë procesin e integrimit.
Ndërkohë, ndryshe ka ndodhur me shqiptarët. Shumë kanë ikur emigrantë dhe e kanë fituar statusin e qytetarit europian. Anëtarësimi për ta është thjesht çështje njohjeje e këtij statusi. Ne të tjerët, të mbetur brenda Shqipërisë, procesi i integrimit deri në këtë fazë na ka bërë më të mirë dhe kurrë nuk i shkelëm rregullat, megjithëse u paragjykuam në çdo hap të tij.
Deri më sot, çdo etapë në ecjen e Shqipërisë drejt anëtarësimit është parë nga BE si një instrument presioni ndaj politikës për të plotësuar kriteret e një vendi kandidat. Kështu ndodhi me vizat, me statusin, por edhe kur u anëtarësuam në NATO. Por meqë sjellja e politikës shqiptare nuk ka ndryshuar shumë, hapja e negociatave duhet parë në një mënyrë tjetër, si një stimul për shqiptarët dhe një ndëshkim për klasën politike, pra jo thjesht një instrument presioni politik.
Në fund të fundit, Europa nuk ka pse trembet nga hapja e negociatave, pasi ai është thjesht një akt formal. Rëndësi ka procesi që rrjedh pas tyre. E vetmja që dëmtohet nga PO e BE-së është klasa politike, ndërsa opsioni Jo, e mban gjallë edhe për disa kohë statusin e plëngprishësit që nuk di të ecë përkrah popullit të vet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.