Një draft metodologji që parashikon metodologjinë sesi do të llogariten tarifat që do të sjellin të ardhurat e lejuara dhe do të mbulojnë kostot e operimit për Bursën e Energjisë (ALPEX) është dorëzuar pranë Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për miratim.
ALPEX ka nënvizuar se i njëjti propozim është dërguar edhe në rregullatorin e Kosovës duke kërkuar miratimin e Metodologjisë për përcaktimin e Tarifave në rolin e Operatorit të Emëruar të Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO).
Fillimisht metodologjia ndalet tek kushtet e përgjithshme si dhe shqyrtimi i tarifave sipas periudhave rregullatore. Në kapitullin III konkretisht neni 5 metodologjia ndalet në të ardhurat e lejuara të NEMO-s.
Kështu metodologjia për përcaktimin e të Ardhurave të Lejuara të NEMO-s zbatohet me metodën e “Normës së Lejuar të Kthimit”. Sipas kësaj rregullatori do të caktojë “Normën e synuar të Kthimit për NEMO-n në një nivel që lejon mbulimin e kostove të nevojshme operacionale dhe çdo kosto kapitale.
“Te Ardhurat e Lejuara do të vendosen në një nivel të tillë që i mundëson NEMO-s të rikuperojë kostot në masën që këto të jenë të justifikuara dhe të shpenzuara me kujdes dhe një kthim ROIE.
Të Ardhurat e Lejuara të periudhës do të mbulojnë kostot e mëposhtme por pa u kufizuar: Kostot e operimit dhe mirëmbajtjes; Kostot për zgjerimin e aktivitetit; Amortizimin sipas ligjit fiskal; Norma e Lejuar e Kthimit; Tarifat dhe taksat e licencës; Kostot Kapitale; Kostot e Borxhit; Kostot qe lidhen me integrimin e tregjeve ne nivel rajonal dhe ate evropian” thuhet në dokument.
Kjo metodologji përcakton se çdo e ardhur tjetër që nuk merret nëpërmjet tarifave të aprovuara, por që lidhet me ofrimin e shërbimeve të autorizuara të NEMO-s do të zbritet nga këto të ardhura.
Në nenin 6 metodologjia merr parasysh kostot e operimit dhe mirëmbajtjes që identifikohen dhe paraqiten që të mbulohen nga të ardhurat e lejuara çdo periudhë rregullative. Sa i takon kostove për zgjerimin e aktiviteteve edhe në këtë rast kjo llogaritet nga të ardhurat e lejuara dhe ka të bëjë kryesisht me aktivitete për rritjen e numrit të pjesëmarrësve, pjesëmarrjen apo sponsorizimin e eventeve të caktuara.
Vlera e Normës së Lejuar te Kthimit, do të caktohen nga Rregullatori në kuadër të rishikimit të tarifave.
Bursa Shqiptare e Energjisë, nisi zyrtarisht operimi në 17 prill 2023. Në total sot kjo bursë ka të regjistruar 25 anëtarë të prodhimit, tregtimit të energjisë dhe 4 të tjerë të klerimit. Nga 1 shkurti i këtij viti në tregun e ditës në avancë është edhe Kosova./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.