Në kohën kur tërheqja e parave nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës është sërish në diskutim, vlera e këtij fondi është më e vogël për disa miliona euro. Por, përkundër këtij fakti, ky institucion ka treguar se si bëhet tërheqja e kursimeve nga pensionistët. Mosha e pensionimit në Kosovë është 65 vjeç.
Projektligji për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve nga Trusti Pensional i Kosovës, pa mendim të Qeverisë iu është dërguar sërish deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta shqyrtuar para se të hidhet në votim.
Ky projektligji pritet që në fund të muajit nëntor të hidhet për votim.
Deputeti Bekim Haxhiu e ka cilësuar domosdoshmëri tërheqjen e këtyre mjeteve financiare, për shkak të krizës ekonomike në vend.
“Kërkesa është e drejtë dhe e domosdoshme për shkak të krizës ekonomike dhe pamjaftueshmërisë së skemave sociale”.
Projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për fondin Pensional të Kosovës, ishte hedhur në votim më 23 qershor, por nuk ishte miratuar pasi partia në pushtet, Vetëvendosje ishte kundër kësaj nisme ligjore.
Për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti të shtunën në Prishtinë është kërkuar që qytetarëve t’u lejohet tërheqja e 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti.
E derisa ende nuk ka vendim konkrete për tërheqjen ose jo të 30 për qindëshit, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka treguar si mund të tërhiqen kursimet pensionale.
“Mosha e pensionimit në Kosovë është 65 vjeç. Kontribuuesi duhet të ofrojë dëshmi për moshën e pensionimit përmes një dokumenti valid të identifikimit. Varësisht nga bilanci i kursimeve në datën e aplikimit, kursimet pensionale tërhiqen në disa forma”.
Nëse bilanci në Fondin e Kursimeve Pensionale (Trust) është deri në 3 mijë euro, kontribuuesi mund të ofrojë llogari të cilësdo bankë. Trusti do t’i mbulojë shpenzimet bankare për transferet dalëse te bankat që operojnë në Kosovë. Çdo tarifë hyrëse që ngarkohet nga banka e kontribuuesit do të mbulohet nga vetë përfituesi.
“Po qese bilanci është më i madh se 3 mijë euro, atëherë përfituesi do të kalojë në programin për Tërheqje në Faza të kursimeve pensionale. Tërheqja në Faza është e rregulluar me Ligjin për Fondet e Kursimeve dhe rregullën përkatëse të BQK-së. Aplikuesi do të ketë mundësinë që 20 për qind të bilancit ta tërheq përnjëherë, ndërsa pjesën tjetër çdo muaj prej minimumi 200 euro ose maksimumi 1 për qind e bilancit total, kur shuma është mbi 20 mijë euro”, ka treguar ky fond.
Tërheqja në Faza bëhet vetëm nga bankat e kontraktuara nga Trusti për administrimin e tërheqjes në faza. Banka e kontraktuar do të hap një llogari të veçantë kursimesh për aplikuesin. Në këtë llogari do të transferohet i gjithë bilanci i aplikuesit. Çdo muaj, më së largu në ditën e dytë të punës të secilit muaj, Banka do të bëj pagesën e këstit mujor. Këto pagesa mujore do të vazhdojnë derisa të harxhohet i gjithë bilanci.
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, i njohur edhe si Trusti, mbledh mjetet e kontribut-paguesve kosovarë. Shuma e tij arrin në gati 2.3 miliardë euro, por, aktualisht, është më e vogël për më shumë se 160 milionë euro.
Me ligjet në Kosovë, 70 për qind e mjeteve të Trustit janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare në periudha afatgjate, me qëllim që t’u rritet vlera, ndërsa 30 për qind investohen në letrat me vlerë në Kosovë.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë janë të obliguar të paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind i paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind ndahen nga paga e të punësuarit.
Me ligjet në Kosovë, 70 për qind e mjeteve të Trustit janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare në periudha afatgjate, me qëllim që t’u rritet vlera, ndërsa 30 për qind investohen në letrat me vlerë në Kosovë.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë janë të obliguar të paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind i paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind ndahen nga paga e të punësuarit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.