”Moda” e makinave me qira, tjetër kompani publike tender 1.2 milionë euro
Marrja e makinave me qira nga disa kompani publike është bërë praktikë viteve të fundit. Listës i është shtuar edhe Illyrian Guard sh.a. Kjo kompani zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga shteti shqiptar dhe që ofron shërbime me pagesë ndaj palëve të treta publike ose private për në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj. Së fundmi Illyrian Guard ka kërkuar që të marrë me qira 51 mjete për një afat katër vjeçar dhe për këtë fondi limit i vënë në dispozicion është rreth 1.2 milionë euro (146 milionë lekë).
Por çfarë automjetesh kërkon të marrë me qira kompania publike? Referuar specifikimeve teknike shihet se kërkohen së pari 9 automjete me motor 1.2 benzinë dhe që duhet të jenë me zero kilometra.
Së dyti kërkohen 10 automjete me motor 1.6, naftë edhe këto me zero kilometra. Një grup tjetër prej 9 automjetesh kërkohet me një motor 1.4 benzinë.
Pjesa më e madhe e flotës prej 23 automjetesh kërkohen SUV me kilometrazh zero, motor 2.0-2.2 naftë.
Edhe pse specifikimet e automjeteve janë për katër kategori të ndryshme me vlera të ndryshme nga njëra tjetra një mesatare e përllogaritur në bazë të fondit limit dhe numrit të automjeteve rezulton se në krye të katër viteve kompania do të paguajë rreth 23 400 euro për secilën prej tyre.
“Qëllimi i procedurës është pajisja e strukturës dhe personelit të IG, me mjete transporti bashkëkohore, të sigurta e të përshtatshme për larmishmërinë e terrenit ku do operohet, të cilat ofrojnë kushte optimale pune për të mundësuar kryerjen sa më efikase të detyrave dhe ngarkesën e punës që mbart shërbimi i kompanisë” thuhet në dokument.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.