Ka vetëm një problem me “uljen e butë” të Europës: ekonomia e saj kurrë nuk ka fluturuar me të vërtetë. Ndërsa rritja e Amerikës ka habitur vazhdimisht, ajo e Europës ka qenë mediokër, shkruan The Economist.
Me përjashtim të Irlandës, ku statistikat shtrembërohen nga firmat shumëkombëshe që minimizojnë taksat, PBB-ja e BE-së është rritur me rreth 3% që nga viti 2019, krahasuar me një rritje prej 9% në Amerikë.
Sidoqoftë, perspektiva për Europën po përmirësohet. Të dhënat e publikuara më 15 maj tregojnë se Eurozona u rrit me 0.3% në tremujorin e parë të këtij viti, në krahasim me tremujorin e mëparshëm.
Kjo ishte rritja e parë e rëndësishme në gjashtë tremujorë radhazi dhe e mjaftueshme që blloku të dilte nga recesioni. Në të njëjtën ditë, Komisioni Europian përmirësoi parashikimet për rritjen e BE-së. “Ne besojmë se kemi bërë një kthesë”, tha i gëzuar një komisioner.
Edhe inflacioni është vënë nën kontroll. Shifrat e publikuara më 17 maj tregojnë se norma vjetore e rritjes së çmimeve në Eurozonë mbeti e qëndrueshme në nivelin 2.4% në prill, vetëm paksa mbi objektivin prej 2% të Bankës Qendrore Europiane (BQE).
Inflacioni bazë, që përjashton çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë, ra nga 2.9%, në 2.7%, që do të thotë se disinflacioni nuk po vjen thjesht nga ulja e çmimeve të gazit, që kanë rënë në rreth një të katërtën e nivelit të vitit 2022.
E gjithë kjo, është arritur pa papunësi shtesë.
Shkalla e papunësisë në BE ishte 6.1% në tremujorin e parë të këtij viti, paksa mbi nivelin më të ulët që nga fillimi i mijëvjeçarit.
Jugu i Europës, që historikisht ka qenë pika e dobët e kontinentit, është rritur më shpejt se veriu, ku rritja e Italisë ka qenë më e madhe se ajo e Francës dhe Gjermanisë. Pjesërisht, kjo është falë fondit të rimëkëmbjes së BE-së, i cili u krijua gjatë pandemisë Covid-19, por ende po ofron fonde.
Europa Jugore “ecën më mirë kur inflacioni është pak më i lartë”, vëren Claus Vistesen nga shoqëria këshillimore Pantheon Macroeconomics, pasi rritja e çmimeve i bën borxhet më të tolerueshme. Ndërkohë, Europa Veriore vuajti më shumë nga çmimet e larta të gazit, pasi Rusia pushtoi Ukrainën.
Teksa inflacioni është bërë një problem më i vogël, politika monetare tani mund të mbështesë rimëkëmbjen e Europës. Një pjesë e vogël e bankave qendrore të kontinentit kanë ulur tashmë normat e interesit. Hungaria, e cila filloi t’i rrisë ato më herët se shumica e vendeve, tashmë i ka ulur tetë herë.
Në Republikën Çeke, normat kanë rënë në 5.25%, nga 7% në dhjetor. Banka qendrore e Suedisë, Riksbank, shkurtoi normat e interesit për herë të parë më 8 maj. Tregjet presin që BQE-ja të ulë normën bazë tri herë këtë vit, duke filluar nga 5 qershori.
Në të kundërt, ata presin që Rezerva Federale e Amerikës ta ulë vetëm një herë.
Kompanitë po përfitojnë nga kjo rritje. Shitjet e bonove “Yankee të anasjellta”, siç quhet borxhi në euro i shitur nga emetuesit amerikanë, kanë shënuar rritje.
Sipas Bankës së Amerikës, nëse prirja e katër muajve të parë të vitit 2024 vazhdon për pjesën tjetër të vitit, shitjet e një borxhi të tillë mund të eklipsojnë shifrën prej 88 miliardë dollarësh në vitin 2019, kur normat negative të interesit në Europë ishin në kontrast të fortë me kulmin prej 2.5% në Amerikë, që u arrit pas krizës financiare.
Shumë prej atyre bonove, të emetuara me jetëgjatësi pesëvjeçare, tani duhet gjithashtu të rifinancohen. Borxhi përdoret kryesisht për të financuar operacionet europiane të firmave amerikane.
Një ngritje e mirëfilltë ekonomike do të kërkonte produktivitet më të lartë dhe investime të mëdha. Pjesa më e madhe e rimëkëmbjes deri tani ka ardhur nga kërkesa e brendshme: europianët janë të punësuar dhe çmimet më të ulëta të energjisë kanë rritur fuqinë e tyre të shpenzimit.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, produktiviteti, i matur me PBB për punëtor, ka rënë që nga viti 2022. Nëse punëtorët nuk bëhen më efikasë, Europa do të mbesë edhe më prapa Amerikës.
Në të vërtetë, FMN-ja parashikon që PBB-ja europiane për frymë, do të bjerë nga 68% e Amerikës në vitin 2019, në 66% deri në vitin 2029. Kontinenti ka dalë nga zymtësia ekonomike e viteve të fundit. Tani vjen pjesa e vështirë.