Edhe një herë është një kohë e mirë për të punuar në një zyrë tregtimi, shkruan Thë Economist
Të punuarit në një zyrë tregtimi, është ndoshta përvoja më e afërt me sportin, që mund të na sjellë një punë zyre. Përqendrimi dhe reflekset kanë rëndësi.
Në anën tjetër të çdo linje telefonike ose mesazhi në kompjuter, është një klient që dëshiron të tregtojë.
Nëse shpërfillen, këta klientë do të mbyllin menjëherë telefonin dhe do të lidhen me një tjetër rival. Të gjithë djersiten, për shkak të nxehtësisë që përhapet nga kompjuterët e shumtë përreth.
Në një ditë të ngarkuar, është e pamundur të largohesh nga zyra, duke e bërë punën tepër sfilitëse.
Siç ekipet sportive përdorin kode për të komunikuar taktikat e tyre, ashtu bëjnë edhe tregtarët. Për shembull, “kabllo, një oborr, i imi, Gjenevë”, përkthehet në “Brevan Howard, një fond mbrojtës, do blejë 1 miliard paund dhe do shesë dollarë”.
Kur ndodhin gabime, ka fyerje, të bërtitura dhe ndonjëherë, edhe thyerje të pajisjeve.
Ose të paktën, kështu ishte nja dy dekada më parë, në kohët e vjetra të arta. Pas krizës financiare globale të viteve 2007-09, bota tregtare mbeti si e pajetë. Rregullat e reja të rrepta ndrydhën fitimet.
Tregtarët me frekuencë të lartë rrëmbyen fitimet nga duart e bankave, veçanërisht në bursa.
Ekonomia globale ishte e plogët, pasi u topit nga normat e ulëta të interesit. Tregjet lëvizën në mënyrë lineare, me ekuitetet që lëviznin lart dhe yield-et e bonove që binin.
Kishte disa të papritura, si vota e Brexit ose zgjedhja e Donald Trump, por ishin ndodhi të rralla. Kjo botë e qetë u dha investitorëve pak arsye për të tregtuar brenda dhe jashtë fushave të tyre.
Të ardhurat ishin të pakta, dhe kthimet e vakëta. Drama nëpër zyrat e tregtimit, kishte të bënte më tepër me shkarkime nga puna, se sa me lëvizje të tregut.
Sidoqoftë, më në fund, duket se ditët e mira janë rikthyer. Të ardhurat nga zyrat e tregtimit në tre bankat më të mëdha, Goldman Sachs, JPMorgan Chase dhe Morgan Stanley, u rritën me rreth 40% midis viteve 2019 dhe 2020, dhe që atëherë, kanë mbetur në këtë nivel ose janë rritur.
Në vitet 2010, në pjesën më të madhe të tregjeve globale, bizneset mezi e nxirrnin koston e kapitalit. Tani ato marrin kthime dyshifrore nga kapitali. Në Bankën Goldman, tregtarët arritën një kthim të jashtëzakonshëm prej 18% në kapitalin mesatar të përbashkët në tremujorin e parë të vitit 2024. Në Bankën Morgan Stanley, kjo shifër ishte 15%.
Për një kohë të gjatë, bankierët u çoroditën nga kjo gjendje. Mos vallë ishte tepër e bukur për të qenë e vërtetë? Kthimet e ulëta të fitimeve ishin bërë aq normale, saqë bankierët e shihnin me dyshim një tremujor të mirë, apo edhe një vit të mirë.
Sigurisht, viti 2020, mund të quhej si një “lajthitje” sepse vështirë se do të ndodhte ndonjë pandemi tjetër. Por edhe viti 2021 ishte po aq fitimprurës. Në bilancet e fitimeve të vitit 2022, shefat e bankave ishin të kujdesshëm.
“Askush nga ne nuk mund ta kishte parashikuar mjedisin që kemi përjetuar gjatë dy viteve të fundit”, tha David Solomon nga Banka Goldman.
“Në asnjë mënyrë nuk e shohim atë si një mjedis të përhershëm që do të vazhdojë me këtë ritëm”.
Jeremy Barnum, nga Banka JPMorgan, foli për “normalizimin”, e ndjekur nga një “rritje modeste”.
Por kaosi i vitit 2022, ishte po aq i mirë për tregtinë dhe tregjet nuk u ngadalësuan as në vitin 2023. Aksionet kapën majat dhe yield-et e bonove u fundosën në dy muajt e fundit të vitit. Duke qenë se pritshmëritë për politikat e bankës qendrore janë ende të luhatshme, ky vit pritet të jetë gjithashtu i mirë.
Pra, a përfaqësonte viti 2020 një ndryshim strukturor në biznesin e tregjeve të bankave, në vend të një faze të përkohshme? Ka arsye për të menduar kështu.
Bankierët janë disi më optimistë, edhe pse të kujdesshëm. Kur e pyetën nëse veprimtaria e fuqishme është “normaliteti i ri” për bankat, Andy Morton, kreu i tregjeve në Citigroup, u përgjigj se “është e vështirë të thuhet, por ka disa arsye për të menduar se gjërat do të mbeten elastike”.
Normat janë rritur ndjeshëm, pasi ngecja e dekadës së mëparshme ka qenë “një recetë për paqëndrueshmëri”, thotë ai. Si arsye për rritjen e veprimtarisë bankare, ai jep edhe ndezjen e tensioneve gjeopolitike dhe ngritjen e industrive të reja, si kredidhënia private.
Prirje si plakja e popullsisë dhe tranzicioni klimatik, mund të vazhdojnë të nxisin inflacionin, gjë që nënkupton paqëndrueshmëri të normave të interesit. Dhe të gjitha llojet e tregjeve janë riorganizuar vitet e fundit: jo vetëm tregjet e bonove dhe të aksioneve, por edhe ato për monedhat dhe mallrat, duke përfshirë gazin europian.
Kjo na çon në një përfundim interesant. Ndoshta politika monetare tepër e lirshme, ishte më e mundimshme për bankat sesa rregullimi pas krizës financiare.
Siç duket tashmë qartë, është krejtësisht e mundur të fitosh shumë para duke ndërmjetësuar tregjet, pa kryer mëkatet e epokës së para viteve 2008, për sa kohë që tregjet janë mjaftueshëm elastike.
Ky lloj dinamizmi financiar mund të mos jetë një lajm i mirëpritur nga të gjithë. Por pa dyshim që e ka bërë punën e tregjeve po aq fitimprurëse dhe të vrullshme, sa në epokën e artë të së kaluarës.