Çmimi i naftës së papërpunuar Brent është rritur rreth 10 dollarë për fuçi, që nga fillimi i qershorit.
Nafta po tregtohet në nivelin më të lartë të dy muajve, teksa rafineritë po përgatiten për sezonin veror të përdorimit të automjeteve dhe tregtarët shqetësohen për tensionet e reja në Lindjen e Mesme.
Indeksi i naftës së papërpunuar Brent, arriti deri në 86.83 dollarë, duke fituar rreth 10 dollarë për fuçi, që nga fillimi i qershorit. Ekuivalenti amerikan, West Texas Intermediate, avancoi mbi 83 dollarë përpara se të ulej.
Përpara të dhënave më të fundit mbi rezervat e papërpunuara nga Administrata e Informacionit të Energjisë në SHBA, analistët në Energy Aspects thanë se prisnin, që rafineritë të tërheqin më shumë se 2 milionë fuçi në ditë nga inventarët në tremujorin e tretë, në mënyrë që të nxisin prodhimin. Kjo do të ndryshonte më shumë se akumulimin e stoqeve në gjysmën e parë të vitit.
Kërkesa në SHBA për benzinë pritet të rritet fuqishëm gjatë verës, me Shoqatën Amerikane të Automobilave që parashikon, që udhëtimet gjatë periudhës së pushimeve do të jenë 5.2 për qind më të larta se vitin e kaluar, dhe udhëtimet me makinë do të rriten 4.8 për qind.
Furnizimet me naftë janë shtrënguar gjithashtu. “Tashmë në qershor, eksportet e OPEC+ janë dukshëm më të ulëta, të udhëhequra nga vendet e Gjirit dhe Iraku, pjesërisht për shkak të djegies së naftës së papërpunuar gjatë verës, në mes të valëve të vazhdueshme të të nxehtit në Lindjen e Mesme,” tha Energy Aspects, duke iu referuar kërkesës më të lartë për energji, për shkak të përdorimit më të madh të ajrit të kondicionuar.
Çmimi i naftës ra ndjeshëm në fillim të qershorit, pasi anëtarët e Opec+ thanë se do të përpiqeshin gradualisht të rifusnin 2.2 milionë fuçi prodhim të reduktuar, përsëri në treg, duke filluar nga shtatori.
Pas shitjeve të mëdha, karteli i naftës publikoi një video më 5 qershor të një konference me analistët, në të cilën Princi Abdulaziz bin Salman, ministri i naftës i Arabisë Saudite, dha garanci se anëtarët do të rrisnin prodhimin vetëm në varësi të kushteve të tregut. Që atëherë, çmimi i naftës është rritur në mënyrë të vazhdueshme, me naftën bruto Brent, që u rrit nga niveli më i ulët prej 76.76 dollarë për fuçi më 4 qershor.
Faktorë të tjerë, që ndikojnë në rritjen e çmimeve, përfshijnë shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm në konfliktin midis Izraelit dhe liderit të Libanit, Hezbollah. Në tregun e opsioneve, tregtarët kanë ngritur pritshmëritë për rritjen e mëtejshme të naftës, nëse ajo kalon kufirin e 90 dollarëve për fuçi. Megjithatë, frika se uragani Beryl do të pengonte prodhimin në Gjirin e Meksikës përpara festës së 4 korrikut në SHBA, është ulur.
/ Financial Times