Greenpeace po bën thirrje për më shumë investime në hekurudhat europiane, për të krijuar më shumë linja direkte dhe për të inkurajuar njerëzit të fluturojnë më pak.
Ka gjashtë herë më shumë linja direkte ajrore midis qyteteve europiane, sesa linjat hekurudhore direkte, sipas analizës së re nga organizata për mjedisin Greenpeace.
Në disa qytete të mëdha europiane nuk ka fare trena për në asnjë nga qytetet e tjera të përfshira në studim.
Ka shumë më tepër linja fluturimesh direkte sesa linja hekurudhore direkte në Europë
Aktivistët studiuan 990 rrugë midis 45 qyteteve kryesore europiane dhe zbuluan se 114 rrugë (12 përqind) kanë lidhje direkte me tren. Ka edhe 305 rrugë të tjera (31 për qind) ku një linjë direkte do të ishte e mundur, duke përdorur shina treni ekzistuese, por itinerari aktualisht nuk përdoret.
Nga ana tjetër, 69 për qind e 990 linjave kanë fluturime direkte. Greenpeace pretendon se kjo i inkurajon njerëzit të fluturojnë, në vend që të marrin trenin.
Ku në Europë është më e lehtë të udhëtosh me një linjë direkte treni?
Greenpeace thotë se asnjë nga qytetet e analizuara nuk po shfrytëzon plotësisht potencialin për lidhje direkte me tren.
Vjena doli në krye, si qyteti me më shumë linja hekurudhore direkte, me 17 linja. Mynihu ishte i dyti, me 15 linja dhe Berlini, Zyrihu dhe Parisi, përfunduan pesëshen e parë, me 13 linja secili.
Në anën tjetër të renditjes, janë gjashtë qytete, që nuk kanë linja hekurudhore direkte me asnjë nga qytetet e tjera të analizuara: Athina, Lisbona, Prishtina, Sarajeva, Shkupi dhe Talini.
Si mund të përmirësohen hekurudhat e Europës?
Dr. Alberto Mazzola, drejtori ekzekutiv i Komunitetit të Kompanive Europiane të Hekurudhave dhe Infrastrukturës (CER), një grup që përfaqëson kompanitë europiane të trenave, theksoi rëndësinë e kohëzgjatjes së udhëtimit për pasagjerët.
“Nëse ka një udhëtim prej 18 orësh, shumë pak do të zgjedhin trenin,” thotë ai.
“Për të adresuar këtë, ne do të donim të lidhnim të gjitha kryeqytetet europiane dhe qytetet kryesore me tren me shpejtësi të lartë,” shton ai.
Mazzola po e shtyn BE-në të sigurojë më shumë fonde për infrastrukturën për të krijuar këto linja.
Një raport i Komisionit Europian zbuloi, se numri i përgjithshëm i shërbimeve ndërkufitare të pasagjerëve në distanca të gjata në BE, mbeti i njëjtë nga viti 2001 në 2019, dhe në përgjithësi ato përbëjnë vetëm rreth 7 për qind të udhëtimeve me tren në Europë.
Ndërkohë numri total i trenave me fjetje të pasagjerëve në Europë ra nga 1257 në javë në 2001, në 445 në 2019, megjithëse ka pasur disa linja të reja, që nga viti 2019, si Bruksel – Pragë.
Për të rritur këto shifra dhe për të inkurajuar më shumë njerëz, që të përdorin trenin, Greenpeace po u bën thirrje qeverive kombëtare dhe BE-së të mbështesin zhvillimin e shërbimeve hekurudhore direkte, përmes investimeve në infrastrukturë dhe bashkëpunimit më të mirë midis kompanive hekurudhore.
“Është koha, që qeveritë europiane dhe BE-ja, të korrigjojnë këtë çekuilibër historik,” thotë Schuster.
/ Shqip.al